Flash News

OP-ED

Një monument i Shqipërisë mesjetare

Një monument i Shqipërisë mesjetare

nga Virgjil Muçi

Një libër si ky i Milan Shuflajt “Qytetet dhe kështjellat e Shqipërisë, kryesisht në Mesjetë”, i cili, na vjen në shqip, nën përkujdesin e historianit Luan Malltezi, përfton një vlerë të posaçme ngaqë shërben si lakmues e ndihmon për të ndarë shapin nga sheqeri. Thënë më shkoqur, na dëfton se cilat janë vlerat e vërteta shkencore nga ato të rreme që diletantë e sharlatanë gjithfarësh, veçmasi në lëmë të historisë, burrecë që mëtojnë se kanë zbuluar gurin filozofik, rreken sot e gjithë ditën të na i shesin produktet e tyre kallpe për ar të kulluar.

Po le të hedhim një sy e të shohim se ç’xhevahire mbart ky libër i dijetarit të madh. Pikë së pari, ai vjen e hedh dritë mbi një nga periudhat më të errta, nëmos më e errta, të historisë së Shqipërisë, duke na ndriçuar aspekte të rëndësishme që kanë të bëjnë mirëfilli me kulturën dhe qytetërimin e këtyre trojeve shtresë pas shtrese. Këqyrja që Shuflaj i bën kësaj dukurie është me kah vertikal, domethënë duke u nisur nga e kaluara greko-romane, më pas bizantine, turke e kështu me radhë për të mbërritur në kohët e kështuquajtura moderne. Informacioni është i pasur dhe i larmishëm përmes vështrimesh krahasuese edhe me autorë të tjerë, të cilët janë marrë me studimin e kësaj lënde, si ata antikë, ashtu edhe të mëvonshëm, për të mbërritur tek ajo aradhë e shkëlqyer albanologësh bashkëkohës të Shuflajt. Në punimin e historianit vjelim një sërë të dhënash, jo vetëm për qytete që ekzistojnë edhe sot e kësaj dite, fjala vjen si Durrësi, Shkodra, Lezha, Vlora etj., por edhe për qytete që janë katandisur në gërmadha dhe prej të cilëve ruhen vetëm rrënojat e kështjellave si Drishti, Danja, Sapa, madje edhe për një grup të tretë e të fundit prej të cilëve kanë mbërritur në ditët tona vetëm emrat si një jehonë zëri që ka ardhur duke u zbehur mugëtirave të shekujve. Këtu hyjnë qytete-kështjella ilire si Epikaria, Amantia, Byllisi, Antigonea e plot të tjerë që s’është as vendi, as koha t’ua përmendim emrat. Ngjall kërshëri jo thjesht profesionale, por edhe njerëzore, fakti që vështrimi i hedhur nga autori është dialektik, thënë ndryshe, ai niset nga zanafilla e ngulimeve fillimisht në trajtën e kështjellave për të shkuar më pas drejt ekspansionit, pra, zgjerimit e shndërrimit të tyre në qytete, si dhe të dukurisë së përkundërt, pra, restriksionit, tkurrjes, çka shpesh ka shpënë deri në shuarjen e plotë të këtyre qendrave dikur të banuara e të lulëzuara. Të dyja dukuritë e këtupërmendura kanë të bëjnë me një sërë zhvillimesh historike: në rrafshin shoqëror (luftrat, pushtimet) dhe në atë natyror (tërmetet, përmbytjet, epidemitë).

Në një kapitull më vete, ku bëhet fjalë për përbërjen etnike të qyteteve dhe aspekte të tjera të jetës qytetare, të bie në sy fakti që qytetet bregdetare të Arbërit, si Shkodra, Lezha, Ulqini, Tivari e ndonjë tjetër janë tejet të zhvilluar dhe me një nivel të lartë qytetërimi për kohën, ndërkohë që banohen nga qytetarë që u përkasin etnish të ndryshme, shenjë kjo e begatisë, prosperitetit dhe tregtisë së zhvilluar me vende përkëndej dhe përandej Adriatikut. Duke folur për Durrësin, Shuflaj shpreh mendimin që në vitet 1243-1258 qyteti duhej të kishte 25.000 banorë, çka bënte që ai të mos binte më poshtë qendrave të begata të Europës së asaj kohe, si Venedik, Firence, Marsej. Në të njëjtën kohë autori analizon dhe na përcjell me saktësi shkaqet që shpunë në rënien e qyteteve të lartpërmendur, kryesisht prej pushtimit osman që i shkëputi nga habitati i natyrshëm europian dhe shndërrimi i pësuar për shkak të izolimit dhe transfuzionit të pësuar prej largimit të detyruar të pjesës së qytetëruar të banorëve dhe mbushjes së vakuumit të krijuar me malësorë të egër zbritur nga hinterlandi. Ka një moment me mjaft interes në administrimin ekonomik dhe financiar të qyteteve, më konkretisht në vjeljen e taksave, çka Shuflaj e përmend si diçka të njohur, por që mendoj se do të ishte me vlerë për lexuesin e gjerë sikur të shkonim e të ndaleshim pakëz mbi këtë pikë. Citoj: “E veja e Balshës II Komnena (1395) i çmonte të ardhurat e Vlorës, Kaninës, Himarës dhe të Pirgut deri në 9000 dukate gjithsejt dhe ishte gati që këto vende t’ua lëshonte venedikasve (korsivi im – V.M.) kundrejt një pensioni prej 7000 dukatesh veneciane.” E pra, siç shihet nga ky fragment, praktika e kalimit për administrim të pronës në duart e të tjerëve, qofshin ata edhe të huaj, lypset të ketë qenë e përhapur në Mesjetë. Thënë ndryshe, sundimtarët e qyteteve, arbër ose jo, e shihnin pushtetin si një biznes fitimprurës, ndaj dhe në çastin që ai mund të rezultonte me humbje ose për arsye të ndryshme bëhej i pamundur për t’u kullandrisur, atëherë zotërinjtë (seigneurs) ishin të gatshëm t’ia kalonin kujtdoqoftë përkundrejt të ardhurave të qëndrueshme e të sigurta. Nisur nga këndvështrimi i lexuesit të gjerë kemi të bëjmë me një element të ri të depërtimit venedikas në bregdetin lindor të Adriatikut dhe në viset e Arbërisë.

Edhe pse për lexuesin shqiptar emri i Shuflajt nuk është i panjohur, mjafton të zëmë ngoje këtu veprën themelore të tij “Serbët dhe shqiptarët”, mendoj që një studim si “Qytetet dhe kështjellat…” përbën një gur tejet të çmuar në kurorën e veprave të historianit të madh kroat, të cilit, shkenca e historisë e në veçanti shqiptarët, i detyrohen aq shumë.

 

 

Të fundit