Flash News

KRYESORE

Profilet e krizës/ LIBRA, SFIDA etj., apo të vegjlit që zgjodhën mesin dhe mbetën po aty

Profilet e krizës/ LIBRA, SFIDA etj., apo të vegjlit që

Gjergj Bojaxhi, themelues i partisë Sfida për Shqipërinë, për herë të parë mbërrinte në syte e publikut i paqetë dhe nervoz. Pjesë e panelit debatues në emisionin 'Studio e hapur' të Eni Vasilit, Bojaxhi reflektonte një parehati të pandeshur më parë. Pikët që merr Gjergji në imagjinaren publike lidhen pikërisht me përshtypjen e krijuar për të, e drejtë ose jo, se ai sillte në 'ekranin politik' një profil të shtruar, urban dhe pa gjuhë grabitqare. Nën këtë projeksion, ai arriti të grumbullonte, i vetëm dhe pa median dhe poltikën e madhe mbrapa, në garën për kreun e Bashkisë së Tiranës, i futur si sanduiç mes Erion Veliajt dhe Halim Kosovës, mbi 10 mijë vota.

Të cilat mund të konsiderohen shumë, sepse janë edhe vota bio.

Edhe pse mbrëmë binte në sy Bojaxhiu, shumë të tjerë, me siguri duke i ndjekur ngjarjet nga ekrani, janë përmbytur nga emocioni i një rasti të ikur. Mimoza Hafizi kur doli mbrëmë nga tryeza e partive parlamentare, si përfaqësuese e LIBRA-s, e kishte në majë të gjuhës dhe në lëkurë 'tradhtinë' që ndjente për atë që mund të projektohej aty brenda.

'Gjigantët' ishin në dhomën e luftës, e  cila mund të kthehej sakaq në sallon detante ndërsa 'liliputët' ishin përcjellë prej aty dhe do t'i ndiqnin ngjarjet e mëdha nga kanapeja e shtëpisë.

Kjo palumturir e përfaqësuesve të LIBRA dhe SFIDA mund të thuhet se ka përshkruar edhe shpresëtarë të tjerë të vegjël të konfliktit të madh që e kish kapluar skenë  politike që prej shkurtit. Mosmarrja pjesë në zgjedhje e opozitës zyrtare, e përfaqësuar nga Partia Demokratike, i hapte rrugë ridimensionimit të diagramit elektoral. Ca për faktin se fusha ishte e hapur dhe më pak e ngushtë, dhe ca nga fakti se PS do kërkonte legjitimimin e zgjedhjeve duke 'fryrë të vegjlit', këta të fundit shpresonin se kisha ardhur ora e tyre. Edhe pse, qartësisht, ora e keqe e Shqipërisë mbërrinte nëse opozita e njëmendtë lihej jashtë procesit të zgjedhjeve.

Të gjithë ishin bërë gati, me lugë në brez, për kosin me fruta të një parlamenti të pafrytshëm të pas 18 qershorit. Kjo lexohej qartë në gatishmërinë e tyre fëminore për të shkuar me vendosmëri drejt zgjedhjeve të njëanëshme, të cilat paanshmëria në dukje e tyre i bënte edhe më flagrante.

Më shumë se kaq, brenda naivitetit politik, njëfarë stërmundimi mund të thuhet, për të luajtur të barazlarguarin nga palët e mëdha, a thua se konfliki nuk ishte mes palëve të mëdha; pra për të mos vendosur se me cilën anë mund të vinte zgjidhja, i la, edhe pa taktikë, edhe pa strategji.

Siç duket edhe pa detin kos me fruta.

Luga u mbetet, por ajo nuk është garuzhdja që ëndërruan, por e vogla e kafesë që u duhet të pinë në vakinë e ëndrrës së madhe të bretkosës që deshi të trashej sa një ka.

Lamtumirë, ëndërr!   

 

 

Të fundit