Flash News

KRYESORE

Parlamentari rus: Prishtina dhe Uashingtoni duhet të ftohin kokat

Parlamentari rus: Prishtina dhe Uashingtoni duhet të ftohin kokat

Edhe në të ardhmen Serbia mund të llogarisë në mbështetjen e Rusisë në zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe, nëse është e nevojshme, Moska është e gatshme që në çdo moment të përfshihet në mënyrë direkte në dialog. Këtë thotë në intervistën për „Dnevnik“ Konstantin Kosachev, Kryetar i Komisionit për politikë të jashtme në Parlamentin e Federatës Ruse. Qëndrimi i Rusisë është i pandryshueshëm- zgjidhja duhet kërkuar në kuadrin e Kushtetutës së Serbisë dhe të Rezolutës 1244.

Thoni se i vetmi shans që kokat e nxehta në Prishtinë të ftohen dhe të mos lejohet përshkallëzimi i problemit kosovar,  është vetëdija se Serbia është në gjendje që të mbrohet, por edhe se mund të llogarisë në mbështetjen e Rusisë. Kush duhet të ndërgjegjësojë dhe për çfarë mendoni konkretisht?

E para dhe themelorja, unë kam besimin se zgjidhja e problemit kosovar nuk mund të jetë ushtarake dhe e dhunshme, zgjidhja mund të jetë vetëm politike. Në fund të fundit, zgjidhjen duhet ta arrijnë Beogradi dhe Prishtina. Të gjithë të tjerët, nuk duhet të përzihen, në rastin më të mirë mund të ndihmojnë në zgjidhjen e problemit, por ne tani po shohim se në tërë këtë rast po shfaqen ndërlikime të reja.

Nëse i quajmë gjërat me emrin e tyre, procesi është ndalur, nuk është ndalur për fajin e Beogradit, por për shkak të lëvizjeve të Prishtinës, e cila përsëri e përsëri po del nga shpirti dhe nenet e Rezolutës 1244, po krijon forcat e saj ushtarake, ka vënë doganën 100 përqind për mallrat nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, dhe po vë theksin në atë që si problemet e brendshme dhe problemet ndaj Serbisë zgjidhen me imponimin e pozicionit të saj.

Për mendimin  tim, Prishtina për këtë merr ndihmë dhe mbështetje nga SHBA. Unë tani nuk mund të flas për tërë Perëndimin, mendoj se pozicioni i BE-së është më i përgjegjshëm, por edhe ata tani shqetësohen se Prishtina tani është bërë më agresive dhe po e zgjidh në mënyrë agresive problemin kosovar. Kokat duhen ftohur, edhe ata në Prishtinë, edhe ata jashtë Prishtinës, në Uashington, që luajnë me emocionet, sepse në këtë mënyrë shkatërrojnë dhe nuk e ndihmojnë procesin politik.

Gjithnjë e më shpesh po flitet për ndryshimin e formatit të dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës.... Bisedimet në Bruksel janë bllokuar prej më shumë e gjysëm viti. Cili është ai skenar që do të mund të shpjerë në atë që Moska të përfshihej në mënyrë direkte në dialog?

Rusia kurrë nuk ka thënë se refuzon të marrë pjesë në këtë dialog, nëse do të ftohet të marrë pjesë. Ne kemi shumë pyetje në lidhje me iniciativën e fundit që me 29 prill të mbahej takimi në Berlin. Ne ende nuk e dimë se përse është organziuar ai takim, përse kanë kërkuar të kenë edhe një tjetër në Paris, si është përcaktuar përbërja e pjesëmarrësve. Pala shqiptare kërkon që të përfshihet edhe SHBA. Ndoshta kjo edhe mund të jetë e justifikuar, por në këtë rast në mënyrë absloute duhet të përfshihet edhe Rusia.

Dialogu nuk po lëviz nga pika e vdekjes, përkundrazi, jemi dëshmitarë të ngjarjeve në Berlin dhe në Tiranë. Takimi i ardhshëm është caktuar të mbahet në fillim të muajit korrik në Paris.... Si e shihni ju këtë iniciativë diplomatike, siç duket e re, të Merkelit dhe Makronit?

As në Berlin dhe as në Tiranë neve nuk na ka ftuar askush, por nëse një ftesë e këtij lloji arrin, ne do ta shqyrtojmë me kujdes. Gjithçka do të varet nga ajo sesi është menduar takimi. Nëse shohim se në takime të tilla ftohen vetëm ata që kanë njohur Kosovën, atëherë kuptimi i këtij takimi është zero dhe në to nuk ia vlen të merret pjesë.

Si e vlersoni sot pozicionin e Serbisë në dialog në raport me disa vite më parë?

Po, unë mendoj se pozicioni është më i fortë në krahasim me disa vite më parë. Serbia kërkon zgjidhje dhe mundësi që të merren vendime, por duhet të mbetet në kuadër të Kushtetutës së Serbisë, kjo është parimisht me rëndësi, por edhe në kuadrin e Rezolutës 1244. Gjithçka që përputhet me këto kuadre juridike është absolutisht e lejueshme nga ana ime dhe mund të përshëndetej edhe nga pala ruse. Faleminderit Zotit, Beogradi e ka ruajtur aftësinë për të ruajtur dialogun me Brukselin, por edhe me Moskën dhe me Uashingtonin.

E dimë sesa Rusia është e rëndësishme për Serbinë, por sa është e rëndësishme Serbia për Rusinë?

Serbia është partner shpirtëror, politik, ekonomik dhe shoqëror. Nuk ka dyshim se edhe në të kaluarën edhe në të tashmen dhe me siguri edhe në të ardhmen, do të mbetemi sëbashku. Shetitja e „Regjimentit të pavdekshëm“ (aktivitet për të cilin Kosaçoci zyrtarisht ka ardhur nga Rusia për të marrë pjesë. Shën. i përkth.), Dita e Fitores, Parada në Nish, janë aktivitet që ne i vlerësojmë shumë lart edhe si pozicion moral dhe të përgjegjshëm të Beogradit. Kemi shumë interesa të përbashkëta. Ne kemi shikim identik ndaj rolit të OKB-së, të së drejtës ndërkombëtare, kemi projekte kolosale të mëdha ekonomike gazi, energjia atomike, bujqësia. Për ne Serbia është një prej bashkëbiseduesve më të rëndësishëm si në Europë, ashtu edhe në nivel global.

*Përktheu për Politiko: Xhelal Fejza

Të fundit