Dokumentet e emigrantëve, ambasada shqiptare në Greqi bën njoftimin e rëndësishëm  

Ambasada shqiptare në Greqi ka bërë një njoftim me rëndësi për të gjithë emigrantët që jetojnë e punojnë ne shtetin fqinj.

Ambasada i sqaron shqiptarët që çdo lloj dokumenti që lëshohet në Greqi, duhet të vuloset me vulën apostile dhe më pas të dërgohen e të përdoren në Shqipëri.

Njoftimi:

Çdo lloj çertifikate që lëshohet nga Zyrat e Gjendjes Civile në Greqi (Liksiarchio & Dhimo), si çertfikata lindje, vdekje, familjare, martese etj. vulosen vetëm me VULE APOSTILE në Prefekturat (Periferia) e qyteteve/rretheve nga ku lëshohen dhe dërgohen në Shqipëri në Zyrat e Gjendjeve Civile.

Çdo lloj vendimi i dalë nga Gjykatat greke si dhe prokurat e ndryshme që lëshohen nga Noterë grekë (Simvoleografos), vulosen vetëm me VULE APOSTILE në Gjykatat e qyteteve/rretheve nga ku lëshohen dhe përdoren në Shqipëri.

Vendimet e zgjidhjes së martesave të Gjykatave greke, pasi marrin VULEN APOSTILE dhe dërgohen në Shqipëri, duhet detyrimisht të njihen nga Gjykata e Apelit e Rrethit përkatës në Shqipëri.

Zgjidhjet e martesave të bëra me marrëveshje tek Noterë grekë (Simvoleografos), duhet të pajisen me VULË APOSTILE në Gjykatat e qyteteve/rretheve nga ku lëshohen, dhe më pas njihen direkt nga Zyrat e Gjendjes Civile përkatese në Shqipëri.

Të gjitha dokumentet e lartpërmendura përkthehen në Shqipëri.