Flash News
E rëndë në Krujë/ 42 vjeçarja futi në qese dhe hodhi në lumë foshnjën e porsalindur në shtëpi
Presidenti Begaj dekreton ligjin për zonat e mbrojtura
Mbytet në ujin e shatërvanit një i mitur afgan në Shëngjin
“Minuan sundimin e ligjit”, DASH shpall ‘non grata’ tre zyrtarë të lartë në Ballkan
Akuzohet për 4 vepra penale/ SPAK nis hetimet ndaj drejtorit të Tatimeve, Ceno Klosi
A mund të jenë heronj, martirët e 'fe dhe atdhe' dhe sigurimsi që i vrau!?
Alfred Lela
Me rastin e vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri, vjeshtën e para pesë viteve, një nga 'salutimet skenografike' për Atin e Shenjtë ishin portretet e përvujtuna të martirëve të Kishës katolike të vrarë nga komunizmi, varur në të gjithë gjatësinë e Bulevardit të Madh të Tiranës.
Ishte një gjetje simbolike dhe figurative bashkë. Duhet thënë se, pritja e kreut të Kishës katolike romane ishte përgatitur me kujdes, dashuri dhe shije. Në të u bashkuan, jo vetëm devocioni perëndimor i shqiptarëve, i përfaqësuar në shumë raste nga një pëzierje e tolerancës laike dhe vlerave të krishtera, por edhe përshpirtja për të persekutuarit e komunizmit në Shqipëri ndër radhë të katolikëve, klerikë ose besimtarë.
Thikën më të mprehtë dhe rrëkenë më të gjatë të gjakut ndër komunitetet fetare, duhet stërthënë, e morën katolikët e Shqipërisë. Ajo ekspozitë 'qiellore' në 'tavanin' e bulevardit ishte një dëshmi se Shqipëria dhe qeveria e saj e pranonin këtë, dhe me anë të kësaj përshpirtjeje kërkonin falje para vetes, para Papës dhe para Zotit.
Kujtesa është e rëndësishme për strukturën e një kombi, një atu që shqiptarët nuk e dëshmojnë shpesh. Mund të thuhet se ne jemi më së shumti harrimtarë të historisë, përsëritës të këqij të saj dhe të shkujdeshëm para mësimeve të kësaj nanlokeje të madhe.
Kjo duket edhe në vigjilje të një tjetër feste, 17 nëntorit, ditës së (ç?)lirimit të Tiranës nga forcat gjermane. Bulevardi do të pajiset sërish me portrete heronjsh, por kësaj radhe jo të anti-komunizmit, por të komunizmit. Këtu duhet bërë një ndarje e qartë: Shqipëria i ka dhe duhet t'i pranojë heronjtë e idesë komuniste, idealistët e fundviteve '30 deri në mbarim të Luftës së Dytë Botërore. Ata që ushtruan pushtetin pas luftës, spastruan jo vetëm nacionalistët, por edhe një pjesë të mirë të komunistëve që nuk u dakordësun me mënyrën si u shndërrua ideja që ata kishin për komunizmin. Kështuqë, heronjë e komunizmit dhe ata të anti-komunizmit nuk janë domdodoshmërisht në antipod.
Krejt e kundërta nëse si heronj përlëvdojmë ata që kanë vrarë kundërshtarët politikë dhe ideologjikë në emër të komunizmit; që kanë mbjellë luftë vëllavrasëse në emër të një dogme që vinte nga Bashkimi Sovjetik apo Jugosllavia dhe fliste në emër të pushetit, jo të ndërtimit të shtetit dhe kombit. Në këtë rast oficerët e Sigurimit, hetuesit e organeve të Punëve të Brendshme, ekzekutorët e shqiptarëve, nuk mund të jenë në listën e heronjve. Le të jenë ata në kujtesën e të devotshmëve, por jo edhe në Bulevard, jo edhe në paradat dhe përkujtimet shtetërore.
Është sakrilegj i një lloji të veçantë që, si etërit katolikë të torturuar e të vrarë barbarisht, si torturuesi dhe ekzekutori i tyre, të jenë njëlloj të trajtuar. Kjo do të thotë, as më pak as më shumë se, me portretet e martirëve të katolicizmit vetëm sa i hodhëm hi syve Papës, por nderimin tradicional e ruajmë ende për Nuri Luçin dhe të ngjashmit e tij të forcës famëkeqe të Sigurimit të Shtetit.
Organizatorëve të asaj dhe kësaj parade nuk u bën nder kjo mbivendosje. Për të mos thënë se u hedh në erë dekorin dhe seriozitetin.