‘Drama jonë fillon në vitin 2008’, Kushti i Patozit për të mbështetur Metën: Nëse e plotëson do ia vështirësonte misionin Bashës dhe Ramës

Kreu i BD, Astrit Patozi bie dakord me presidentin Meta, i cili dje duke folur për situatën para negociatave tha se gjendja politike në Shqipëri u rëndua pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008.

Patozi thekson se do ta mbështeste akoma më tepër qëndrimin e presidentit, nëse ky këndvështrim do të shndërrohej në qëndrim zyrtar të LSI-së, duke ja vështirësuar kështu punën edhe Bashës me Ramën.

“JAM DAKORD PLOTËSISHT ME ILIR METËN

Jam dakord plotësisht me Presidentin e Republikës, kur thotë se gjendja politike në Shqipëri u rëndua pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008.
Por do ta mbështesja më shumë në rast se do të shikoja që ky këndvështrim do të shndërrohej në qëndrim zyrtar të LSI-së, si njëra nga partitë kryesore të opozitës.
Do të ishte një kontribut i mirëpritur për kauzën e ndryshimit të sistemit, i cili, sipas meje, është përgjegjësi kryesor për krizën e thellë politike në Shqipëri.
Por mbi të gjitha, mendoj se do t’ia vështirësonte shumë misionin Edi Ramës dhe Lulzim Bashës për ta mbajtur me thonj statuskuonë e listave të mbyllura, si thelbi i një pushteti okult dhe të pamerituar që është keqpërdorur për më shumë se 10 vjet.
Koha i ka dhënë të drejtë Ilir Metës, i cili asokohe ishte në grevë urie për ta kundërshtuar kryetarokracinë, ndërsa unë kam qenë njëri prej atyre që e kanë votuar atë gabim historik, edhe pse nisur nga një qëllim i mirë.
Por politika është dinamike dhe askush nuk mund të mburret për një meritë të dikurshme dhe as të mbajë në shpinë një faj për gjithë jetën.
Jo thjesht ngaqë “koka e falur nuk pritet”, por edhe sepse ka gjithmonë kohë dhe mundësi për t’i ndrequr problemet e shkaktuara nga vendimmarrje të gabuara.
Ka vetëm një kusht për të qenë i besueshëm: që, si ndjesa, ashtu edhe distancimi, duhet të bëhen pa hipokrizi
”-shkruan Patozi.