Flash News

KRYESORE

Lista/ Njihuni me deputetët “headline” me lajme negative

Lista/ Njihuni me deputetët “headline” me lajme negative

Gjatë sesionit të fundit parlamentar pati disa raste kur deputetë të Kuvendit, sidomos disa deputetë të ardhur nga lista proporcionale e opozitës, pas vendimit të saj për dorëzimin kolektiv të mandateve, u bënë kryefjalë në media për skandale në fjalime ose komunikime jo etike.

Në një rast deputetja M.Halilaj u bë lajm negativ në media për problemet e shfaqura gjatë mbajtjes së të vetmit fjalim të saj në seancat plenare.

Lajm negativ u bënë edhe përdorimi i ligjërimit denigrues nga zv/kryetari i Kuvendit M.Murrizi për kategori të veçuara sociale, çfarë solli protesta të shoqërisë civile në parlament dhe reagim kritik nga institucionet e Komisionerit Anti Diskriminim dhe Avokatit të Popullit.

Lajm negativ prodhuan disa deklarata të deputetit Kujtim Gjuzi në parlament e jashtë tij, si dhe kritikat e Kuvendit se ai ka shkelur Kodin e Sjelljes.

Një incident midis deputetit R.Gjoni dhe ministrit E.Shalsi në parlament solli ndërprerjen e përkohshme të seancës plenare më 17 tetor. Dy palët akuzuan njëri tjetrin për shkelje të Kodit të Sjelljes dhe kërkuan masa sipas Rregullores megjithatë nuk pati asnjë veprim pasues.

Gjithashtu gjatë këtij sesioni pati raste kur grupet monitoruese përfshirë ISP publikuan të dhëna kritike për shkeljet tërësore të standardeve të përdorimit të rregullave të paraqitjes formale të nismave ligjore dhe të drejtshkrimit shqip, si dhe raste kur CV e ndonjë prej deputetëve ishin hartuar në mënyrë të tillë që dëshmonin nivel minimal të përgatitjes profesionale dhe natyrisht edhe politike.

Në tërësi media vazhdimisht raportoi për rritjen e perceptimit dhe e vlerësimit negativ publik mbi parlamentin dhe rolin e tij në jetën publike, duke u bazuar në skandalet e deputetëve apo elementë të ligjërimit kritik të tyre në parlament dhe në komisionet parlamentare. Elementë të tillë nxorën në pah jo vetëm problematikat e dobësitë e përfaqësimit politik, me burim vetë partitë politike, por edhe nevojën jetike që kanë një pjesë e madhe e deputetëve për trajnim të vazhdueshëm në procesin ligjvënës, në ushtrimin e mandatit parlamentar, në ligjërimin publik, në marrëdhëniet institucionale dhe në elementë të tjerë thelbësorë të aktivitetit të tyre parlamentar.

Pothuajse të gjitha vendet me probleme si Shqipëria aplikojnë trajnime të vazhdueshme, megjithatë në rastin tonë, ato ose kanë munguar ose kanë qenë kryesisht formale. Vetë grupet parlamentare nuk ofrojnë trajnime dhe parlamenti nuk ka një buxhet të dedikuar për këtë element të rëndësishëm të forcimit të cilësisë në përfaqësimin parlamentar. Një rast tipik është ai i deputetit M.Murrizi, i cili mban edhe pozitën e zv/kryetarit të Kuvendit.

Deputeti ka kaluar një nga sesionet parlamentare më aktive, me një bilanc të pasur angazhimesh në seancat plenare, në komisione, në debatet publike, në punën e Komisionit të Reformës Zgjedhore, etj. Ai shfrytëzoi në maksimum kompetencat parlamentare duke ushtruar të drejtën ligjvënëse, duke propozuar ligje e amendime ligjore, duke adresuar kërkesa për informacion dhe duke iniciuar interpelancë në parlament.

Nga ana tjetër deputeti Murrizi ishte edhe nga deputetët më të kontestuar kryesisht për shkak të ligjërimit politik e publik jo etik që u përdor. Në shtator pati një protestë kundër tij nga një grup i shoqërisë civile, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi adresoi një shqetësim publik ndaj tij dhe të njëjtën gjë bëri edhe institucioni i Avokatit të Popullit.

Rregullorja e Kuvendit parashikon që në raste të tilla pretendimet verifikohen dhe parashikohen masa përkatëse. Pavarësisht mungesës së reagimit nga Kuvendi etika e vlerësimit profesional e bindi ekipin monitorues të vlerësojë deputetin me - 5 pikë penalizim në vlerësimin e përgjithshëm (- 10 pikë jepen kur Kuvendi merr një vendim penalizues). ISP

Të fundit