Rastet kur nishanet mund të sinjalizojnë kancerin e gjirit

Mund të mjaftojë thjesht një kontroll i lëkurës, kur keni nishane në pjesën e kraharorit, për të kuptuar nëse rrezikoheni të prekeni nga kanceri i gjirit.

Ky është përfundimi në të cilin kanë arritur dy studime, njëri i zhvilluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe tjetri në Francë, duke zbuluar lidhjen e kancerit me nishanet në lëkurë, sidomos nëse janë në sasi të madhe.

Studimet janë publikuar në revistën shkencore “PLOS Medicine”, dhe janë zhvilluar përkatësisht nga Jiali Han i Indiana University dhe Marina Kvaskoff e INSERM, në Francë. Dy studimet përfshinë dy grupe grash të prekura, të cilat u monitoruan për 20 vjet.

Grave amerikane ju kërkua që të numëronin nishanet e pranishme në krahun e tyre të djathtë dhe me përmasa më shumë se tre milimetra dhe studiuesit vlerësuan se një femër me më shumë se 15 nishane në këtë hapësirë të trupit rrezikohet 35% më shumë që të preket nga tumori i gjirit, në raport me një tjetër pa nishane ose me pak të tillë.

Ndërsa në studimin francez, studiuesit konstatuan se prania e hormoneve steroide, testosteroni dhe estrogjeni në gjak, të njohur prej kohësh si të lidhur me kancerin e gjirit, kanë lidhje të ngushtë edhe me numrin e nishaneve në lëkurë.