Flash News

E-TJERA

"Drejtësia po e kalon cakun"/ Mjekët e Traumës sërish në protestë: Bluzat e bardha s’mund të mbahen në birucë me ata që vrasin

"Drejtësia po e kalon cakun"/ Mjekët e Traumës

Për të dytën ditë radhazi, mjekët e Spitalit të Traumës kanë dalë sërish në protestë për arrestimin e dy kolegëve të tyre Ervin Sulaj dhe Serdi Memimi, të cilët akuzohen për korrupsion pasi dyshohet se kanë marrë ryshfet për operacionin e 17-vjeçarit Elmidin Dylit, që u plagos në masakrën e Velipojës. Dyshohet se Fatbardh Dylit, i ati i 17-vjeçarit të plagosur, iu ka dhënë si ryshfet dy mjekëve shumën prej 377.000 lekë të rinj dhe 55 euro, për operimin e të birit.

Bluzat e bardha pretendojnë se dy mjekët mbahen në arrest me burg pa pasur asnjë provë. 

Mjeku Gent Stroni në një prononcim për mediat tha se mjekët nuk mund të mbahen në burg deri në momentin e gjetjes së provave për dënimin e tyre, duke theksuar se nuk mund të mbahen në një birucë ata që vrasin dhe ata që shërojnë, për sa kohë nuk është provuar ende akuza ndaj tyre.

Ai deklaroi se drejtësia po e kalon cakun dhe se kërkoi që të mos bëhet gjyq popullor ndaj mjekëve.

“Të mos bëhet gjyq popullor për mjekët. Të gjenden prova dhe pastaj të mbahen në burg. Drejtësia po kalon cakun e të drejtave qytetare. Mos harroni që problematika ekziston që këta mjekë janë një forcë pune, një aset i mjekësisë, të cilët janë të gatshëm të bëjnë opracion cdo ditë.

Mos harroni dhe tjetrën që pas Luftës së Dytë Botërore mjekët që ishin kriminelë kishin kryer eksperimente me trupin e qytetareve nuk i arrestuan e as i dënuan por i çuan të punonin. Ne këtu kemi mungesa mjekësh e i fusim në burg pa pasur prova. Ja ku kemi nga historia një mënyrë ku mund të referohemi.

Po mbahen të burgosur dy persona që nuk e kanë vendin aty, nëse drejtësia e vërteton, kushdo nga ne duhet të merret me drejtësinë nëse mendon që është bërë një akt korruptiv por deri sa të vërtetohet ky person s’ka rrezikshmëri sociale, atëherë pse mbahet në burg?

Pas kësaj marrja apo dhënia e mendimeve individuale e secilit prej nesh nuk përbën pjesë të sindikatës. Gjatë ditës së djeshme ka pasur mendime të ndryshme. Ne jemi zyrtarisht këtu me deklaratën që ne kemi. Me qëllim që të mos ketë keqinterpretime të publikut. Sindikata po bën një punë për të bërë të mundur ndërgjegjësimin në qytetet të tjerë. Duam të tregojmë që deri në momentin e gjetjes së provave mjekët të mos qëndrojnë në burg. 

Nuk janë kriminelë. Nuk mund të qëndrojë në të njëjtën birucë edhe ai që e ka vrarë personin edhe ai që e shëron. Ne marrim mendime të anëtarësisë. Vendimi do jetë kolegjial. Kjo do jetë hap pas hapi. Ne dje u mblodhëm për të vetmin fakt që të solidarizohemi me ata mjekë që në mënyrë abuzive të mbahen në burg. Ne u mblodhëm për të vetmen gjë, një përkrahje dhe zgjidhjen e problemit.”, tha mjeku Stroni.

 

Të fundit