Arrestimi i ish-portierit të Vllaznisë si pjesë e ‘Bajrit’, reagon Rudi Vata

Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda kanë goditur sot grupin kriminal Bajri në qytetin e Shkodërs, ku midis të arrestuarve ishte edhe trajneri i Kombëtares së Femrave, Armir Grima, i cili më parë ka qenë edhe portier i Vllaznisë për 5 vite.

Ai që ka denoncuar prej vitesh Grimën ka qenë pikërisht Rudi Vata, i cili në një prononcim për “Panorama Sport”, ka treguar se Grima ka ndikuar në dëm të tij dhe klubit Shkodran.

Vata gjithashtu ka theksuar se Armir Grima ka qenë protagonist edhe në ndeshje të tjera, në bashkëpunim me FSHF dhe Bashkinë Shkodër, por shteti dhe FSHF-ja nuk i ka trajtuar me seriozitet çështje të tilla delikate.

“Dihet pazari i kësaj që ka ndodhur. Grima, bashkë me Kujtim Shabën (ish-drejtues te Vllaznia) janë organizuar për dëmtuar punën time, duke ndikuar në humbjen e Vllaznisë ndaj Pogradecit në vitin 2012, kur unë kam qenë trajner. Grima ka qenë protagonist edhe në ndeshje të tjera, në bashkëpunim me FSHF dhe bashkinë Shkodër. Faktet janë pa fund, por shteti ynë dhe FSHF nuk i trajton me seriozitet çështje të tilla kaq delikate”, ka thënë ai.