Flash News

OP-ED

Zheji nga Qyteti

Zheji nga Qyteti

Alfred Lela

Artur Zheji do t’i mungojë debatit publik të argumentuar dhe me sqimë. Edhe pse vitet e fundit, kryesisht, iu shmang, ai do të mbahet mend si ndoshta polemisti më i mirë i debatit të folur në Shqipëri.

Ikja e tij e parakohshme do të jetë një mungesë therëse për të bijat, të birin dhe bashkëshorten; ngase Tirana do të mbushet shpejt me të njëjtin harrim dhe vrer, që zotëron zakonisht për të gjallët.

Zheji do të mbetet megjithatë, jo vetëm në kujtimet e familjes dhe miqve të afërt, por edhe të Qytetit.

Ai e  pasqyronte Qytetin si rrallëkush, ndër dhe ndryshe nga ata, që jetojnë në të fizikisht dhe bëjnë be për të pambarimisht.

Jo vetëm linja familjare, jo vetëm "Rruga e Durr'sit", jo vetëm shqetësimet që ndante për Tiranën e brenda Unazës dhe atë jashtë saj, por edhe për hapësirën-komb, e mbajnë Zhejin në radhën e burrave që e kanë polis-in në mendje dhe në sy.

Bashkëpunimi me të te Gazeta Mapo, gjërat e mira, që besoj, bëmë bashkë, drekat apo darkat, juritë, debatet në studio televizive, nuk ma holluan kurrë ndjesinë se ishte njeri i mirë.

Kur kujtonte të atin, Petron, që haste jabanxhinj në parqet e Tiranës, të cilët nuk paguanin dot hotelin dhe ai i merrte në shtëpi, Zheji nuk po mburrej me babanë. Thuajse po tregonte, me të qeshur, pa e thënë, se këtë gjë nuk do bënte vete, por te i ati e pikaste shenjtërinë. Apo për rastin tjetër kur Petro bënte në këmbë rrugën nga Tirana te Kisha e Shna Ndout në Sebaste, në komunizëm, si pelegrinazh, si sfidë, si misticizëm.

Zheji mbeti si i ati: një pelegrin në atdhe, një patric që i kuptonte dhe i falte plebejtë, një hokatar me të dy palët.

Bisedat me të për parvenytë (të pasuruarit rishtas) ruajnë, më shumë se fjalët e thëna, atë rrezellitjen krejt të posacme të së qeshurës së tij dhe dritës së syve, një teh ku lëvrinte ironia dhe falja.

Kam shumë për të treguar për të por, në vdekje fjalët e shumta janë të tepërta si vetë vdekja.

Do t’i ruaj thesaret e bisedave me të, dhe do të cmoj te ai i ikur i parakohshëm, atë përmasë të krishteri që në “sinagogën e hajdutëve” ndoshta e ka lodhur, por barrën e saj e mbajti deri në fund. Deri në zgrip të një gushti kur iku, ndoshta duke imagjinuar Besianën si divën e radhës të 'derës Zheji' dhe Shqipërinë në vend ku, më në fund, mund të prehesh si njeri, së gjalli apo të vdekuri.

U prehsh në jetën e pasosur, bashkëatdhetar dhe bashkëpunëtor!

Të fundit