Banaliteti i ‘Rama ik!’ në stadiumin ‘Ave Rama!’

Alfred Lela

Të dielën, Kombëtarja e futbollit pati rastin që ta blatonte me një rezulat pozitiv stadiumin e sapohapur. Kuqezinjtë u mundën 0-2 dhe nuk ishte humbja as vizita e kampionëve të botës, Francës, që i përkufizoi polemikat për ndeshjen e djeshme.  Stadiumi i ri ka lindur nën shenjën e polemikës.

Fërshëllimi i Marsejezës, një gjest që nuk se ndodh në stadiumet shqiptare me himnet kombëtare të vendeve të Perëndimit, u interpretua në dy mënyra. Reagimi i tifozerisë për ngatërrimin e himnit të Shqipërisë në ndeshjen e parë mes dy ekipeve, njëherë me Andorën dhe pastaj me Armeninë dhe, një ‘dis’ për Makronin që i tha ‘Jo’ çeljes së negociatave.

Ky formulimi i dytë i përket llojit të romantikës politike, duke qenë se Makroni nuk ishte i pranishëm; por, edhe nëse stonon nën këtë interpretim, ai përplaset me një tjetër episod që ndodhi të njëjtën natë, në të njëjtin stadium.

Por ka domethënie krejt tjetër politike dhe e rrëzon kuptimin e dytë që iu dha fërshëllimave për himnin francez.

Çka tjetër veç thirrjeve në kor “Rama ik!” që e ngritën peshë opozitën dhe mbështetësit e saj, të cilët mu këtu e panë fitoren e Shqipërisë mbrëmë, te ‘disidenca’ në stadium.

Gjithsesi nuk mund të rrinë të dyja; politikisht, stadiumi nuk mund të jetë me ‘dy qëndrime’ të ‘sulmojë’ Francën në mungesë të Makronit se mbylli derën e negociatave, dhe po ashtu t’i gërmushet edhe Ramës në tribunë, autorin e kësaj mosçeljeje sipas opozitës.

Te kjo imtësi nuk se qëndron shqetësimi i këtij editoriali.

Lidhet me një kontrapunkt tjetër që, më shumë se politikën shpjegon shoqërinë në përgjithësi. Me atë se, çfarë kuptimi apo domethënieje të rezistencës apo protestës ndaj kryeministrit kanë koret ‘Rama ik!’, mu nën strehën e atij vendi që të gjithë kundërshtarët e tij e kanë pagëzuar si sinonim i korrupsionit qeveritar dhe personal të kryeministrit?

M’anë tjetër, a nuk ndiheshin, me praninë në stadium, legjitimues të atij korrupsioni të gjithë çka ishin aty (hiq ata të tribunës qendrore, sepse kuptohet se qenë kryesisht pjesë e zhganit qeveritar).

Përpjekja për ta delegjitimuar Ramën duke i bërë thirrje për ikje, ndërkohë që i legjitimon produktin, festën dhe ftesën është të thuash diçka ‘sa për të larë gojën’. Refuzimi i stadiumit, ndeshjes, festës dhe ‘përdorimi’ nga Rama, do të kishte qenë një shenjë në arsenalin e protestës popullore.

Edhe pse mund të vinte me shpenzime personale: duke i blerë biletat, por duke mos shkuar dhe duke i lënë bosh vendet në stadium. Të shkosh në një festë të paprishshme dhe të bësh gjasme se do ta prishësh është një lojë kalamajsh.

Stadiumi i ri kombëtar, me idenë, ngjyrat, dizajnin, e gjithçka tjetër është, nga fillimi në fund, një vepër e kryeministrit, një blatim i tij për veten. Një ‘komplot’ i Ramës kundër idesë së publikes. Kryeministri nuk konsultoi kënd, nuk mbajti dëgjesa, nuk mori parasysh konceptin e specialistëve se një stadium i ri aty ndërfutej në kompleksin e ‘themeluesit’ të qendrës së Tiranës. Kështuqë, të shkosh në festë si turmë, si popull dhe të kërkosh të kthehesh në publik, me një oponencë butaforike thirrjesh pa grat, nuk ke bërë asgjë veçse ke dëshmuar naivitet ose ke luajtur shejtan-budallain.

Sa i takon publikes, nuk ke kontribuar me asgjë në të, veçse ke shënuar në librin e saj të përshtypjeve fjalën ‘banalitet’.