Flash News

KRYESORE

Me 2 rreshta/ Ngjarjet kryesore të ditës: çfarë pati rëndësi dje në Shqipëri

Politiko.al

Mirëmëngjes

“Posta e mëngjesit” ju sjell një blic lajmesh kryesore ndodhur dje në Shqipëri. Klikoni në hiperlinqet blu nëse doni të lexoni më shumë. Nëse e doni ‘Postën’ në emailin tuaj na shkruani në [email protected]

■ Ndërsa kanë mbetur edhe dy ditë nga afati i paracaktuar si dita e përmbylljes së Reformës Zgjedhore, më 31 maj, faktori ndërkombëtar ka shtuar presionin mbi klasën politike në vend.

Pas SHBA, përmes ambasadores Yuri Kim, e cila prej ditësh ka ‘zbarkuar’ në terren duke takuar përfaqësuesit politikë, dje kanë nxitur palët që të përmbyllin në kohë Reformën Zgjedhore, në të mirë të Shqipërisë dhe të aspiratave të saj për integrim edhe BE dhe OSBE.

Kryeministri Edi Rama deklaroi në interpelancën për teatrin e kërkuar nga deputetët e opozitës parlamentare se këtë debat e ka mbyllur tashmë dhe se s’kishte asgjë tjetër për të thënë veç atyre që kish deklaruar më parë.

Megjithatë, preferoi të shfrytëzojë kohën në dispozicion duke cituar disa nga artistët që janë shprehur pro një teatri të ri. Mes tyre edhe aktoren e njohur Rajmonda Bulku. Kujtojmë se një vit më parë, aktorja u desh të bënte një sqarim të dytë kur u citua edhe një herë tjeter në një postim nga Rama, teksa e klasifikoi atë ndër artistët që janë pro teatrit të ri.

Deputetja Rudina Hajdari i ka kërkuar sqarim kryeministrit Edi Rama lidhur me shembjen e teatrit. Sipas Hajdarit, Rama ka opsesion me truallin dhe jo me teatrin. Rama: S’kam gjë për të thënë.

Gjykata e Posaçme e Apelit ka shtyrë sërish seancën ndaj ish ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, por edhe për ish drejtorin e policisë së Vlorës Jaeld Çela, tashmë i vetëdorëzuar.

Shkak është bërë mos njoftimi në kohë i ish ministrit pas vendimit të djeshëm për hapjen e proceseve gjyqësore me protokolle të reja prej pandemisë.

Pas një shkëputje më shumë se dy mujore për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19 rikthehen sërish seancat e vettingut. Seanca e parë pas pandëmisë do të zhvillohet në datën 3 qershor, ndërkaq në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit pritet të dal Shpresa Beçaj, ish-kryetare e Gjykatës së Lartë, sot në Gjykatën e Apelit.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka reaguar lidhur me projektligjin e ministrisë së Brendshme që lejon policinë për përgjimin e personave të dyshuar ose të lidhur me ngjarje kriminale pa marrë autorizim nga prokuroria dhe me një vendim nga Gjykata.

KSHH shprehet se përshëndet qëndrimin e Prokurorisë së Përgjithshme, si dhe shton se përgjimet pa leje të organit të akuzës kanë rrezik të dobësojnë pavarësinë e gjyqësorit dhe rrezikojnë të drejtën për privatësi.

■Shtyhet deri në fund të gushtit afati për të paguar këstet e kredive. Lajmi u dha nga kryeministri Edi Rama në një postim në Facebook.

Të fundit