Flash News

OP-ED

'Bindja' mund të jetë e re, por huqi politik... sa i vjetër!

'Bindja' mund të jetë e re, por huqi politik... sa i

Alfred Lela

Krijimi i një partie të re politike, përve 'political junkies', të përfshirëve drejtpërdrejt në krijimin e saj, dhe pak frymëve që shpresojnë të nxjerrin ndonjë qar, në një mënyrë a tjetër, i lë shqiptarët në neutralitet.

Audiencat, elektoratët dhe publikët, përveçse janë fragmentuar, janë bërë gjithashtu pjesë e një kombinimi të ri, diçka mes shkujdesjes dhe mosbesimit, që i bën shpresëmëdhenjtë e një force të re politike të gjenden shpejt para prroskash të shterrura të mbështetjes së të tjerëve dhe energjisë së vet.

Përveçse një letargji politike e kohës sonë, ky çrreshtim politik vjen edhe me simptomat e Shqipërisë. 'Forcat e reja' janë shndërruar shpejt në falanga fẻsh dhe bẻsh të vjetra. Tipologjitë e 'kryqëzatave politike' nën flamurin e 'së resë' mund të ndahen në 'të rinjtë e vjetër' dhe 'të vjetrit e rinj'.

Lëvizja Mjaft, e shndërruar më vonë në G99, i përket tipologjisë së parë. Erion Veliaj dhe të tijtë, një grup vajzash dhe djemsh, duke përdorur tejngopjen e publikut shqiptar me 'more of the same' shënuan një rifreskim të aksionit politik, dhe e bënë të mundur këtë jo vetëm me moshën e re, por edhe me freskinë e ideve. Ata ishin atipikë. Deri një ditë kur edhe ata e kthyen kokën e madhe retorike të së resë, progresistes, europeistes, dhe e futën nën bishtin e një skote të vjetër e cila përfaqësohet nga shartimi i pabesueshëm i Gramoz Ruçit dhe Spartak Brahos me Erion Veliajn dhe Elisa Spiropalin.

Pragmatizmi e mori me vete të renë dhe e lidhi mu te gërmadhat e së vjetrës. As u shembën idhuj dhe as nuk ngadhnjeu botë e re; veç u pa një iluzion i vjetër të thahej mu në dorën e bashkuar grusht të ish-Mjaftit.

Tipologjia e dytë, 'të vjetrit e rinj', janë Kreshnik Spahiu, Ben Blushi dhe Gjergj Bojaxhi. AKZ, Libra dhe Sfida patën zhurmën më të gjatë se jetën dhe kredon më të shkurtër se egon e themeluesve të tyre. Secili në mënyrën e vet, triniteti i pashenjtë i pretendimit politik juventin (në kuptimin e së resë, jo ekipit të preferuar të kryeministrit), ishin setra të vjetra, ose të paktën të një stine të kaluar, që u dhanë në pasarelën politike të Tiranës me premtimet  për një pranverë-verë.

Kësaj tipologjie të dytë i përket edhe Astrit Patozi me forcën e re politike 'Bindja Demokratike'. Një ndër eksponentët e lartë të Partisë Demokratike, ai e pa veten jashtë listave dhe thuajse jashtë jetës politike në prag të zgjedhjeve të 2017, kur kryetari i demokratëve nuk e përfshiu në garë. Një mik i të ndjerit Olldashi, Patozi duket se vjen edhe si pasues politik i tij. Ai do të ketë kundërshtarët politikë dhe, me sa duket, më të shumtët në gjirin e së djathtës, por pyetja është 'a mund të krijojë ai mbështetësit?' duke qenë se kundërshtarët, në një terren politik si i Tiranës, janë një gjë e sigurt.

Ku do t'i gjejë ata? Ndër 200 mijë demokratët që nuk 'figuruan' në numërimin e zgjedhjeve të fundit parlamentare, te elektorati gri që po kërkon një forcë të re, apo te 'bujaria' e Edi Ramës, që do të bëjë çmos e çnuk për të krijuar iluzionin e një opozite të re dhe një normaliteti demokratik pas largimit të opozitës zyrtare nga sistemi?

Patozi do të ketë një grup parlamentar në formën e Rudina Hajdarit dhe Myslim Murrizit, por asnjë shpresë se ata do të jenë politikisht të referueshëm. Deri më tash dy ish-deputetët e PD, që nuk pranuan 'të digjeshin', kanë qenë 'talking heads' të një aksioni politik pa kokë dhe asnjë e ardhme nuk mund të mbështetet në retorikën e tyre.

Shpejt z. Patozi do të kuptojë edhe dënimin që i vjen nga një paradoks politik. Ndërkohë që mazhoranca do të jetë hedhur në fushatë elektorale, edhe opozita zyrtare do të jetë në amortizatorin e vëmendjes publike me 'anti-fushatën' e saj. 'Bindja' dhe gjithë çfarë formacionesh që do të vetëquhen 'opozitare' do ta shohin veten duke i folur një publiku inekzistent, një populli që sipas tyre duhet të shohë përtej forcave të vjetra, PD dhe PS, dhe të konsiderojë ata. Do të jetë një 'fushatë daneze'.

Vëmendja do të jetë sërish te 'mamuthët' politikë, ndërsa ndeshja e një forme krejt tjetër. Pamja do të hapet para syve të krerëve të 'Bindjes' si mirazhi i një krahasimi: Rama dhe Basha do të jenë duke luajtur 'Vaterlonë' e tyre politike, një megabetejë që do të thithë të gjithë sytë dhe të gjithë historinë, ndërsa 'opozitat e reja' në përpjekjen për të fermentuar betejë jo me ndjekës, por  me 'farë kosi' të marrë hua te Rama, nuk do prodhojnë më shumë se zhurmën e një 'shoot out-i' në geto.

Por ky është vetëm një hamendësim dhe, ndoshta, kësaj here, fati nuk do jetë në kërkim të tipologjive të vjetra, por talenteve të reja.

 

Të fundit