Flash News

OP-ED

Po Edi Rama kundër kujt proteston?

Po Edi Rama kundër kujt proteston?

Alfred Lela

Politika shqiptare e paskomunizmit nxori menjëherë nga 'libri i enverizmit' një formë radikale të antagonizmit që, në fjalorin e tranzicionit hyri me emërtimin 'antimitingu'. Antimitingjet e para i zhvilloi një organizatë e çuditshme, themeluar impromptu si reagim ndaj forcave opozitare antikomuniste që lindën në Shqipëri, në fund të '90 dhe në fillim përgjatë vitit '91. Të vetëquajtur 'Vullnetarët e Enverit', pas bandave të Haxhi Qamilit, ata mbetën ithtarët më të çuditshëm që duhet të ketë njohur historia e Shqipërisë moderne.

Vullnetarët ishin, në masën më të madhe, oficerë, penisonistë dhe nostalgjikë të fashave të ndryshme, të lidhur në një mënyrë a tjetër me komunizmin stalinist të Hoxhës. Një grupim që përbëhej nga jo më shumë se pak qindra vetë, në rastin më të mirë ata ishin shenja antiorare në një Shqipëri të fillimviteve '90 që ishte nisur të përballej me orët e para të lirisë.

Të radikalizuar, sidomos pas hedhjes së përmendores së Enver Hoxhës në kryeqytet, 'Vullnetarët...' filluan të organizonin tubime, kryesisht në Jug, por edhe në rajone të tjera, si një kundrapeshë e opozitës së re, që mblidhte në mitingjet e veta me mijra vetë. Ashtu si haxhiqamilistët, edhe enveristët kërkonin një kohë tashmë të perënduar për Shqipërinë, një 'dum Babën' permanent që, megjithatë, nuk i ndahet as sot Shqipërisë, po të shohësh venerimin që gëzojnë udhëheqësit politikë te turmat që i ndjekin.

Kjo kulturë e antimitingut u shtri më tej përgjatë gjithë traniziconit duke e reflektuar enverizmin e vet si një gjak të keq, si një filozofi që thotë se ideja dhe kauza e tjetrit duhen heshtur kundërshtuar, me sa më shumë zhurmë, deri në vdekje.

Një antimiting i mbetur në tentativë është ndoshta më ilustruesi në dekadën e dytë të viteve 2000. Ai i Sali Berishës, kryeministër, i projektuar për të dëshmuar forcë ndaj Edi Ramës, kryetar opozite, që kish derdhur në bulevardin e Tiranës 'popullin opozitar', i cili-në fjalët e tij- "mund ta kapërcente opozitën". Ky 'kapërcim' i blatoi historisë politike të Shqipërisë katër viktima. Rama deshi të kthehej në Bulevard për një 'përshpirtje'. Berisha për t'i demaskuar 'vajin e rrejshëm'. Të tjerat janë histori, bashkë me thënien, aq shumë të komentuar të ambasadorit amerikan, A. Arvizu pas vendimit të Berishës për t'u tërhequr 'veprim prej burri shteti'.

Antimitingjet, tashmë që është në pushtet, Edi Rama i vazhdon ende, edhe pse i bojatis me emra të rifreskuar si 'bashkia që duam', e me radhë. Që pas vendimit të opozitës për të dorëzuar mandatet dhe thirrur një seri protestash, kryeministri i është lëshuar Shqipërisë si të ishte qingji naiv i poemës së Naimit, duke pyetur për halle të mëdha e duke zgjidhur të vogla, kryessht ngatërresa me fatura dritash e muhabete dritëshkurtra. Ai merr e pret temena në zonaa ku ndihet i sigurt, si Vlora psh, duke sjellë me vete të rinj të Forumit rinor socialist dhe punonjës administrate, mësues e nxënës shkollash, e ç'të mundet. Rrathë të gjerë koncentrikë karrigesh, që mbyllen te këmbët e tij të gjata, janë skenografia e përzgjedhur. Në shpinë mban pastoralen e "Shqipërisë që duam". Në sy një shpuzë që 'Dulqinja e doganave' ia dekodon si 'skënderbejane'.

Pavarësisht gjithë kësaj penelate, ato nuk janë më shumë se antimitingje. Qëllimi i tyre është propagandistik, elektoral dhe, mbi të gjitha, një shenjë force për kundërshtarin. "Më dil, të dal", "populli yt, e populli im".

Duke qenë se jemi tashmë thuajse tri dekada pas 'Vullnetarëve të Enverit', të cilët bënin antimitingje deri diku të përligjura, sepse shihnin se po u shembej një botë që kish qenë e vetmja që njihnin, po kryeministri i Shqipërisë pse i bën këto antimitingje?

Nëse opozita e Bashës ka një 'ditar pakënaqësish', tashmë publike, dhe për këto del në rrugë e sheshe, por Edi Rama kundër kujt proteston?

Përgjigjia është e thjeshtë: pa rezultate, qeverisje të mirë, politika të qëndrueshme me të cilat ta heshtë kundërshtarin dhe të sigurojë publikun, ai proteston kundër opozitës dhe atyre që nuk pajtohen me të.

Antimitingjet, si në kohën  kur 'Enveri ynë' organizonte parada ushtarake kundër imperializmit amerikan, si kur 'Vullnetarët e tij' kundërshtonin hapjen dhe mbronin izolimin, si tani kur Rama, si një dervish i çartur, na parqet 'Luna parkun e Shqipërisë', janë shenjë e pafuqisë.

Të fundit