KRYESORE

Fotot/ Njihuni me ‘China Club Berlin’: 17 mijë euro/personi vetëm abonimi në klubin ekskluziv ku Edi Rama shtroi ‘darkën e gabuar’

China Club Berlin konsiderohet si klubi më ekskluziv në Gjermani, dhe këtë pretendim e gjen që në hapje të faqes zyrtare që ‘të flet’ në dy gjuhë, gjermanisht dhe anglisht. I pozicionuar mes të famshmes Brandenburg Gate dhe Memorialit të Holokaustit, klubi ndodhet në zemër të Berlinit, një prej qyteteve më afluente dhe chic të Europës.

Klubi është ndërtuar për ata që konsiderohen si ‘të përzgjedhurit’ nga bota e biznesit, shoqërisë, kulturës dhe politikës, me një mjedis të përshkruar si global, madhështor dhe kozmopolit.

Themeluesja e klubit është një interior designer gjermane e quajtur Anne Maria Jagdfeld. Bota dhe kultura kineze i ka shërbyer asaj si temë kryesore për klubin ekskluziv.

CHINA CLUB BERLIN është i përbërë nga restoranti, bari, biblioteka, suita private dhe një verandë në çati.

Dhomat e ngrënies janë private (salete) të cilat janë krijuar me mure të lëvizshme për të mundësuar akomodimin e darkave sipas numrit të klientëve.

Suitat kanë emra ‘premtues’ si ‘Konkubina’, ‘Imperial’ apo ‘Taipan’. Muret janë të veshur me mëndafsh.

Gjithë ky luks, shto këtu edhe ekskluzivitetin, përbëjnë arsye të mjaftueshme që të pasurit të jenë gati të paguajnë shuma fantastike për njerëzit e zakonshëm për të qenë anëtarë të China Club Berlin. Për këtë duhet të paguash një kuotë antarësie, e cila varion nga 10 mijë deri në 15 mijë euro, nëse je individ ose korporatë. Më pas vjen edhe ‘kësti’ i dytë që është pajtimi vjetor i cili kushton 1, 250, 2, 000 apo 2, 500 euro, në varësi të paketës.

Çmimet janë vetëm për anëtarësimin dhe, imagjinoni pak se sa kushtojnë ushqimet, pija apo fjetja në China Club Berlin.

Pikërisht këtu, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama vendosi të shtronte një darkë për deputetët gjermanë të Bundestagut.

 

Të fundit