Flash News

OP-ED

Kur njeriu që shpiku ‘fajin e ka Saliu, pranon se ‘fajin e ka Rama’

Kur njeriu që shpiku ‘fajin e ka Saliu, pranon se ‘fajin e ka

Alfred Lela

Ndoshta kjo është shenja kryesore treguese se Rama nuk ka alternativë apo se nuk është alternativë. Ai, në disa stacione të fushatës, që edhe pse nuk është hapur zyrtarisht, ka filluar në fakt, ka bërë premtime që i shkojnë vetëm kryetarit të opozitës.

Rama nuk e ka të re këtë qasje në të politikëbërje apo komunikim, pasi e ka përdorur edhe në 2-3 vitet e para pas fitores më 2013. Por në anën e kundërt. Shumë vonesa dhe justifikime ai i lidhte me ‘gropën që kishte lënë Berisha’, me keqmenaxhimin e shtetit, më gërdinë estetike, me mungesën e planifikimit etj. ‘Fajin e ka Saliu’ vazhdoi edhe për disa vite, edhe pse nuk mund të pinte më shumë ujë se një slogan fushate, i cili nuk është politikë dhe as ekonomi, por thjesht një soundbyte (tingëllimë) elektorale për të kapur veshin e njerëzve që duan bukë, por nuk rrinë dot as pa cirk.

Tani, në vitin e fundit të mandatit të dytë të qeverisjes, kryeministri ka dalë sërish nga roli dhe pozat e shefit të qeverisë, duke qarë hallet e njerëzve me përunjësi, jo sikur ka diçka në dorë, por asgjë.

Deri më tani ka premtuar: rritje rrogash, ulje të papunësisë dhe rishikim të taksës progresive. Dy të parat i ka premtuar edhe gjatë fushatës si shef i opozitës në vitin 2013, ndërsa për të tretën ka patur qëllime krejt të kundërta asokohe. Ai e mori 10 përqindëshin e sheshtë të ‘taksës Berisha’ dhe e rriti në mënyrë progresive deri në 23 përqind, duke gjymtuar jo vetëm rritjen e shtresës së mesme, por duke mbingarkuar edhe administratën tatimore.

Shtatë vjet më vonë thotë se do ta rishikojë ‘kalin e tij të betejës’ në garën për kryeministër në vitin 2013. Fakti që ai mund të jetë penduar, apo ka gabuar, dhe e pranon, nuk dëshmon tjetër veçse fisnikëri, por kur pandeh se pas një gabimi të tillë (të trashë), që do të thotë shumë për të dhe punët e shtetit, mund të vishet tebdil dhe të kërkojë, si shef opozite, mandat të tretë, përbën një tepri.

Ai këtë nuk mund ta pranojë, sigurisht, por ndoshta shumë prej votuesve të tij duhet ta pyesin se, nëse nuk i përmbushi këto premtime në 7-8 vjet, pse duhet t’i besojnë se do i mbajë në katër të ardhmet. Natyrisht, ata edhe duhet të pranojnë me pendesë se faji tashmë nuk mund të jetë më i Saliut.

Fajin e ka Rama!

Të fundit