Flash News

KRYESORE

Basha dyshime për testet e qeverisë: Janë kontradiktore. SHBA do të na sigurojë 30 mijë tampone

Basha dyshime për testet e qeverisë: Janë kontradiktore. SHBA do

Lulzim Basha shprehet se shifrat e dhëna nga qeveria për koronavirusin nuk janë të besueshme. Sipas një interviste të shpërndarë nga PD, kreu i Selisë Blu deklaron se “shifrat janë kontradiktore”. Me këtë, Basha argumenton edhe arsyen pse Partia Demokratike ka kërkuar shtimin e testimit për personat e dyshuar me koronavirus. “Shifrat janë kontradiktore. Të tjera shifra jep Kryeministri, të tjera shifra jep Ministria e Shëndetësisë dhe kjo duhet të marrë fund. Nuk dua të futemi në debat janë apo nuk janë shifrat këto që jepen, e rëndësishme është të ketë një transparencë dhe të ketë një testim, i cili të jetë i besueshëm. Nëse testoni 15 vetë dhe 12 vetë dalin të infektuar, këtu ka një problem. Në qoftë se numri i testimeve për të paktën tre javët e para nuk ka kaluar 50, këtu ka një problem.

Prandaj, e kemi kërkuar rritjen e numrit të testimeve, prandaj e kam parashtruar edhe institucionalisht. Sot janë mbushur 2 javë që kur e kam kërkuar. Na eshte thënë 10 mijë teste. Nuk e di çfarë bëhet, kanë ardhur këto 10 mijë teste apo jo?! Bashkë me testet rritet mundësia për të testuar, sepse nga njëra anë kryeministri thotë se po të duam mund të bëjmë edhe 2 mijë teste, nga ana tjetër del Instituti i Shëndetit Publik dhe thotë se kapaciteti ynë për teste është 500”, shprehet Basha.

Kryedemokrati shprehet se ka kërkuar ndihmën e partnerëve për të ndihmuar Shqipërinë me testime. Ai tha se SHBA po siguron të paktën 30 mijë teste.  “Jo vetëm kaq, por ia kam kërkuar këtë ndihmë edhe partnerëve tanë, edhe BE-së. Dje e falenderova publikisht dhe doja ta përsërisja falenderimin për ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila me fondin prej 700 mijë dollarësh që i është vënë në dispozicion USAID-it  nga fondi amerikan për të ndihmuar Shqipërinë si pjesë e paketës së rajonit, do t’o dedikojë për blerjen e 30 mijë testeve.

Dhe uroj dhe shpresoj që këto 30 mijë kite testimi të mbërrijnë sa më shpejt në Shqipëri, sepse janë të domosdoshme. Jemi sot në numra mikroskopikë në krahasim me aty ku duhet të ishim për sa i përket testimit. Mesatarja e testimit për person të infektuar është 4 veta, është shumë e ulët, duke përfshirë këtu edhe njerëz që mund ta kenë përfituar testin për shkak të statusit të tyre shtetëror. Është shumë e ulët, ku është një konsensus i gjithë ekspertëve.

Si mund të dalim nga karantinë? Si mund të rindezim motorët e ekonomisë, në qoftë se nuk e dimë ku jemi, nuk e dimë sesa i përhapur është virusi, nuk e dimë sesa të infektuar ka apo dimë vetëm 1/3 apo 1/10 e asaj që ekziston. Prandaj, testimi ka dy role kryesore: Së pari për të forcuar mburojën e shëndetit. Dhe duket qartë që nga mungesa e testimeve në kemi patur një numër të madh mjekësh dhe infermieresh të prekur, jo vetëm ata që janë raportuar por edhe shumë të tjerë që nuk janë raportuar. Dhe së dyti për të filluar për të menduar për rrugën e daljes nga kjo situate”, shprehet Basha.

Të fundit