Flash News

OP-ED

Sprinti i Agronit në Maratonën e banditëve

Sprinti i Agronit në Maratonën e banditëve

Alfred Lela

Rasti e kërkon që të fillohet nga autori dhe pastaj të kalohet te komentatorët. Agron Shehaj ka bërë një gjest që shpjegon jo vetëm atë vetë, por sidomos sistemin ku bën pjesë. Në kuptimin personal, Shehaj ka vepruar në një institucion të shtetit si të ishte në kompanië e vet, duke mos arritur ta ndajë dot se çfarë është autoriteti dhe institucioni, dhe çfarë është fuqia financiare dhe të qenit pasunar.

Në kuptimin e sistemit, ai ka kopjuar Ramën dhe të gjithë ata që po bërtasin kundër gjestit të tij, pra, ka interpretuar gjendjen politike dhe shoqërore, përmbledhur në atë që vetë kryeministri quan “KÇK”, Kap ça të kapësh.

Ajo që e bën turbullt të rrezikshëm veprimin e Shehajt është se ai ka vepruar si Rama, apo thënë ndryshe po të kishte pushtetin e Kryeministrit do të vepronte mu si ai.

Në thelb kjo i heq gjithë ligjërimit (narrativës) së tij politike kolonën kryesore ku mbahet: ne të rinjtë/ata të vjetrit. Akti është sa foshnjarak aq edhe banditesk, por nuk mund të mos ia pranojmë edhe një ngjyrim prej të dëshpëruari. Shehaj, me atë marrje dhe vrap, ka dëshmuar edhe pafuqinë e opozitarëve në një fole ku veprohet vetëm sipas dëshirave dhe urdhrave të Edi Ramës.

Kësisoj veprimi i tij merr një zbritje në ‘notën në sjellje’ që PS dhe disa dhoma jehone të interentit po ia ‘thyejnë’ që prej pasdites së djeshme. Po kaq e rëndësishme është edhe futja në kontekst, jo vetëm e veprimit të Shehajt, por edhe reagimeve ndaj këtij veprimi. Parlamenti i Shqipërisë është, në shumicën e seancave, një pit stop i kundravajtjeve ligjore, etike dhe estetike. Kryeministri e trajton aulën më të lartë të vendimarrjes në një demokraci si një pasdhomë të tekave personale, ku ai shkon dhe merr një manikyr dhe pedikyr sipas natyrës së dëshirave. Jo pak deputetë e kanë numrin e votave në përpjestim të zhdrejtë me zotërimin e gjuhës shqipe, dhe të shumë lëndëve të tjera që bëhen në shkollë. Jo pak të tjerë janë aty me vota krimi, burgjesh, patronazhimi etj. Shumica parlamentare e sheh kohën dhe funksionin në Kuvend si përpjekje për të denigruar opoiztën, për ta kufizuar atë dhe për ta trajtuar si aksesor, jo si pjesë thelbësore të funksionimit të parlamentit dhe demokracisë. 

Në një mjedis të tillë, sprinti i Agronit është vetëm një etyd i shkurtër fatkeq në epopenë e gjatë të ‘haja qenit, pija qenit’ të shumicës parlamentare. Duke shprehur pafuqinë në një mënyrë të papërshtatshme, Agron Shehaj është kthyer në një reel, një zhanër komunikimi aq i preferuar prej tij. 

Siç thonë: kush jeton me reels, nga reels do të bjerë.

Të fundit