Flash News

OP-ED

Trampi-Vojvoda i Nju Jorkut

Trampi-Vojvoda i Nju Jorkut

Boshko Jakshiç/ gazeta “Politika”

 Çfarë po ndrit atje në Nju Jork, janë balluket e Donaldit,

Oj Donald balluket shtriji, Amerikë ngré flamurët,

Amerika e Hilarit nuk është më, atje Donaldi zemërak bajrakun valvit,

Dëgjoni vëllezër këmbanat e Hilandarit, Uashingtonit po i vjen Trampi,

Nëpër grykat  dhe shkrepat e Teksasit, përgatitet goditjen Trampi,

Donaldi do të ngrejë beden me Meksikën, po i dridhet shubara në kokë,

Mbi shubarë Trampi ka vënë lule, muslimanët nuk ka për t’i duruar,

Trampi dhe Putini dy shokë të mirë, Trampi dhe Putini dy Carë botërorë.

Trampi dhe Putini lirinë do të na e sjellin, do t’ia sjellin tërë njerëzimit,

Për racën njerëzore do të vijë liria, do e sjellë Vojvoda i Uashingtonit,

Oj Donald që fshehur mban rrobë çetnike, çdo çetnik jetën ty ta ruan,

Nëse Donaldi do të ketë fat, Drina* nuk do ta ndajë më Serbinë.

Nëse Donaldi do të ketë dëshirë, Serbia do të ecë për mirë.

(Përkthim i lirë i një kënge serbe me lahutë në stilin epik të vitit 2016.)

 

Me këto mesazhe një lahutar i ekzaltuar serb me kokardë (Kokarda-shenjë dalluese e çetnikëve. Përkth.) ndoqi ditët e fundit të zgjedhjeve presidenciale amerikane të nëntorit të vitit 2016, pas të cilave SHBA-të zgjodhën presidentin e 45-të.

Një numur i madh patriotësh ishin gati të magjepsur me biznesmenin amerikan. Ishte krejt i mjaftueshëm fakti që ai fitoi kundër Hilari Klintonit të urryer, e cila, sipas intepretimeve të nacionalistëve të këtushëm, ishte e vetmja shtrigë e Salemit që kishte mbetur gjallë.

„E hodhi atë shtrigë në gropën septike!“, komentoi tejet i lumtur Vojisllav Shesheli i cili më herët po atë vit u pati bërë thirrje serbëve në SHBA të votonin për kandidatin republikan. „Votoni për Trampin, votoni për të ardhmen e Serbisë!“

Jam shumë i sigurtë se në atë kohë Trampi nuk mund të gjente në hartë se ku ishte Serbia, e lë më pastaj Kosova.  Por ishin të kota paralajmërimet se rajoni është në periferi të interesave amerikane dhe se raporti amerikan ndaj shteteve të vegjël është si puna e tankerit, e ndryshon me vështirësi drejtimin.

SHBA-të i përmbaheshin qëndrimit se Ballkani Perëndimor i zgjidh vetë shumicën e problemeve deri atëherë kur administrata e kuptoi se duhet të ndërmarrë diçka për të bllokuar ndikimin në rritje të Rusisë. Amerikanët u angazhuan që Mali i Zi të hynte në NATO, që në Shkup të vijë në pushtet formacioni i cili ishte i gatshëm për marrëveshje me Greqinë në lidhje me konfliktin për emrin, dhe me këtë edhe përshpejtimin e rrugës drejt NATO-s.

Beogradi zyrtar fshehtazi mëkonte shpresën se Uashingtoni, krahas Moskës, ndoshta do të ndihmojë që të lëvizë BE-ja e plogët. Shefi i diplomacisë serbe në mesin e vitit 2018, propozoi që të mblidhen gjysëm milion dollarë për të gjetur dikë që të ketë akses te Trampi para se te ai të arrijë Presidenti kosovar Hashim Thaçi.

Pastaj, Presidenti amerikan me letrat e dhjetorit të vitit 2018,  drejtuar Vuçiçit dhe Thaçit, paralajmëroi angazhimin në qerthullin kosovar duke i bërë thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të mos e humbasin „shansin historik“ për të normalizuar raportet mes tyre dhe kësisoj t’ia hapin rrugën vetes deri te livadhi me bar para Shtëpisë së Bardhë.

Ministri Daçiç i’a ktheu me mesazhin duke thënë se do të organizojë diasporën serbe në SHBA për të mbështetur Trampin, ndërsa Vuçiçi herë pas here ia rinovon ftesën për të vizituar Beogradin.

Dy emisarë amerikanë kanë marrë detyrime ballkanike: Metju Palmerin e ka dërguar Departamenti i Shtetit për tërë rajonin, ndërsa Riçard Greneli është bërë i dërguari special i Trampit ekskluzivisht për Serbinë dhe Kosovën.

Dialogu i Brukselit gjatë gjithë kësaj kohe ishte në gjendje hibernacioni, ndërsa taksat doganore 100% që vendosi Prishtina për mallrat nga Serbia gozhduan çdo përpjekje për rigjallërimin e tij.

Pushteti i këtushëm nuk e fshehu kënaqësinë se amerikanët dëshirojnë të bisedojnë- gjë që, sipas tyre, ishte shenjë se kanë hequr dorë nga mbështetja e gozhduar e pavarësisë së Kosovës. Por, me kalimin e kohës u bë e qartë, edhe ajo që duhej të ishte e qartë për shkruesit e titujve të tabloidëve: çdo Pax Amerikana nënkupton zgjidhje që bazohet në njohjen e Kosovës nga Serbia.

Vuçiçi thotë se e di se çfarë e pret, e kësisoj opinionit publik i ofron frazën e formuluar kështu: “E di saktë se si do të vinë punët- se ne do të na vënë përpara diçkaje që nuk do të mund ta pranojmë, dhe nga ana tjetër, që nuk do të guxoni ta refuzoni”. Nuk ka këtu kurrfarë urtësie profetike. Amerikanët nuk janë të vetmit që paralajmërojnë se nuk ka rrugë europiane për Serbinë pa “njohje të dyanshme”.

Pastaj Presidenti ia hedh fajin popullit që nuk deshi të pranojë planin e tij. “Nuk pranuat, atëherë do të keni një zgjidhje shumë më të keqe të cilën nuk do ta pranoj unë”, porosit gati i fyer Vuçiçi.

Është e saktë se opinioni publik është për status quo-në, kështu thonë anketimet, por populli nuk e ka refuzuar idenë e ndërkufizimit, sepse nuk e ka pyetur kush. E refuzoi Europa, më së pari Gjermania. Tani edhe Greneli mohon se SHBA-të mbështetin planin për shkëmbimin e territoreve.

Thirrjet “Tramp Srbine” janë zhdukur tashmë nga faqet e para të titujve të tabloidëve. “Nacionalistët patriotë” serbë kanë hequr dorë nga lavdërimet për presidentin amerikan, të cilin, prit pak, ta akuzosh se po shkel sovranitetin, integritetin dhe tërësinë territoriale të Serbisë: bombat e NATO-s dhe paratë nga Brukseli kurrë nuk munden dhe nuk do ta ndryshojnë faktin se Kosova është Serbi.

Serbia është mes kudhrës dhe çekanit. Uashingtoni është për atë që problemi të zgjidhet sa më shpejt, ndërsa Moska na rekomandon se nuk është nevoja të shpejtohemi.

Politika amerikane në lidhje me problemin kosovar ndryshon në mënyrë pragmatike por edhe kozmetike në krahasim me revolucionin e pritmërive në rritje të nacionalistëve serbë.

Kaq për perceptimet e këtushme të politikës dhe diplomacisë globale të para tre viteve e gjysëm.

Vojvoda i Nju Jorkut nuk ka ndërmend t’ia kthejë Kosovën Serbisë. Për fat të mirë.

*Drina-lumi që ndan Serbinë me Bosnjën-Repubilka Srpska.

**Përktheu për Politiko.al: Xhelal Fejza

 

 

 

Të fundit