Flash News

KRYESORE

Ardian Vehbiu: Më ka trishtuar fiaskoja e shëndetësisë; edhe Amerika u kap ‘me brekë nëpër këmbë’

Ardian Vehbiu: Më ka trishtuar fiaskoja e shëndetësisë; edhe

Një koleg te Politiko më dërgoi me whatsapp një minilistë emrash, kandidatë për 'Karantina me 5 pyetje'. Janë të gjithë budallenj, i thashë. Ishin emra të njohur të politikës etj., por ‘not worth a damn’ (që nuk vlejnë një grosh) sa i takon mendimit. Mund të thuhet se, si shumë të tjerë në sferën publike, as e kanë fare fakultetin buzëhollë të të menduarit.

Ishte mënyra ime (modeste) për ta mbrojtur hapësirën nga ndotja që shkaktojnë vazhdimisht tipat që flasin shumë, por thonë aspak. Tipat që kanë nam(e) [bashkimi i ‘nam’ me një ‘e’ formon ‘name’ (‘emër’ të anglishtes], por janë një zhguall shëtitës ku rastësia me shakanë e vet ka hedhur pudrën e famës.

Ardian Vehbiu, i heshtur dhe i përunjur si një murg, është ndër ata njerëz të mendimit.

Intervista më poshtë e dëshmon.

Çfarë imagjinoje (të vinte në mend) kur dëgjoje fjalën ‘karantinë’ para se ti (dhe bota) të përballej me Covid-19?

Rrëfime për epidemitë e murtajës në Mesjetë dhe imazhi i anijes që del nga mjegulla dhe i afrohet limanit, me marinarët duke dhënë shpirt. Të keqen që vjen nga deti. Një asociacion dadaist, me “të dyzetat” që i kremtohen të vdekurit – të thuash se edhe ata që ikin nga kjo botë duhen mbajtur njëfarësoj nën observacion për ca kohë…

Cilat janë kufizimet më të mëdha që të ka sjellë karantina? A ka ndonjë plus?

Nuk më le të shoh nga afër njerëzit e dashur për mua. Më shpif një “separation anxiety” – ankthi i ndarjes nga Tjetri. Mes pluseve, sepse ka të tilla, do të përmendja një ri-renditje të përparësive në jetë, të çfarë ngre peshë dhe çfarë jo dhe aq. Shpesh e kam kapur veten në modalitet altruizmi, siç nuk e prisja: më dhemb për të tjerët. Por nuk është se jeta ime e përditshme ka ndryshuar dhe aq dramatikisht – si njeri i penës, unë e kaloj më të shumtën e ditës vetëm, duke shkruar, lexuar, rilexuar. Këto ditë, duke ndjekur lajmet për pandeminë anembanë botës, e kam parë veten më “kozmopolit” se kurrë; teksa, në të njëjtën kohë, kufizimi për të ndenjur në lagje dhe “detyrimi” për t’u çapitur, si i burgosuri në pajtoz, në labirintet e rrugëve këtu afër, që më parë nuk i njihja, më kanë bërë ta jetoj ndryshe lagjen vetë dhe të ndihem më “lokal” se kurrë.

Si mendon se do të ndryshojë bota pas Covid-19?

Shpresoj për mirë. Do të forcohet, besoj, roli i shtetit në ekonomi dhe në mbrojtjen e mirëqenies së qytetarëve. Do të rriten – shpresoj po aq sa infeksionet tani – investimet publike dhe në infrastrukturë; sikurse do të forcohet vetëdija e qytetarisë virtuale, online.

Çfarë të ka bërë përshtypje gjatë kësaj kohe të përballjes me Covid-19: çfarë të ka bërë më pesimist apo optimist?

Mes të tjerash, më ka treguar sa “vdekje” kemi në mes tonë; në kuptimin që mjekësia moderne, me gjithë tërbimet e saj terapeutike dhe “mrekullitë” farmaceutike, na ka stërvitur që të bashkëjetojmë me zombien brenda nesh: tek e fundit, mjekësia gjithnjë ka nevojë për vdekjen, që të riprodhohet si institucion (sa klientë potencialë po ia rrëmben vallë koronavirusi?). Më ka trishtuar zbythja, madje fiaskoja, e konceptit të sotëm për shëndetësinë publike; edhe një superfuqi si SHBA u kap nga pandemia me brekë nëpër këmbë, dhe nuk po gjen dot deri as maska për t’ua dhënë mjekëve dhe infermierëve që përballen me virusin. Më ka bërë të ndihem pak optimist “ftohja” e ekonomisë globale, qethja e teprive të ndyta dhe shfryrja e asaj tenxhereje me presion të tej-tendosur, ku e kish katandisur planetin globalizmi.

Si ka shkuar koha gjatë karantinës: mund të përshkruash ditën tipike në izolim? Cilët filma dhe libra do të sugjeroje për karantinën?

Në NYC, ku jetoj, nuk ka karantinë, por vetëm një imponim të distancimit social. Unë ende mund të dal dhe të shkoj për të shëtitur në parkun e madh që kam afër (Prospect Park). Nuk hipi më në metro, nuk përdor transportin publik, nuk shkoj në dyqan – por sa kam humbur kështu? Më pikëllojnë qepenat e ulur të dyqaneve, bareve, kafeve, restoranteve, librarive në lagje – sikurse më pikëllon pista e zbrazët e patinazhit dhe këndet e zbrazëta të lojërave për fëmijë në park. Më merr malli të shoh një autobus shkolle, bojëportokalli, në rrugë. Një ditë më çuan këmbët afër kopshtit zoologjik në Brooklyn tashmë të mbyllur për vizitorët dhe atje më zuri syri, përmes kangjellave, një luan deti, qafëdhjamur, që llapashitej i vetëm, në hauzin ornamental. Nuk di pse, kjo pamje ma përcolli lakuriqe ndjesinë e këtyre ditëve. Sa për librat dhe filmat e karantinës, do të sugjeroja: provoni të kaloni ca kohë me librat dhe filmat që i pëlqejnë partnerit tuaj.

©Politiko.al

Intervista të tjera të Pyetësorit 'Karantina me 5 pyetje' 

 

Të fundit