Flash News

KRYESORE

Skandali i Nikos Kotzias, ‘blen’ eshtrat e ushtarit italian në Dragot dhe e quan “moment emocionues” për helenizmin në Shqipëri

Në kërkimet e nisura në Dragot, fshat në kufi midis Tepelenës dhe Përmetit, kanë dalë sot eshtrat e para të një ushtari që mban një medalion italian, por në mediat shqiptare dhe nga ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias, po pretendohet se i përkasin një ushtari grek. Në medalion numrat dhe shkronjat janë në alfabetin latin, ndërsa grada është e shkruar në italisht “caporale”, që në shqip përkthehet “tetar”, ndërkohë mbiemri i ushtarit është Greco, shumë i përdorur në Itali. Megjithatë, këto  të dhëna nuk e kanë penguar Kotzias që ta konsiderojë nxjerrjen e eshtrave të ushtarit italian si një moment emocionues për helenizmin në Greqi dhe në Shqipëri. “Dua të shpreh kënaqësinë për fillimin sot të procesit të ndarjes dhe identifikimit të eshtrave të ushtarëve grekë të rënë në Shqipëri. Një hap i rëndësishëm është marrë sot për prehjen e shpirtrave të ushtarëve grekë që ranë në luftën italo-greke të 1940-1941. Një moment emocionues për të afërmit e ushtarëve të rënë, por edhe për helenizmin jo vetëm në Greqi, por edhe në Shqipëri”, shkruan Kotzias. Një detaj interesant është se Kotzias nuk ka preferuar të publikojë medalionin ku shkruhet në italisht “caporale” (tetar), por një tjetër medialion, të një ushtari të thjeshtë që ka mbiemrin Greco. Politiko.al kontaktoi me ish-Shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Dritan Demiraj, i cili theksoi se nga grada dhe shkronjat latine, kuptohet se kemi të bëjmë me varre të ushtarëve italianë dhe jo grekë. Politiko nuk është ndalur këtu, por pas një kërkimi në faqen e Ministrisë së Mbrojtjes së Italisë ka zbuluar të paktën 8 ushtarë italianë me mbiemrin Greco që kanë rënë në Shqipëri gjatë luftës italo-greke, dhe që sot nuk kanë një varr. Për dy prej tyre ka informacione se kanë vdekur në Përmet, ku sot po zhvillohen kërkimet e eshtrave.

Të fundit