Lobimi amerikan në këndvështrimin e Sali Berishës: Basha, asnjë kontratë me rusët, të tjerat janë intriga

Ish- kryeministri Sali Berisha ka hedhur poshtë zërat se kreu i PD, Lulzim Basha ka patur takime me rusët, pasi sipas tij nuk ka firmosur asnjë kontratë me ta për lobimet.

I ftuar në ‘Tempora’, Berisha i cilëson si intriga të qeverisë Rama akuzat ndaj Bashës.

Ish kryeministri: Akuzat e Mother Jones janë të fabrikuara. Në mënyrë absolute Lulzim Basha dhe PD nuk kanë pasur asnjë takim me rus, kurrë në jetën e tij. Nuk kanë marrë asnjë qindarkë nga rusët. Nuk kanë firmosur kurrë kontratë me rusët. Këto janë të vërteta që nuk i luan as topi. Nuk kanë kontratë me para ruse, nuk kanë kontaktuar me asnjë rus për këtë problem. Çdo gjë tjetër është intrigë e ulët e destinuar të përfundojë në hiç.

Meço: Është thirrur me forcë zoti Berisha?

ish-kryeministri: Kjo tregon Edi Ramën, karakterin politik të procesit. Nëse do ishin hetuar dosjet e Durrësit e Dibrës , vendi s’do ishte këtu.

Meço: Zoti Palmer ka folur vazhdimisht për rrezikun rus. A ekziston ky rrezik?

Ish-kryeministri: Është Gunvori në naftë me supermafiozin Engjëll Agaci. Gunvori është kompania e mikut personal të Vladimir Putinit. Është telekomi i kompanisë bullgare të lidhur si mishi me thoin. Rreziku rus është projekti i zoografit biz dhe argatit të Prishtinës për copëtimin e Kosovës. Ai është rrezik strategjik madhor. E paraqitën projektin si të vetin, i denoncuar nga qeveria shqiptare dhe e Kosovës deri në 2013. Këto janë rreziqe. Kurrë zoti Basha. E thërret një ditë para mitingut apo për ti bërë presion. Këto i bën një burracak si Edi Rama.