Flash News

E-TJERA

4430 ha tokë nën ujë në Lezhë e Shkodër/ Bora bllokon rrugët, shembet ura në Kalivaç, 3 qytete pa ujë

4430 ha tokë nën ujë në Lezhë e Shkodër/ Bora
Foto ilustruese

Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar një situatë shumë shqetësuese në vedn. Disa nga akset rrugore janë të bllokuara, ndërsa sipërfaqe të tëra toke janë në ujë.

Në qarkun Shkodër janë përmbytur 1630 ha tokë, ndërsa në Lezhë 2800 ha. Situata në qarkun e Lezhës ka një përmirësim krahasuar me një ditë më parë.

Uji në Velipojë ka hyrë në 15 banesa dhe disa lokale, ndërsa në Lezhë janë evakuuar 27 familje. Gjithashtu është dëmtuar ura në fshatin e Kalivaçit, për pasojë banorët janë izoluar.

Rrëshqitje të dheut kanë dëmtuar dhe tubacionet e ujësjellësit të Bogovës duke lënë pa ujë të pijshëm banorët e Beratit, Poliçanit dhe Kuçovës.

Në Kukës ka vijuar dëbora duke zbardhur qytetin në pak orë, ndërsa rruga e Kombit po pastrohet vazhdimisht nga borëpastrueset dhe po bëhet kriposja e saj. Ndërkohë në prurjet e liqenit dhe lumenjve Drin-Bunë, kuota aktuale është pranë kuotës kritike.

Në fshatin Shirq, Njësia Administrative Dajç, lumi ka filluar të dalë nga shtrati dhe është prezent në rrugën e fshatit. Në fshatin Obot, Njësia Administrative Ana e Malit, në rrugë ka rreth 60 cm ujë dhe është e pakalueshme me përjashtim të mjeteve të larta.

Ndërsa akse rrugore në Malësinë e Madhe janë të bllokuar nga dëbora. Në aksin rrugor Gropat e Selcës-Vermosh (Qafa Bordolecit) është i pakalueshëm për shkak të reshjeve të dëborës dhe orteqeve. Edhe aksi rrugor Bogë - Qaf Thorë është i bllokuar, i pakalueshëm, pasi ka rreth 35 cm dëborë.

Në Pukë problem mbetet aksi rrugor Hadroj – Mirditë ku ka rrëshqitje dherash, rënie gurësh dhe prezencë uji në shumë pjesë të rrugës dhe rrezikohet që rruga të bllokohet pasi deri tani nuk është ndërhyrë nga strukturat përkatëse.

Në Bashkinë Fushë Arrëz, rruga e fshatit Dardhë është shembur rreth 60-70 metra duke e bërë rrugën të pakalueshme. Ndërsa në Vaun e Dejës pavarësisht prezencës së ujit, rrugët janë të kalueshme.

Të fundit