Flash News

KRYESORE

Spaho: Nëse shumica zvarrit reformën zgjedhore, i përgjigjemi me protesta

Spaho: Nëse shumica zvarrit reformën zgjedhore, i përgjigjemi me

Nënkryetari i PD-së Edmond Spaho deklaroi se angazhimi i vetëm i opozitës së bashkuar do të jetë Reforma Zgjedhore. Ai tha se në përputhje me marrëveshjen që u nënshkrua pak kohë më parë, opozita do të japë kontributin që i takon.

“ Është e vetmja çështje në të cilën opozita është e angazhuar në nëntë çështjet që ka vendosur Bundestagu si kushte për të hapur negociatat. Do ta japim këtë kontribut. Më pas duhet që Reforma Zgjedhore të zbatohet, që do të thotë se duhet të ketë zgjedhje të parakohshme të përgjithshme, mundësisht së bashku me ato vendore në të njëjtën ditë”, deklaroi Spaho për Abc news.

Por një shqetësim nga PD-ja është, pavarësisht marrëveshjes me shumicën. Ata nuk duan zvarritje, në të kundërt reagimi do të jetë i fortë.

“Nëse mazhoranca do të fillojë të rihyjë në lojën e zvarritjeve, pasi në fund të 2019 e zvarriti procesin e Reformës Zgjedhore, ne do të shikojmë opsionet tona dhe të jeni të bindur se protestat do të jenë mjeti më i sigurt për t’ju përgjigjur atyre në përpjekjet që do bëjnë për të zvarritur procesin e përfundimit të Reformës Zgjedhore”, deklaroi ai.

Spaho shton se kur reforma të përfundojë, opozita e bashkuar pret zgjedhje të parakohshme.

Në tryezën e reformës, PD do të paraqesë edhe propozimin që një qeveri kujdestare, që të administrojë procesin zgjedhor.

“Deri sa vendi të anëtarësohet në BE, 2-3 muaj përpara zgjedhjeve të krijohet një qeveri kujdestare, e cila t’ju sigurojë palëve asnjanësinë dhe zgjedhje me besueshmëri” përfundoi ai.

Të fundit