Flash News

Ditari i Opozitës

Rama shpall 'AKSHI 2', PD: Megaskandali 'ADS' ngrihet mbi 4 shtylla korruptive, kërkojmë hetim nga drejtësia

Rama shpall 'AKSHI 2', PD: Megaskandali 'ADS' ngrihet mbi 4

Partia Demokratike ka akuzuar qeverinë për krijimin e Agjencisë “Albanian Digital Solution” (ADS), duke e cilësuar atë si një strukturë paralele që sipas saj, synon përdorimin e fondeve publike dhe rritjen e administratës me emërime politike.

Në një deklaratë nga selia blu, zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD Genta Vangjeli, renditi katër shtyllat, ku sipas saj, bazohet ajo që e quan “mega-skandal qeveritar”.

“Vendimi i qeverisë Rama për krijimin e ‘Albanian Digital Solution’ (ADS) është akti radhës i një skeme të pastër korruptive për kapjen e parave publike, fryrjen e administratës me militantë dhe ngritjen e një strofke të re për hapësira vjedhjesh galopante. Nën pretekstin e ‘transformimit digjital’, Rilindja po krijon një super-agjenci paralele me kapital fillestar prej 700 milionë lekësh nga xhepat e qytetarëve shqiptarë.

Kjo nuk është një reformë teknologjike, por një mega-skandal i hapur qeveritar që bazohet në katër shtylla: strofka e re e patronazhistëve dhe militantëve, zhvatje pa tavan pagash për klientët e qeverisë, dublim dhe fryrje e qëllimtë-AKSHI 2 dhe monopol dhe gjobvënie ndaj institucioneve dhe privatëve”, deklaroi Vangjeli.

Sipas saj, ADS po ngrihet si një strukturë për të rehatuar militantët partiakë duke deklaruar se kjo kompani “do të përdoret për të paguar rrogat e luksit të oborrtarëve të Rilindjes, duke u fshehur pas statusit të ‘biznesit privat’ që ushqehet nga buxheti i shtetit.”

Ndërkaq, Vangjeli shtoi se qeveria po dublon funksione strategjike si mirëmbajtja sistemesh dhe siguri kibernetike, “qëllimi duket se është mbajtja e stafeve paralele teknike, duke transferuar fondet publike nga një xhep në tjetrin dhe duke fryrë shpenzimet në kurriz të taksapaguesve.”

Vangjeli i ka dretuar kryeministrit Edi Rama disa pyetje, lidhur me mënyrën se si do të funksionojë kjo strukturë, teksa kërkoi anulimin e ADS dhe hetimin nga organet e drejtësisë.

"Pse po krijohet një AKSHI paralele? Nëse AKSHI ka funksionuar me sukses ashtu siç pretendoni në propagandën tuaj, pse po detyroheni të krijoni një strukturë tjetër paralele me 345 punonjës që dublon pothuajse 100% të funksioneve të saj?

Pse po fshiheni pas një statusi ‘privat’ për të shmangur tavanin e pagave? Pse u zgjodh formula e një shoqërie aksionare që operon si biznes privat për të kryer shërbime publike  duke ju dhënë mundësinë të paguani rroga luksi për njerëzit e oborrit tuaj politik me paratë e taksapaguesve?

Cili është fati i 700 milionë lekëve të para nga Buxheti i Shtetit? Mbi çfarë analize financiare u alokua kapitali fillestar prej 700 milionë lekësh nga buxheti i shtetit për këtë kompani? Si mund t’i jepet kjo shumë e jashtëzakonshme një entiteti të ri, ndërkohë që arsimi publik, shëndetësia dhe shtresat në nevojë vuajnë nga mungesa e fondeve bazë?

Meqenëse ADS ka të drejtë të caktojë vetë çmimet e shërbimeve për institucionet shtetërore, si do të parandalohet skema ku paratë e institucioneve publike transferohen pa kontroll drejt kësaj kompanie përmes faturave të fryra artificialisht?", tha Vangjeli.

 

Të fundit