Flash News

OP-ED

Dita 13 e karantinës: Pastorale italo-shqiptare

Dita 13 e karantinës: Pastorale italo-shqiptare

Alfred Lela

Ina më dërgon screenshot-in e një lajmi sipas të cilit shteti ku jeton, Virginia, do të jetë në karantinë deri më 15 qershor. Presidentit Trump, këtij Easter bunny politik, iu thye veza e Pashkës: premtimi se Amerika (e tij) do të jetë e hapur për ringjalljen e Krishtit (13 prill). Edhe pse, për ditë me radhë, ngulmonte si Tra(m)p se nuk do t’i karantinonte New York-un dhe shtete të tjera të bregAtlantikut. Për të mos bllokuar ekonominë amerikane, e cila po i afrohet recesionit më shpejt se anijet kozmike kur nisen nga bazat e NASA në Cape Canaveral.

Prilli amerikan do të jetë edhe më i ftohtë dhe i thyer se shirat dhe dilemat në një novelë të Kadaresë.

Italia i bashkohet kësaj not so Brave New World dhe e palos çizmen e hartës së vet me kujdesin e një kostumi Zegnia apo një amaneti garibaldin. Kryeministri Konte i drejtohet kombit me ‘dekretin’ se prilli, me gjithë Pashkë, do të jetë një tjetër muaj karantine. Shefi i qeverisë e shtyn festën për në ditët e para të majit. 3 prilli duket tashmë si gënjeshtër 1 prilli.

Italisë i shkojnë mornica.

Si shenjë se ajo që ka ardhur është jodiskriminuese, politikisht korrekte, duke mos u ndalur para kryeministrave apo princërve, vjen lajmi nga Roma se, një kardinal 66 vjeçar rezulton i prekur. Nuk e di pse tunika e kuqe e ipeshkvit të Krishtit dhe 4D-ja flakëruese e imazhit mikroskopik të koronavirusit bëjnë masë në imagjinatë. A nuk ka qenë kështu për shumë kohë: dualizmi i hyjnores me sataniken, një tërhiq-e-mos-këput i argëtues dhe i përjetshëm?!

Për Edi Ramën, kryeministrin e Shqipërisë, duket se punët po shkojnë mbroth. Në Itali e kanë pritur transferimin e 30 medikëve shqiptarë me më shumë zhurmë dhe ngashnjim se papët apo princët e gadishullit italik prisnin në Mesjetë batalionet e Gjergj Kastriotit. ‘Kryezoti i piarit’ nuk e lë këtë rast t’i shpëtojë. Intervistohet gjithkund këto ditë, që nga emisionet e pafata në TV-të shqiptare e deri te prestigjiozet italiane.

Një koleg më çon një link të një interviste të dhënë për Tuttosport, një gazetë sportive. Asgjë më shumë se sportiviteti nuk kërkohet në këto kohë serioze si vdekja, apo jo!?

Ndërkohë, si i trembur nga lavdia që i ka dhënë identitetit tim shqiptar Rama dhe 30 punonjësit e shëndetësisë, unë dua të kthehem në Shqipëri (a thua se nuk jam rrugëve të botës, me nënën në shpinë, pikërisht për shkak të këtyre ‘shpëtimtarëve?!). Nuk jam gati që italianët, të cilët deri dje do më kishin përçmuar në heshtje si një tjetër albaneze, tash të fillojnë e të më shohin me admirim. Valët e empatisë janë si virozat e stinës: vijnë për të shkaktar një ndjeshmëri dhe çrregullim akut dhe më pas, trupi që del prej këtij agresioni kthehet te normalja e vet kronike duke harruar çdo gjë.

Trupi ka kujtesë të dobët ndërsa mendja të përjetshme.

Dua të kthehem në Tiranë para se të bjerë në zbaticë ky afeksion që nuk më përket, ngaqë është iluzor. Veç kësaj nuk dua që unë, dhe as vendi im, të jetë në të njëjtin klub me kinezët, rusët, kubanezët dhe ‘vafanjakë’ të tjerë që janë bujarë ngaqë nuk kanë gjë për të humbur. Ose për të kujtuar shprehjen pop shqiptare ‘për një plesht e djegin jorganin’. Në këtë rast pleshti është krenaria apo iluzioni se dhembshuria e tyre, si njëherë e një kohë marksizëm-leninizmi, është e vetmja kurë për botën.

Ka edhe një gjë tjetër që më tremb si dreqi: Presidenti amerikan është tulatur. Nuk e thotë, dhe as mund ta presësh këtë nga një kauboj njujorkez, por e kupton në konferencat e tij të shtypit. ‘The Donald’-i i dikurshëm, që e mbante mikrofonin të shtrënguar, si një fëmijë kaushin e akullores, tani është gati ta ndajë me të gjithë foltoren. Ia jep fjalën sa Fauçit, sa ushtarakëve të lartë dhe sa koordinatores kombëtare anti-Covid.

Trumpi është bërë bujar dhe i hapur, madje melankolik, dhe kjo dalje e tij nga roli i bully-it dhe lone wolf-it izolacionist don të thotë se ai di diçka, të cilën unë nuk dua ta marr vesh, dhe kjo më tremb.

Kështuqë, Rama dhe Banana Republic e tij, ku çdo gjë televizohet dhe ku kryetari i Bashkisë, kur shkon për të shpërndarë ndihma ka me vete më shumë shpurë laudatore se sa oriz dhe makarona, më tërheq si bordelloja marinarin e zbritur rishtas në breg.

Po sikur të jetë fundi i botës? Unë për vete nuk dua ta kaloj në një vend serioz si Italia, ku Krishtërimi e ka bërë punën e vet ndarëse: jeta jetohet më vete dhe vdekja vdiset më vete. Në Shqipëri ke qejf o byrazer: gjithçka është një pazar ku ‘gjëja e gjallë’ shkon drejt vdekjes dhe kujtohet për të vetëm kur ajo ka ndodhur.

Nëse vdes, nuk do të më nisin me ushtri drejt krematoriumit, ku këtu të djegin bashkë me disa të tjerë të panjohur. Te ne, nëse nuk ka vend në varrezat e Bashkisë, dikush ta fal përkohësisht fundin e një are.

Aq më mirë nëse aty afër shkruhet, në një tabelë gjytryme, ‘tokë e xanun’. Në fund të fundit, ne të gjithë nuk zëmë më shumë se dy metra që na janë premtuar biblikisht: from ashes to ashes... from dust to dust (nga hiri në hi...nga pluhuri në pluhur).

Dita 12 

Dita 11

Dita 10

Dita 9

Dita 8

Dita 6

Dita 7

Shënim: Dita 7 mungon në Ditarin e Karantinës, jo se e bëra pushim si Zoti, por se është një ditë me ngjarje shumë personale, të cilat nuk jam gati t`i ndaj me të tjerët. Sidoqoftë, 7-a është pjesë e një projekti për një libër. Kurdo të dalim nga kjo kolerë.

Dita 5

Dita 4

Dita 3

Dita 2

Dita 1

Të fundit