Flash News

E-TJERA

Pas dështimit të “Diellës”, qeveria prezanton “Yllin”, asistentin virtual për fermerët

Pas dështimit të “Diellës”, qeveria prezanton

Pasi prezantoi “Diellën”, asistenten virtuale që u reklamua si një ndihmë për qytetarët dhe administratën, Qeveria shqiptare tashmë ka nxjerrë në skenë edhe “Yllin”, asistentin e parë virtual për fermerët shqiptarë.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, prezantoi platformën e re të bazuar në Inteligjencën Artificiale, duke e cilësuar atë si një hap drejt revolucionit digjital në bujqësi.

Sipas ministrit, “Ylli” do të jetë një ndihmës virtual i aksesueshëm nga telefoni celular, i aftë të komunikojë në gjuhën shqipe dhe të ofrojë informacion në kohë reale për fermerët.

Megjithatë, prezantimi i projektit të ri vjen në një moment kur “Diella”, asistentja virtuale e qeverisë e promovuar me bujë muaj më parë, është shoqëruar me ankesa dhe kritika nga përdoruesit.

Qytetarë të shumtë kanë raportuar probleme me funksionimin e saj, ndërsa pritshmëritë për transformimin e shërbimeve publike përmes Inteligjencës Artificiale nuk janë përmbushur sipas premtimeve fillestare.

Në këtë kontekst, lindja e “Yllit” ngre pikëpyetje nëse qeveria po zgjerohet drejt projekteve të reja teknologjike pa zgjidhur më parë problematikat e platformave ekzistuese. Kjo bëhet edhe më e ndjeshme në sektorin e bujqësisë, i cili prej vitesh përballet me vështirësi të shumta, nga mungesa e subvencioneve dhe kostot e larta të prodhimit, deri te braktisja e zonave rurale.

Ndërsa qeveria flet për revolucion digjital, mbetet për t’u parë nëse “Ylli” do të arrijë të japë rezultate konkrete për fermerët shqiptarë, apo do të ndjekë fatin e “Diellës”, e cila sipas kritikëve nuk arriti të kthehej në instrumentin efikas që ishte premtuar.

Të fundit