Flash News

KRYESORE

Historia fantastike: Ilirët e Suedisë fitojnë kampionatin dhe thuajse falimentojnë, shpëtojnë në fund!

Historia fantastike: Ilirët e Suedisë fitojnë kampionatin dhe

Iliria e Stokholmit ka shkruajtur historinë në Suedi! Ekipi shqiptar u ngjit në ligën e katërt të futbollit suedez një vit më parë dhe u mendua se do të ishin të parët që do të binin nga kategoria, por nuk ndodhi ashtu.

Ata dolën të parët pavarësisht problemeve financiare dhe mungesës së fondeve. Klubi rrezikonte shkrirjen, pasi nuk i përballonte dot shpenzimet e tepërta në ligën e tretë suedeze.

Shpëtimi ka ardhur në momentet e fundit, pasi është gjetur marrëveshja me Nacka FC, një klub që punon me të rinjtë në Suedi.

NJOFTIMI I FC ILIRIA STOCKHOLM – Një bombë atomike, ashtu mund të përshkruhet lajmi që po ua kumtojmë sot për klubin. Pas një historie 5-vjeçare të lavdishme, e mbushur me suksese dhe tituj, klubi ka arritur në ligën e 4 për një kohë shumë të shkurtër. Por siç u kemi njoftuar, gjatë 2019’ës klubi ka pasur probleme shumë të mëdha financiare dhe po ashtu organizative për vite. Kërkesat dhe kostot shumë të larta për ta mbajtur një klub në nivelet e larta nuk kanë qenë të përballueshme për ne dhe vetëm falë ndihmës të disa bashkëkombëseve tanë kemi arritur që me shumë mund ta sjellim ekipin deri këtu.

I falënderojmë jashtëzakonisht shumë sponsorët tanë të devotshëm që deri sot kanë shpëtuar klubin dhe e kanë mundësuar ecjen deri sot të klubit, Lamendo AB, Bek Bygg, Sydstaden, Energiprojekt dhe Shala Group. Së bashku me tifozët fantastik kemi shkruar histori në futbollin e Stokholmit. Por e kemi konstatuar faktin që vetëm ne si komunitet shqiptar të vetmuar nuk jemi ende në nivelin e duhur për ta mbajtur një klub në ligat më të larta kombëtare. Përkundër gjithsej 12 thirrjeve dhe tentimeve për ta forcuar organizimin, për të sjellë njerëz të ri në klub që mund t’i mbajnë përgjegjësitë dhe mbi të gjitha për t’i siguruar financat e nevojshme, nuk ia kemi dalë.

Kur klubi dhe kryesia e klubit u gjend para udhëkryqit që të mbyllet klubi për shkak të mungesës së resurseve financiare dhe njerëzore, ose të shndërrohet vetëm në një klub për nivele të ulëta, doli papritmas një drite në tunel dhe një mundësi që kurrë nuk kemi besuar që do të na ofrohet.

Klubi Suedez, Nacka FC, e zgjati dorën për një bashkim dhe bashkëpunim mes dy klubeve tona. Nacka FC, që po ashtu garojnë nën ngjyrat kuq e zi, është klub që deri më sot ka themeluar dhe zhvilluar akademi elite për grupmoshat e reja në Stokholm. Klubi ka mungese të një ekipi A dhe ka interes jetësor që ta ketë një të tille sa më lart, për arsye që të ruhen talentet që rriten në klub e mos të ikin në klubet tjera të Suedisë.

Pas vetes kanë ndërmarrës shumë të fuqishëm dhe njerëz me të kaluar në elitën e futbollit. Vlen të theksohet që është i vetmi klub në Suedi që kryekëput me resurse të veta është duke tentuar ta ndërtoj një stadium të tërë pa asnjë ndihmë nga shteti apo komuna, m’u në qendër të Stokholmit, që flet shumë për resurset e saja dhe seriozitetin e njerëzve pas klubit.

Pas bisedime dhe negociatave të gjata dhe te mundimshme, të dy klubet janë pajtuar për një marrëveshje që të dy palëve do t’u sigurojë një të ardhme të ndritshme dhe të sigurt, dhe mbi të gjitha që ka shpëtuar kuqzinjtë e Stokholmit dhe Shqiponjave fluturimin e mëtutjeshëm në futbollin suedez.

Sipas marrëveshjes së bashkëpunimit është vendosur që emri zyrtar i klubit të jetë FC Nacka Iliria, pra të zëvendësohet komuna e Stokholmit në emrin e mëparshëm me komunën e Nackes në emrin të FC Ilirisë. Ngjyrat zyrtare të klubit do të vazhdojnë të jenë kuq e zi, emblema e re që do të prezantohet shumë shpejt është një emblemë klasike e huazuar nga Nacka FC, por me vendosjen e përkrenares së Skënderbeut m’u në mes të emblemës. Përkrenarja e Skënderbeut ka qenë pjesë e emblemës së FC Ilirisë nga dita e themelimit dhe do të vazhdojë të valojë aty.

Ekipi do të vazhdojë të zhvillojë stërvitje dhe ndeshje në Vårbergs IP, për të qenë sa më afër tifozëve të vet, pasi shumica gjenden në atë zone. Kryetari dhe zv. Kryetari i klubit do të jenë nga ana e FC Ilirisë dhe po ashtu boshti dhe shumica dërmuese e lojtarëve do të jenë po ashtu nga ekipi i këtij viti të Ilirisë.

Përveç kësaj, është dakordësuar që buxheti i klubit do të pesëfishohet brenda natës. Sponsorët të ri kanë nënshkruar kontratë që atë buxhet që arrin klubi së bashku me sponsorët e vjetër dhe tifozët t’i grumbulloj, ata do ta shumëfishojnë vetë. Me fjalë tjera, nga viti 2020, 83% e buxhetit të klubit do të vijë direkt si sponsorim nga NFC.

Dhe pastaj i gjithë buxheti me kontratë do të dyfishohet për çdo vit për t’i mbuluar nevojat e investimeve e për t’u ngjitur më lart. Pra me këtë bashkëpunim FC Iliria do të bëhet një nga klubet, në gjithë Suedinë deri në ligën e dytë, me resurset më të mira mbrapa klubit. Tifozët e klubit, ”Shqiponjat e Stokholmit” do të vazhdojnë të jene boshti i klubit dhe tani e tutje do të kenë mbështetje edhe më të fuqishme për shkak të resurseve te reja.

Natyrisht, të gjithë këto që i kemi përmendur më lart na bëjnë të ndihemi tepër krenar dhe të motivuar për ta dërguar Ilirinë edhe më lart se kurrë. Synimi që është vënë nga sponsorët e ri dhe nga klubi është që brenda 5 viteve për herë të parë një klub shqiptar të shkelë në Superettan, kategoria e parë e futbollit suedez! Një synim tepër i vështirë, por me këto premise të reja dhe kushte të jashtëzakonshme, jemi mbushur vetëbesim që bashkimi i gjithë shqiptarëve, me ndihmën e sponsorëve të ri do ta mundësojnë këtë ëndërr!

Ditët në vijim, do t’i prezantojmë një nga një të gjithë lojtarët që kanë firmosur kontratë të re me klubin, do t’i shpallim edhe disa lajme tjera të reja të jashtëzakonshme që ky bashkim i ka sjell klubit. Mes tjerash: për herë të parë FC Iliria do të hap ekip për fëmijët nga mosha 5-6 dhe tutje, dhe shume lajme tjera të jashtëzakonshme për komunitetin tonë në kryeqytet.

Tani e tutje me të vërtetë fillon një etapë e re në histori të klubit, të shndërrimit në një klub profesionist dhe një pikëtakim i vazhdueshëm për bashkëkombësit tanë në kryeqytet. Natyrisht i shprehim edhe falënderim të madh klubit Nacka FC që kanë treguar respekt dhe interesim të jashtëzakonshëm, qe jo vetëm të bashkohen klubet, por mbi të gjitha të ruhen identiteti dhe historia e klubit tonë. Urime të gjithë Ilirëve kjo ditë historike dhe urime gjithë shqiptareve që e kanë mbështetur këtë klub nga dita e parë. Tani e tutje, shqiponjat fluturojnë drejt elitës!

rejt elitës!

Të fundit