Flash News

E-TJERA

Ambasadori holandez i kujton qeverisë: Integrimi në BE nuk është thjesht përkthim ligjesh, por zbatim i tyre

Ambasadori holandez i kujton qeverisë: Integrimi në BE nuk

Ambasadori i Holandës në Shqipëri, Reinout Vos, ka kërkuar nga Shqipëria reforma të thella dhe reale në kuadër të procesit të integrimit europian, duke theksuar se vetëm miratimi formal i ligjeve nuk është i mjaftueshëm për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Gjatë një tryeze të organizuar nga Komisioni për Mbikëqyrjen Institucionale, diplomati holandez u shpreh se sfida kryesore nuk qëndron te përkthimi i legjislacionit europian në ligje vendase, por te zbatimi i tyre në praktikë dhe ndërtimi i një kulture funksionale institucionale.

Sipas tij, procesi i integrimit nuk është një ushtrim teknik që mund të përmbyllet vetëm me punë juridike, por kërkon institucione që funksionojnë mbi bazën e besimit, transparencës dhe llogaridhënies.

“Procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian nuk ka të bëjë vetëm me miratimin e legjislacionit. Nuk është thjesht një ushtrim teknik për përkthimin e direktivave në ligjin shqiptar. Nëse do të ishte kështu, procesi ndoshta mund të përfundohej nga një sistem shumë inteligjent i inteligjencës artificiale dhe disa juristë të lodhur duke pirë shumë kafe natën vonë”, tha ai.

Vos vuri theksin edhe te roli i Kuvendit, duke deklaruar se institucionet funksionojnë më mirë kur ka debat të hapur, shqyrtim të vazhdueshëm dhe pyetje kritike ndaj vendimmarrjes.

“Sfida e vërtetë është kultura institucionale. Bashkimi Europian, në fund të fundit, ndërtohet mbi besimin: besimin që institucionet funksionojnë në mënyrë të pavarur, besimin që pushteti mban përgjegjësi, besimin që ligjet zbatohen në mënyrë të drejtë, dhe besimin që qytetarët kanë një zë kuptimplotë në jetën publike. Prandaj kapitulli i parë, “Themeloret”, ka kaq shumë rëndësi. Dhe prandaj roli i Parlamentit është absolutisht qendror. Në çdo demokraci, përfshirë edhe vendin tim, institucionet funksionojnë më mirë kur ka shqyrtim të shëndetshëm, debat të hapur dhe ndonjëherë pyetje të pakëndshme”, deklaroi Vos.

 

Të fundit