Flash News
Si e toleroi Ceno Klosi kompaninë e inceneratorëve, negociatat e dyshimta për miliona euro
Flet Abazoviç: Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE
Pas arrestimit të Berberit, Rama emëron drejtorin e ri të Autoritetit Rrugor Shqiptar
Përfshihet në flakë një apartament te bulevardi ‘Zogu i Parë’ në Tiranë
Berisha: Ishim opozita e parë që kërkuam anëtarësimin në NATO pas rënies së komunizmit
nga Vladimir Gligorov
Haringat e thara
Në fund të filmit „The Long Good Friday“, të xhiruar në vitin 1979, pra në fillim të erës së Zonjës Theçer, Haroldi i thotë Çarlit se Anglia është në Tregun e Përbashkët dhe se ai do të hyjë në biznes me gjermanët, sepse, amerikanët janë në komá, dhe pastaj merret peng nga Ushtria Republikane Irlandeze. Boris Xhonsoni i thotë BE-së se do të kthehet nga Amerika nëse nuk arrihet marrëveshja për kufirin irlandez.
Zonja Theçer ishte jo popullore, Zoti Xhonson, ose BoXho-ja, gjithashtu. Ajo për shkak të neoliberalizmit, ai për shkak të oportunizimit. Për Theçerin nuk mund të thuhet se nuk mendonte për atë që fliste, ndërsa për Xhonsonin ende nuk dihet nëse mendon për atë që flet. Për vite të tëra BoXho-ja shkruajti për BE-së duke mos e vrarë mendjen shumë nëse ajo që shkruante është tamam ajo që mendonte. Vetëm para pak ditësh akuzoi Brukselin se po rregullon, krejt kot dhe shtrenjtë, problemin e harinagave të thara që eksporton Ishulli Man. Megjithëse ky ishull nuk është pjesë e BE-së, ai eksporton haringa në Britani sipas standardeve të saj. Madje prej vitesh dhe me sukses gjithnjë e më të madh.
Kjo nuk është shpikja e tij. Sa e sa herë më kanë shpejguar, sëpaku mua, burokratizmin e BE-së, që gjithsesi nuk është temë që nuk mund të mos hajë diskutim, me shembullin e bananeve që duhet të jenë të një madhësie dhe forme të caktuar. Për të mos folur pastaj, mjaft popullor në kuadrin e Serbisë, për shembullin e tmerrshëm të BE-së që synon të rregullojë, le të themi, sesi presidenti i dikurshëm serb duhet të ziejë rakinë (aluzion për debatin që pati me zyrtarë të BE-së ish presidenti serb Tomisllav Nikoliç i cili njihet si prodhues privat i rakisë tradicionale serbe-shlivovica të cilën e quan „tomovica“- shën. i përkth). Këto shkrime të BoXho-së ishin mjaft popullore. Madje ai nuk ishte i vetmi në publikimin e kësisoj të pabërave.
Por e gjitha kjo nuk ka rëndësi. Nuk u bë Kryeministër i Britanisë së Madhe me këto shkrime. As edhe vendimi i referendumit për braktisjen e BE-së nuk u mor për të mbrojtur haringat e thara. Gjithsesi, aftësitë demagogjike të BoXho-së janë të papara. Prirja për demogaogji dhe mosmarrja e kurrfarë detyrimi ndaj fakteve, krahas gatishmërisë për t’i përdorur ato për të ardhur në kreun e pushtetit, llogaritet se do të duhej ta ndihmojë në atë që BoXho-ja duhet të bëjë- ta nxjerrë përfundimisht vendin nga BE-ja.
Por nuk është ky shkaku që ai erdhi në pushtet.
Kriza e pavendosmërisë
Arsyet janë dy. Që të dyja shumë më të rëndësishme nga karakteri politik i zoti Xhonson. Një gjë janë kushtet në të cilat ai është zgjedhur, dhe tjetër gjë është ajo që duhet të pasojë kur Britania të braktisë tregun e përbashkët.
Britania është në një krizë parlamentare të tejzgjatur. Bëhet fjalë për një krizë pavendosmërie. Pikërisht kjo krizë ishte shkaku se përse u shpall referendumi për antarsimin në BE, dhe u përforcua këto tre vitet e fundit për shkak të mosekzistencës së unanimitetit për braktisjen e Unionit. Mënyrat demokratike të zgjidhjes së krizës- zgjedhjet e parakohshme ose ndonjë referendum i ri- nuk i shkojnë për shkak partisë në pushtet. Ekziston frika se mos partia e sapoformuar Brexit u merr votat, e kësisoj thellohet ndarja në parlament ose edhe sepse opozita mund të vijë në pushtet.
Këtu është e nevojshme të dallojmë dy gjëra. Njëra, se parlamenti është i pavendosur sepse nuk ekziston shumica për asnjë prej ecurive të mundshme, gjë që është, sikurse thuhet, se, nga ana tjetër, ekziston shumica për secilën ecuri. Gjë që është pothuajse definicioni i krizës parlamentare. Qeveria, gjithsesi, mund të sigurojë çfarëdo ecurie që dëshiron, nëse parlamenti nuk ia merr asaj të drejtën për të kontrolluar rendin e ditës. Në rastin konkret, Britania do ta braktiste BE-së nëse qeveria do të ishte e aftë që thjesht të fuste në rendin e ditës kushtet për të cilat kjo braktisje mund të kryhej. Ose, thënë ndryshe, sikur parlamenti të shfuqizohej sëpaku për çështjen e Brexit-it, dhe ndoshta edhe në përgjithësi, të themi ky parlament të shpërndahej dhe të mos formohej derisa BM të mos gjendej jashtë BE-së. Gjë që, sigurisht, mund të përsëritet sa herë të jetë nevoja.
Gjëja e dytë që duhet patur në mendje është se për sistemin britanik zgjedhor për shumicën (fiton ai që ka më shumë vota sesa të tjerët, dhe jo ai që ka më shumë se 50% të votave), më mirë është që të hyhet në marrëveshje koalicioni para zgjedhjeve, dhe jo pas tyre. Kjo sepse nëse ndahen votat e partisë Brexit dhe të konservatorëve nga njëra anë dhe të demokratëve liberalë dhe të të gjelbërve nga ana tjetër, rezultati mund të jetë që shuimcën e vendeve në parlament e fiton ajo parti e cila, le të themi, fiton jo më shumë së dy të tretat ose akoma më pak vota. Megjithëse jo me më shumë se gjysmën e votave në parlament, në rastin kur pavendosmëria nuk zgjidhet me zgjedhje, përsëri mund të mos ekzistojë shumica për asnjërën prej ecurive. Natyrisht, gjërat mund të ecin ndryshe nëse një prej partive është e gatshme të hyjë në koalicion para zgjedhjeve, ndërsa tjetra mbetet e ndarë. Atëherë është e mundshme të fitohet shumica, madje më shumë se shumica.
Këto janë rrethanat kur pavendosmëria mund të shpjerë në zgjidhje jodemokratike të krizës parlamentare. Njëra është që pushteti t’i jepet një drejtuesi të vendosur. Gjë që është pak a shumë ecuria që synohet me fronëzimin e Boris Xhonsonit. Strategjia është kjo: përfaqësuesi i qeverisë në parlament, zoti Riz-Mog, do të duhet të mos lejojë çfarëdolloj vendimi me të cilin mund të ndryshohej ligji ekzistues mbi braktisjen e BE-së, përfshirë edhe atë për të cilin parlamenti mund të shtyjë përsëri datën e daljes. Kësisoj parlamentit i mbetet vetëm të rrëzojë qeverinë dhe të shpallen zgjedhje të reja. Në këtë rastin e dytë BoXho-ja do të duhet të fitojë mbështetjen e votuesve të partisë Brexit, ndërsa Laburistët dhe liberal-demokratët të ndajnë mes vedi votat e mbetura, Konservatorët do të siguronin shumicën me në krye BoXho-në. Rreziku mbetet se mos opozita bashkohet, dhe në këtë rast mund të sigurojë shumicën parlamentare.
Thirrje për patriotizëm
Për shkak të kësaj mundësisë së fundit është me shumë rëndësi që BE-ja, pikërisht ai Brukseli burokratik që komploton kundër haringës së tharë dhe bananeve me formë të parregullt, për të mos folur pastaj për rakinë e kumbullave- të fajësohet për pamundësimin e një ndarjeje me marrëveshje. Kjo do të sigurojë votat shtesë të patriotëve. Të cilët duhen inkurajuar me premtime mbi investimet dhe subvencionet në pak a shumë gjithçka, ose më mirë të themi për të gjithë. Rrugët, trenat, shkollat, shëndetësia, peshqit dhe dhentë, madje edhe industria- do të gjenden paratë për të gjitha. Por nuk do të duhet të shkohet në Bruksel. Por do të ketë tregje, në Amerikë para të gjithave, dhe natyrisht edhe në mbarë botën.
Për çështjen irlandeze as që duhet menduar, siç edhe nuk është menduar aspak para referendumit kur agjitohej për braktisjen e BE-së. Sepse BE-ja ka për ta lëshuar Irlandën teposhtë ujit. Gjë që do të inkurajonte edhe secesionistët skocezë. Nëse BE-ja do të mbesë solidare me Irlandën, kjo nga ana tjetër do të ndihmonte në mobilizimin e votave të patriotëve. Dhe kësisoj të realizoheshin synimet e BoXho-së. BM-ja do të braktiste BE-në para 31 tetorit pa marrë kurrfarë detyrimesh, patriotizmi do të bashkonte vendin, ose sëpaku një pjesë të rëndësishme të vendit, ndërsa konservatorët do të fitonin në zgjedhjet e parakohëshme, le të themi para Vitit të ri.
Zgjedhje kundërrevolucionare
Përse janë të nevojshme zgjedhjet e parakohshme? Sepse edhe kjo është shkaku i dytë i ardhjes së zotit Xhonson në pushtet, në mënyrë që ai, si kryeministër dhe qeveria e tij të kenë legjitimitetin për transformimin e Britanisë së Madhe europiane në Britani Globale. Gjë që është sipërmarrje revolucionare, ose më mirë të themi kundërrevolucionare.
Nga pikëpamja e mjeteve të nevojshme ata nuk ndryshojnë në asgjë tjetër, vetëm te synimet. Sepse revolucioni ndryshon gjithçka në mënyrë që asgjë të mos mbetet si më parë, ndërsa kundërrevolucioni ndryshon gjithçka në mënyrë që të gjitha të mbeten si më parë. Partia Konservatore ka shkuar deri aty ku asaj, sikurse përllogatitet, vetëm kundërrevolucioni mund ta ndihmojë të qëndrojë në pushtet, ose sëpaku të mbetet një parti që mund të luftojë për rikthim në pushtet. Për këtë nevojitet një ndryshim i madh i gjërave. Përse? Sepse opozita, Laburistët para të gjithëve, do ta kishin më të vështirë që të kthehen në gjendjen paraardhëse të gjërave, për të mos folur pastaj për ndryshimet afatgjata.
Kjo është pak a shumë ajo që pati realizuar zonja Theçer. Realizoi ndryshime që përcaktuan edhe politikën e ardhshme të Partisë Laburiste. Kësisoj Partia Konservatore mundi të kthehej në pushtet dhe të mbetet aty deri në vitin 2010. Për më tej të mbetej një opozitë e besueshme me shanse për tu kthyer në pushtet sepse opozita gjithsesi në një moment të caktuar kthehet në pushtet.
Britania Globale
Ku qëndrojnë ndryshimet? Ato dalin nga nevoja që masat politike dhe ekonomike të harmonizohen me pozicionin e ri ndërkombëtar të vendit. Këtu ka rëndësi kyçe partneriteti me Amerikën. Këtu është e nevojshme të merret parasysh se në masën që antarësia në BE rregullon marrëdhëniet tregtare, dhe ato ekonomike në përgjithësi, me Amerikën, kësisoj edhe marrëveshjet me Amerikën, do të rregullojnë marrëdhëniet me BE-në, gjë që synojnë BoXho-ja dhe pasuesit e Brexit-it. Po e njëjta gjë vlen edhe për marrëveshjet e tjera me vendet e treta, le të themi me Kinën. Tani BM është pjesë e tregut të përbashkët të BE-së, ndërsa pas Brexit-it do të synojë tregtinë e lirë me Amerikën dhe pjesën tjetër të botës. Ky është një ndryshim dramatik në marrëdhëniet e konkurencës, pra në përparësitë komparative. Kjo do të kërkojë ndryshime në standarde dhe në rregullativën tregtare.
Gjithashtu, kjo ka rëndësi të veçantë kur merren parasysh deklaratat për zvoglimin e taksave dhe rritjen e shpenzimeve publike, politika fiskale do të duhet të mbështesë depërtimin në këto tregje të reja. Gjë që do të thotë se kjo rritje e deklaruar e shpenzimeve publike nuk do të realizohet, sepse krahas uljes së taksave do të thotë të rritet deficiti i tregtisë së jashtme, krahas forcimit të mundshëm të funtës dhe me shkallë më të lartë të interesave bankare në mënyrë që të mbështetet inflacioni i ulët. Kësisoj duhet pritur që do të vijë puna deri te librealizimi i tregjeve të punës dhe në vazhdimin e ekulibrimit të financave puiblike, pa marrë parasysh të gjitha ato që premtohen tani.
Synimi është që opozita të vihet para faktit të kryer në mënyrë që të jetë e detyruar të ofrojë alternativa të besueshme në kuadrin e kësaj Britanie Globale ose, thënë ndryshe, në kuadrin e asaj që do ta përcaktojë qeveria konservatore pasi të sigurojë mandatin në zgjedhje kur BM të largohet nga BE-ja. BoXho-ja është pikërisht personaliteti më i përshtatshëm për një gjë të tillë, sepse është mjaft zemërgjërë kur premton, dhe nuk e ka për gjë që këto premtime të mos i përmbushë. Zaten edhe e tërë qeveria që ai ka formuar ka kryesisht këtë koncept për politikën.
BE-ja neoliberale
Duket se kjo strategji politike, në një masë jo të vogël është edhe si pasojë e gabimeve të Laburistëve. Kjo parti gjithsesi duhej të ndryshonte pas largimit të Toni Blerit dhe Gordon Braunit. Por ky ndryshim bazohej vetëm në një retorikë të gabuar, e cila mbi të gjitha rridhte nga prirja që gjithandej dhe në gjithçka shihej si fajtor neoliberalizmi. I cili, medemek i bëhej pengesë masave socialdemokratike, masave të socialdemokracisë së vjetër, siç është nacionalizimi dhe subvencionet shtetërore dhe madje, edhe investimeve shtetërore.
Kjo shihet qartë edhe tani kur BoXho-ja premton investime shtetërore, subvencione, ruajtjen e sigurimit shëndetësor shtetëror dhe në përgjithësi të tërë sigurimit shëndetësor dhe braktisjen e kursimit fiskal, sapo Britania të dalë nga BE-ja. Sikur na qenka antarësimi në BE që na i paska penguar qeveritë konservatore ta bëjnë një gjë të tillë, që nga 2010-a e deri më sot. Po ky gabim është pjesë e ideologjisë laburiste, gjë për të cilën votuan për daljen nga BE edhe shumë votues laburistë në zonat të cilat janë pas deindustrializuar pikërisht për shkak të ndryshimeve që pati bërë zonja Theçer. Kësisoj mbështetësit e Brexit-it fituan me votat e atyre që do të vuajnë akoma më shumë nga politika që do të bëhet pas Brexit-it, në mënyrë të veçantë nga ajo që synon të bëjë BoXho-ja, pa marrë parasysh se çfarë flet e premton në mënyrë qaë të sigurojë edhe Brexit-in edhe fitoren në zgjedhjet që do vinë më pas. Ndërsa laburistët duhet të adaptohen. Njëlloj si edhe atëherë pas ardhjes në pushtet të zonjës Theçer.
Thirr Trampin
Gjithçka nga ato që paraqitëm më lart nuk është ende e kryer, kështuqë tani për tani bëhet fjalë për një projekt në krye të të cilit tani për tani është BoJo the Fish. Ai pret jo vetëm mbështetjen patriotike, por edhe atë amerikane. Megjithatë nuk duhen parë ngjashmëri atje ku nuk ka. Trampi nuk erdhi në pushtet sepse vendi i tij ishte në krizë qeverisjeje, njëlloj si edhe BoXho-ja nuk është racist në kuptimin amerikan të kësaj fjale. Në agjitimin për Brexit-in është shpalosur mostoleranca ndaj emigratëve nga Europa Lindore dhe ndaj refugjatëve, por kjo nuk zgjat si puna e atyre konflikteve racore në Amerikë. Prandaj gënjejnë shumë ata që thonë se Trampi dhe BoXho-ja janë të suksesshëm pikërisht për këtë. Natyrisht, duhet patur parasysh se në Amerikë vitin e ardhshëm janë zgjedhjet dhe nuk është e thënë se Trampi dhe Partia Republikane do të vazhdojnë të jenë në pushtet.
Dhe, kjo ka shumë rëndësi, sepse sadoqë të flitet për atë marrëveshje të padukshme mbi tregtinë mes BM dhe SHBA-ve, nuk është e mundshme që të lidhet dhe të realizohet para zgjedhjeve amerikane. Se çfarë është e realizueshme do të shihet vetëm pasi të fillojnë bisedimet. Si mund të konkurojë sektori anglez i shërbimeve me atë amerikan, për bujqësinë të mos flasim se kjo mbetet për t'u parë. Kur dhe si mund të konkurojë industria britanike me atë kineze në regjimin e tregtisë së lirë, nëse mund të arrihet ndonjë marrëveshje e BM me Kinën për këtë. Kjo e fundit do të varet edhe nga marrëveshja mes Amerikës dhe Kinës.
Në përgjithësi, kjo është deridiku edhe njëfarë digresioni, përparësia që i jep Trampi marrëveshjeve bilaterale tregtare është e pabazuar, por është, nga ana tjetër, edhe e dëmshme për rastin britanik- sepse konteksti multilateral nuk zhduket kurrë. Ndërsa ekonomia amerikane është e madhe, e kësisoj mund të llogarisë, megjithëse kjo nuk është fort e saktë, se na paska një ndikim më të madhe në marrëveshjet bilaterale sesa ato multilaterale, ekonomia britanike nuk e ka këtë luks. SHBA, BE dhe Kina janë ekonomi të mëdha dhe njëlloj sikur të negociohet me ta ose jo, ato janë përherë të pranishme në bisedime. Britania e Madhe ka peshë më të madhe në bisedimet tregtare si antare e BE-së sesa e pavarur. Nëse ndokush beson se Amerika dhe vetë Trampi mund të lidhë një marrëveshje tregtare me Britaninë duke u udhëhequr nga interesat britanike dhe jo ato amerikane, duhet të shohë filmin „The Long Good Friday“.
I cili gjithashtu paralajmëron se nuk është asnjëherë gjë e mirë që britanikët ta harrojnë problemin irlandez.
*Përktheu për Politiko: Xhelal Fejza