Flash News

KRYESORE

ISP: Kushtetuta shqiptare nuk e përcakton detyrimin për të pasur gjithnjë 140 deputetë

Partia Socialiste ka përfituar një deputet më shumë, nga formimi i “parlamentit të ri”.

Në raportin e përpiluar nga Instituti i Studimeve Politike (ISP) me titull “Parlamenti në kohën e krizës” rezulton se “Parlamenti i ri” i vitit 2019 ka diferenca të dukshme në përbërje nga parlamenti i zgjedhur më 2017. Më konkretisht, PS ka pasur 74 deputetë dhe aktualisht ka 75, pas bashkimit me dy deputetë (një nga LSI dhe një nga PDIU) dhe përjashtimit të një deputeti nga grupi.

“PD ka pasur 45 deputetë dhe aktualisht nuk ka përfaqësim parlamentar.  LSI ka pasur 19 deputetë dhe aktualisht nuk ka përfaqësim parlamentar.  PDIU ka pasur 3 deputetë, 1 shkoi tek PS, dy të tjerë i shprehën mbështetjen publike PS, por nuk janë bashkuar edhe zyrtarisht me të, për pasojë, aktualisht nuk ka përfaqësim parlamentar. PSD vijon të ketë një deputet si në vitin 2017 edhe tani në vitin 2019. Deputetë të tjerë që kanë ndryshuar parti janë 46 dhe janë deputetët që refuzuan urdhrin politik për dorëzimin e mandateve parlamentare ose pranuan marrjen e mandatit nga lista shumemërore e PD dhe LSI. Mandate të pa konsumuara, pra bosh, janë 18 mandate nga 140 deputetë, në total 12% e të gjithë parlamentit.”, thuhet në raport.

Sipas ISP-së, debati nëse pjesa e mbetur vakante përbën devijim nga përcaktimi kushtetues është më shumë debat politik sesa juridik. Kushtetuta dhe legjislacioni mbështetës në Shqipëri nuk përcaktojnë detyrimin për të pasur gjithnjë 140 deputetë në parlament dhe në vetë tranzicionin shqiptar ka pasur vakanca për një periudhë shumë të gjatë edhe në ndonjë legjislaturë tjetër”

ISP ka përpiluar raportin me mbështetjen e Qeverisë së Mbretërisë së Vendeve të Ulta në Tiranë e gjithashtu vijon të realizojë monitorimin e Kuvendit të Shqipërisë dhe të aktivitetit parlamentare.

Të fundit