Flash News

POLITIKOFF

Kuvendi i Maqedonisë voton sot për kryetarin e ri shqiptar, ja kush është kandidati ‘konsensual’ për maqedonasit dhe përçarës te shqiptarët

Kuvendi i Maqedonisë voton sot për kryetarin e ri shqiptar, ja kush

Maqedonia pritet të hyjë në një situatë të re politike, e cila ose do e çojë vendin drejt normalizimit, ose do thellojë edhe më shumë krizën. Sot është parashikuar që të zgjidhen anëtarët e rinj të Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime të Kuvendit dhe më pas të nisë seanca plenare ku do votohet për kryetarin e ri, që për herë të parë do të jetë nga komuniteti shqiptar.

Rregullorja parashikon që seanca për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të thërritet nga 1/3 e Komisionit ose nga të paktën 20 deputetë. LSDM e Zoran Zaev dhe partitë shqiptare i kanë votat e mjaftueshme për të zgjedhur kryetarin e ri, por që kundërshtohet nga VMRO-DPMNE e Nikolla Gruevskit.

Ali Ahmeti që drejton BDI-në, partinë më të madhe shqiptare, ka propozuar deputetin Talat Xhaferrin për kryetar. Xhaferri ka qenë më parë Ministër i Mbrojtjes në qeverinë e drejtuar nga Nikolla Gruevski dhe pasi emri i tij ka marrë miratimin edhe të LSDM, kandidatura e tij konsiderohet ‘konsensuale’ për maqedonasit, por jo për një pjesë të shqiptarëve.

Lëvizja Besa është shprehur kundër zgjedhjes së Xhaferrit në krye të Kuvendit dhe ka lajmëruar se do të paraqesë një kandidaturë të sajën në seancën e sotme.

Ndërkohë, ish-kryeministri Gruevski nuk tërhiqet nga vendimi për të kundërshtuar krijimin e një qeverie mes LSDM-së dhe partive shqiptare, duke kërkuar që vendi të hyjë sërish në zgjedhje. VMRO u shpall fituese e zgjedhjeve të dhjetorit, por nuk arriti të krijonte një koalicion me partitë shqiptare, për të siguruar votat e nevojshme për krjimin e qeverisë.

Të fundit