Maqedonia voton nesër, mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale

epa06282008 A woman casts her vote at a voting center in Pristina, Kosovo, 22 October 2017. Some 1.8 million voters are called to take part on the first round of municipality elections to elect mayors and assembly members. EPA-EFE/VALDRIN XHEMAJ

Maqedonia zhvillon nesër raundin e dytë të zgjedhjeve lokale. Sot, një ditë para zgjedhjeve, të drejtën e tyre për votim mund ta realizojnë të burgosurit dhe ata në paraburgim, personat e zhvendosur brenda vendit si dhe të sëmurët, të cilët e kanë kërkuar këtë në komisionet komunale zgjedhore.

Votimi fillon në orën lokale 07:00 dhe zgjat deri në orën 19:00.

Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale do të zhvillohet në 35 komuna, në 1 517 qendra votimi, ku të drejtë vote kanë 833 710 qytetarë.

Raundi i parë i zgjedhjeve u mbajt më 15 tetor kur u zgjodhën kryetari i bashkisë i qytetit të Shkupit, kryetarët në 45 komuna dhe këshillat në qytetin e Shkupit dhe në të gjitha komunat.

Këto janë zgjedhjet e gjashta lokale në Maqedoni, ndërkohë që të parat u zhvilluan në vitin 1990.