“Nuk janë produkt i një nate”, zv/ministri Hodaj: Pistat ku është përqendruar policia për vrasjet në Shkodër

Zv/ministri i Brendshëm, Julian Hodaj ka deklaruar se situata kriminale në Shkodër nuk është produkt i një dite dhe i një nate, por është problematikë e mbarsur gjatë 25 viteve. Në intervistën për emisionin ‘Kjo Javë’, në News 24, Hodaj tha se për vrasjet e fundit në këtë qytet, policia është përqëndruar në pistën e larjes së hesapeve midis bandave.

“Ajo që ndodhi në Shkodër, nuk është produkt as i një dite as i një nate. Është fryt i asaj që është mbarsur në këto 25 apo 30 vjet. Pra, është një situatë e mbartur, sepse nuk lindën as sot as dje grupet kriminale, kanë qenë aty dhe kanë operuar në terren. Kjo që ndodhi janë episode të luftës ndërmjet, besoj dhe kjo është pista që besoj unë policia po ndjek, të luftës mes grupeve të ndryshme që kanë çuar në këtë lloj rezultati. Gjithsesi policia është e angazhuar fort, po mbështetet edhe nga Ministria e Brendshme dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese dhe besoj shumë shpejt do ketë rezultate në këtë drejtim”, tha Hodaj.

‘Shkodra është një nga qytetet ku ishte përqendruar edhe vëmendja e forcës së ligjit, po nuk ishte i vetmi. Në shumë operacione e keni parë që edhe lidhjet ndërmjet qyteteve janë goxha të afërta. ‘Volvo 4’ kishte shumë njerëz por të shtrirë në 4 – 5 qytete. Shkodra ka qenë ndër qytetet që mbetet gjithmonë problematike, mbetet në vëmendje të policisë së shtetit, por kjo nuk do të thotë se vëmendja është hequr nga qytete të tjera.” -theksoi zv/ministri i Brendshëm.