Prifti katolik në Shkodër: “Sa të marrë ata që mendojnë se mund ta urdhnojnë këtë Zojë të randë”

Famulltari i Shkodrës, Vlash Palaj i ka dedikuar disa vargje qytetit të Shkodrës, që lidhen me zhvillimet e fundit politike. Në një postim në Facebook, mes rreshtave ai shprehet se ka neveri për ata që mendojnë se mund t’a urdhërojnë këtë “Zojë të randë”, siç e quan ai Shkodrën. Palaj shton në fund se Shkodrën “lum Shqipnia që e ka, e mjerë po nuk i dëgjoi këshillat e Saj!”.

“Shkodra krenare, me sharm e me shumë kapriço që din shumë, sepse i ka provue tana e tana i ka kalu…! Shkodra nuse që pranon jo vetëm atë që lirshëm dhe pa interes e don! Shkodra, nana xheloze për bijtë e Saj që aq fort i don, i mbron e kurrë s’i harron. Sa të marrë ata që mendojnë se mund ta “duen” e urdhnojnë me zori këtë Zojë të randë! Oh! Sa neveri e ka komunizmin e pjellën e tij! Lum Shqipnia që e ka, e mjerë po nuk i dëgjoi këshillat e Saj!”, shkruan Palaj.

Qyteti ka qenë në qendër të debateve politike pas zbulimit të dokumenteve që tregonin se Valdrin Pjetri rezultonte i dënuar me 18 muaj burg në Itali për shpërndarje drogë.