Flash News

Ditari i Maxhorancës

Pas kërcënimit, Spiropali 'i hedh' dorezën Ramës: Nëse kritika është faj, më përjashto

Pas kërcënimit, Spiropali 'i hedh' dorezën Ramës:

Një ditë më parë, në mbledhjen e grupit të PS, Rama kërcënoi hapur Elisa Spiropalin se nëse vijonte me kritikat ndaj partisë, do të përjashtohej nga grupi.

Me një postim të gjatë në Facebook, ish-ministrja ka sfiduar hapur Ramën duke argumentuar se reagimet e saj nuk janë kundër PS-së, por modelit që kreu i saj ka ndërtuar.

Spiropali shprehet se në PS debatet brenda rrethit nuk duhet të kthehen në spektakël ndëshkimor, e aq më tepër, në një instrument kërcënimi. Ajo thekson se “pushteti nuk dobësohet nga kritika. Pushteti dobësohet kur humb aftësinë për vetëkorrigjim.”

“Debatet e brendshme, sado të forta, nuk duhet të shndërrohen në spektakël ndëshkimor publik. Kur paralajmërimi publik bëhet instrument kërcënimi, heshtja nuk është më maturi, është dorëzim. Nëse qëndrimi im për mënyrën si po funksionon partia, qeveria, shteti, konsiderohet arsye për përjashtim, atëherë po e them qetë dhe qartë: Më përjashto. Nuk kam sulmuar Partisë Socialiste. Kam kritikuar modelin që në disa aspekte po dëmton edhe Partinë Socialiste”, shkruan ish-ministrja.

Referuar votimit kundër arrestimit të Ballukut nga mazhoranca, Spiropali thotë se është krijuar një model, ku disiplina është shndërruar në nënshtrim.

“Kur refuzimi për t’u bërë pjesë e një automatizmi votash në Parlament interpretohet si largim nga grupi, atëherë problemi nuk është disiplina, por ideja se bindja kërkohet e verbër, pa arsyetim, pa marrë parasysh pasojat. Kur refuzohet bindja si ritual, nuk po mbrohet uniteti, por po kërkohet nënshtrim.

Nëse të kërkosh që institucionet të mos kontrollohen, personalizohen, instrumentalizohen, është faj, atëherë më përjashto.Nëse të kërkosh garë e meritë, brenda e jashtë partisë është faj, më përjashto. Nëse të kërkosh që socialistët të mos zëvendësohen nga një model “drejtorokracie”, ku kontributi politik zbehet përballë kontrollit administrativ, qenka mungesë disipline, më përjashto.

Nëse të mendosh se pushteti duhet të njohë vetkufizim, dhe nuk duhet të njësohet me strukturat që e rrethojnë, qenka herezi e papranueshme, më përjashto. Nëse nuk respektohet e drejta të flas, madje dhe të bërtas, kur familja ime politike fillon të ketë frikë nga fjala, nuk ka dilemë, zgjidhja është 1, më përjashto”, shkruan Spiropali.

Të fundit