Flash News

E-TJERA

Prapaskenat e një artikulli të rremë, gazetari i BIRN: Autorë anonimë për të ndikuar opinionin publik

Prapaskenat e një artikulli të rremë, gazetari i BIRN:

Gazetari i BIRN, Vladimir Karaj foli mbi artikullin e publikuar nga Politiko.al,  ku pretendonte se artikulli me autorësinë e Helen Bratt ishte prodhuar me Inteligjencë Artificiale dhe se autorja nuk ekzistonte.

Politiko.al akuzoi gjithashtu gazetën Tema të gazetarit Mero Baze se e kishte shpikur shkrimin “për reagimin e figurave të PD” kundër Berishës dhe LaCivita.

Duke folur në Syri tv ai u shpreh se përmbajtja e tij ngriti dyshime serioze për origjinën dhe qëllimin e publikimit.

Karaj theksoi se artikulli përmbante elementë të paprovuar, pjesërisht të stisur, dhe citime të vjetra të rikontekstualizuara për të krijuar një narrativë të caktuar. Sipas Karajt, autorja e artikullit ishte plotësisht anonime, pa asnjë të dhënë biografike, gjë që shton dyshimet mbi besueshmërinë e shkrimit.

"Historia u bë e bujshme për shkak të një reagimi nga Politiko.al. Mes komenteve politike në Shqipëri, shpeshherë ka tone radikale dhe mungesë etike, ndaj nga pikëpamja gjuhësore nuk na bëri shumë përshtypje. Megjithatë, pati një publikim në Politiko ku pretendohej se materiali në fjalë ishte gjeneruar nga inteligjenca artificiale.

Ne nuk gjetëm prova që artikulli ishte krijuar nga inteligjenca artificiale. Artikulli i publikuar përmbante lidhje (linke) nga artikuj të tjerë të botuar në Shqipëri. Ajo që vumë re ishte se autorja e artikullit, e quajtur “Bratt”, ishte plotësisht anonime nuk kishte asnjë informacion biografik, foto apo të dhëna që të tregonin se kush ishte ajo në të vërtetë.

Ne komunikuam me të gjithë ata që e kishin parë ose ishin ndikuar nga artikulli. Një email iu dërgua autores me pyetje dhe kërkesë për të realizuar një intervistë në formë videocall, si dhe për të marrë të dhëna biografike. Dyshimet ishin që bëhej fjalë për një material të stisur. Jo i gjithë shkrimi është i fabrikuar, por pjesërisht po.

Ajo që ndodh në Shqipëri dhe që ndodh vazhdimisht është praktika e copypaste në tekste, si në media të shkruara ashtu edhe në ato vizive dhe në gjithë sferën publike, ku njerëzit marrin tekste shabllon dhe i përdorin pa analizuar nëse kanë fakte apo jo.

Në fund të artikullit në anglisht ka dy citime nga zoti Gjeta dhe një nga Kikia. Të dy citimet i referohen ndarjes së Partisë Demokratike pas zgjedhjeve. Citimi i zotit Gjeta është një deklaratë nga viti 2021, ndërsa citimi i Kikisë është marrë nga një deklaratë e dhënë shumë kohë para përfundimit të zgjedhjeve.

Forma të tilla të rreme, pa fakte, publikohen, qarkullojnë dhe riqarkullojnë në Shqipëri. I njëjti entitet është përdorur edhe në vitin 2019 për të publikuar një artikull kundër Edi Ramës, ku thuhej se vendi pritej të hynte në luftë civile. Në atë artikull ishte përdorur një fotografi e një proteste në Maqedoninë e Veriut, që më pas u shpërnda edhe në mediat shqiptare pa u verifikuar.

Problemet, sipas mendimit tim, janë të thella dhe kanë nisur vite më parë, kur televizionet filluan të transmetonin kaseta të regjistruara nga partitë. Sot, edhe pse gjatë ditës së zgjedhjeve ka reporterë në terren, fushata elektorale transmetohet kryesisht nga studiot e partive politike. Pushteti, me të gjitha mjetet që ka në dispozicion, ka avantazhe më të mëdha për të montuar dhe shpërndarë kaseta propagandistike. Për mua, ky është problemi kryesor.

Qëllimi i publikimit të artikullit në fjalë duket se është devijimi i vëmendjes në një moment kur fokusi është tek pranueshmëria e zgjedhjeve dhe blerja e votave. Debati brenda Partisë Demokratike ndodh publikisht.

Thelbësore është mungesa e raportimeve të sakta gjatë periudhës së zgjedhjeve dhe mungesa e pranisë së gazetarëve në terren gjatë fushatës elektorale për të pasqyruar realisht fenomenet që ndodhin", tha gazetari. 

Të fundit