Flash News

OP-ED

Mendo në fillim për daljen

Mendo në fillim për daljen

Stefan Capaliku

“Mendo në fillim për daljen” është një fjalë e urtë arabe, të cilën e dëgjova për herë të parë në rrethana aspak dramatike e as tragjike, duke pas parasysh faktin se gjendesha në hollin e një teatri në Gjermani.

Aso kohe sapo isha bërë anëtar i një grupimi dramaturgësh dhe regjisorësh evropianë dhe po shkonim të shikonim shfaqjen e radhës së Bienales “Neue stucke aus Europa” në teatrin e Wiesbaden.

Kolegu im, Niko Heminger, një xhentëlmen prej Luksemburgu, duke më kapur lehtazi për krahu më drejtori kah një lozhë krejt afër derës, ndërkohë që biletat tona ishin diku në qendër të platesë.

-Pse këtu?- e pyeta

-E ku i dihet - tha ai - ja s’na pëlqeu shfaqja përshembull. E si të ngrihemi ne prej atje në qendër. Duhet të çojmë në këmbë një rresht me njerëz, pa llogaritë se çdo të thonë pastaj për ne, në radhë të parë artistët, e pastaj edhe mileti përreth.

U binda. Dhe doli ashtu si tha. Shfaqja nuk po na tërhiqte dhe diku mbas gjysmë ore, ashtu, pa bërë zhurmë pa trembë kërkend, ne dolëm prej teatri dhe morën nga një birrë te kantina një kat më poshtë.

Dhe kështu kjo thënie profetike e ndoqi dhe e ndjek mbrapa gjithë qenien time sa herë që shkoj në teatër. E se mos vetëm në teatër… Zë një vend diku në qoshe pranë derës dhe nëse nuk më pëlqen ia mbathi pa rënë në sy.

Më vonë u përpoqa t’a shikoj aplikimin e saj edhe në disa aspekte të tjera të jetës shoqërore dhe tashmë, mbas të pesëdhjetave e ndjeva se është bërë moto e jetës sime.

Dhe fatkeqësisht, ndërkohë që udhëhiqem prej saj, vë re se, veçanërisht njerëzit e politikës, gjithnjë e më shumë, dëshmojnë se nuk e kanë ditur, se nuk e dinë, dhe ç’është më e keqja, se nuk duan ta dinë këtë maksimë lapidare, që do t’ia shpëtonte nderin shumëkujt.

Të fundit