Flash News

KRYESORE

Investigimi për manipulimin e listave, Bardhi: PD po bën gati kallëzim penal ndaj dy zyrtarëve, njëri ministër

Investigimi për manipulimin e listave, Bardhi: PD po bën gati

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi ka treguar se cila do të jetë lëvizja e Partisë Demokratike, pas denoncimit të emisioni investigativ “BOOM” në Rtv Ora mbrëmjen e djeshme se qytetarët e Tiranës  po zhvendosen pa dijeninë e tyre në Njësi të tjera Administrative.

Sipas Bardhit, PD po bën gati kallëzim penal ndaj ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj si dhe drejtorit të Përgjithshëm të Gjendjes Civile, Bledar Doracaj, për shkeljen e rëndë të ligjit dhe të së drejtës për votim të qytetarëve

“Qeveria e Edi Ramës ka nisur manipulimin e listave dhe nuk ka mashtrim të Sandër Lleshajt që ta mbulojë këtë operacion kriminal.

Emisioni investigativ “Boom” e ka ka kapur me presh në duar Sandër Lleshajn dhe Edi Ramën. Dëshmitë e qytetarëve janë të drejtpërdrejta dhe nuk lënë vend për diskutime. Qytetarëve u është ndërruar vendbanimi pa kërkesën e tyre, në shkelje flagrante të ligjit.

Ligji e thotë qartë se me ndryshimin e vendbanimit, qendra e votimit ndryshon automatikisht. Çfarë thotë Sandër Lleshaj, është një përpjekje e dëshpëruar për të mbuluar manipulimin e listave të votuesve, një tjetër përpjekje e dëshpëruar e Edi Ramës përpara largimit të pashmangshëm.

Do apo nuk do Edi Rama, qytetarët do të dalin në votime masivisht dhe do të çlirohen nga ky regjim që vetëm i vjedh.

Askush nuk do të guxojë të prekë votën e lirë! Partia Demokratike po bën gati kallëzimin penale për Ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj, Drejtorin e Përgjithshëm të Gjendjes Civile, Bledar Doracaj për shkeljen e rëndë të ligjit dhe të së drejtës për votim të qytetarëve. Që nga Sandër Lleshaj deri tek nëpunësi më i thjeshtë që fut duart në listat e votuesve për të deformuar vullnetin e qytetarëve, do të mbajë përgjegjësi para ligjit!”, shkruan Bardhi.

Kujtojmë se ministri Lleshaj ka përgënjeshtruar akuzat se qeveria po zhvendos votuesit e opozitës nga Qendra e Votimit pa dijeninë e tyre, pak para zgjedhjeve të 25 prillit.

Të fundit