OPINEWS

"Haxhiqamiloida" në Portën e Lartë të Erdoganit

nga Ermal Mulosmani/ gazeta Ekspress

Fjalën “haxhiqamiloida” e kam ndeshur për herë të parë në esenë “Mosmarrëveshja” të Ismail Kadaresë. Ajo fjalë ka referencë katundarin analfabet e besimtar tiranas Haxhi Qamili, i cili i vuri flakën Shqipërisë në vitet 1914-1915 duke kërkuar largimin e Princ Vidit dhe bashkimin e Shqipërisë me shtetin osman ose të paktën qeverisjen nga një përfaqësues i atij shteti.

Përdoret nga Kadarea për një valë të re mallëngjimi turkoman të shqiptarëve, një dashuri vëllazërore, moderne për otomaninë, mënyrën e jetesës, telenovelat, pushimet turke. Këtë rigjallërim modern të  një lloj “nostalgjie e çuditshme për kohën e robërisë”  shkrimtari i madh e quan shumë të rrezikshme sidomos në ditët kur Shqipëria ndodhet në prag të bashkimit me Evropën:

Nëse 100 vjet më parë klithma e Haxhiut të çmendur ka qenë thirrja e shkuljes së Perandorisë nga preja e saj, sot, 100 vjet më vonë, ajo është ofshama e fundit anti evropiane në këtë vend. Atë ofshamë e fshihnin me kujdes të gjithë ata që, duke ulëritur për Evropën, luteshin së brendshmi që Evropa të mos i hapte kurrë portat për shqiptarët. Parti politike ose pjesë të shtetit, organizatat e krimit, klane të korruptuara, ishin në kërkim të vazhdueshëm të vjegave për tu acaruar me Evropën”.

Sigurisht shpura kryeministrore që u prit  në sarajet e Turqisë nuk ka asgjë të përbashkët në dukje me Haxhiun mistrec të kohëve anadollake. Përkundrazi, moda dhe eleganca, fjalët e zgjedhura dhe shija e lartë estetike janë krejt e kundërta e Xhikes sonë të dikurshëm.

Mirëpo ideja ka mbetur e njëjta: vëllazërimi me Anadollin.

Politika e jashtme e vendeve të vogla ka pak hapësirë për të lëvizur. Orientimi perëndimor dhe largimi nga kthetrat anadollake duhej të ishte prioriteti absolut i Shqipërisë që buron qysh nga kohët dritëdhënënëse të Rilindjes Kombëtare.  

Duke menduar për gjeopolitikën  më vjen në mendje thënia e njohur e regjisorit të madh amerikan Stenley Kubrik:

“Shtetet e mëdha kanë vepruar gjithnjë si gangsterë, ndërsa shtetet e vogla si prostituta”!

Më kujtohet fare mirë incidenti turk me avionin rus në kufirin sirian para 5 viteve. Të gjithë u habitëm sesi Erdogan mori guximin të prekte “gangsterin” Putin. Për më tepër, refuzimi i menjëhershëm për të kërkuar ndjesë në emër të cënimit të sovranitetit dhe paralajmërimi që “mos të luante me zjarrin” ishte për tu admiruar.

Erdo u tregua me dinjitet.

Mirëpo vetëm 8 muaj pas atij incidenti që shkaktoi edhe vdekjen e një piloti rus, Erdogani me një letër përulëse shprehu keqardhjen dhe pendesën e thellë për atë akt. Jo vetëm kaq. Cari rus e poshtëroi delegacionin turk të kryesuar nga Erdogan duke e lënë të presë në korridoret e Kremlinit si të ishte një nëpunës i rëndomtë i administratës. Pamjet e Erdoganit të lodhur që dikur gjen një kolltuk për tu çlodhur u transmetuan në kanalin televiziv Rusia 1 si për t’i treguar dy popujve se kush ishte gangster e kush …

Hera e dytë që Sulltani Erdo e ngriti stekën e konfliktit përtej fuqive të tij ishte kur arrestoi pastorin amerikan Andreë Brunson me akuzën e pjesëmarrjes në grushtin e shtetit të vitit 2016. Administrata e Trump i kërkoi lirimin e pastorit, Erdogani kërkoi në këmbim dorëzimin e klerikut Fetullah Gulen i cili ishte në ekzil politik në USA. Edhe këtë herë ishte Erdogan ai që u zbyth me bisht ndër shalë. Pastori amerikan u lirua nga burgu ndërsa Gulen vazhdon i qetë jetën e tij në Shtetet e Bashkuara.

Të kthehemi tani në katundin tonë të vogël dhe takimin e djeshëm. U nënshkruan përplot marrëveshje ku ne veç përfitonim e Sulltani i madh na jepte me bujari.

Ndër të tjera kronika televizive përmendte rindërtimin e banesave të shkatërruara nga tërmeti, ndërtimin e një Spitali në Fier, 100 pacientë në vit për ndërhyrje që nuk mund të realizohen në spitalet tona, restaurimi i xhamisë së plumbit në Shkodër etj. Asnjë fjalë se çfarë do të bënim ne në këmbim të gjithë këtyre të mirave që po na i dhuronte me bujari Presidenti Erdogan…

“A thua pse të na dojë kaq shumë Erdogani ne?”– pyesja veten pa një përgjgije të qartë…

Më ndihmoi pak Erdogani kur lexoi tekstin e marrëveshjes:

Ne bashkë me autoritetet shqiptare dakortohemi që organizata terroriste e Feto-s përbën një kërcënim për të dy vendet. Ne nuk do të lejojmë që Feto të helmojë mardhëniet mes dy vendeve tona dhe me këtë rast Turqia me institucionet e saj do të jenë përkrah Shqipërisë”. 

Gjatë kësaj kohe Kryeministrit tonë i kishte rënë një çehre e zezë turpi. Vetëm ai e dinte se sa e tmerrshme ishte ajo dekikë. Sepse Kryeminstri ynë është ku e ku më i hollë nga mendja e modern nga pamja se analfabeti Haxhi i Sharrës. Ai e di shumë mirë që Gylen është problem i Erdoganit dhe nuk ka asnjë lidhje rreziku me Shqipërinë.  Por, siç e ka thënë Kubriku i famshëm, misioni i shteteve të vogla nuk është edhe aq fisnik. Nëse gangsteri  i trajton me bujari dihet se çfarë i prêt në fund të ditës.

Zakonisht “gangsterët” japin urdhra, poshtërojnë siç ishte rasti i Putin-it në Kremlin, me Erdoganin.

Kur “fuqia e madhe” sillet mirë me “të voglën”, madje tepër mirë, ka diçka shqetësuese. Përtej kthimit në qesharak të shtetit të vogël duke i përmendur rrezikun gylenist, investimet pahesap dhe dashuria vëllazërore dikur do të shlyhen.

Haxhiqamiloida” nuk është e ardhmja e Shqipërisë. Ajo gjendet në tjera porta.

Ditari politik

Të fundit