Flash News

KRYESORE

Oficerët e Frontex në Rinas, paradhoma e rikthimit të vizave?

Oficerët e Frontex në Rinas, paradhoma e rikthimit të vizave?

Zërat për rikthimin e vizave me vendet e BE-së nuk janë thjesht shqetësime apo trillime të medias, por janë vlerësime reale të gjendjes së krijuar pasi një numër shumë i lartë shqiptarësh vazhdojnë edhe sot të ikin e të kërkojnë azil në vendet e BE-së. Megjithë masat e marra nga policia shqiptare, apo edhe në bashkëpunim edhe me autoritetet gjermane e ato franceze, kohë më parë, përsëri fluksi i ikjeve për azil është i lartë. Mësohet se në Rinas, aeroportin e vetëm shqiptar, janë instaluar 5-6 oficerë të Frontex.

Frontex, Agjencia e Ruajtjes së Kufijve Europianë, është e shqetësuar nga largimet e shumta të shqiptarëve drejt vendeve të BE-së. Një masë parandaluese do të ishte izolimi i tyre që në aeroportin e Rinasit dhe për këtë ajo ka sjellë në Shqipëri dhe përkatësisht në Rinas, 5-6 oficerë të saj për të monitoruar lëvizjet dhe shmangur sa më shumë azilikërkuesit drejt vendeve të BE-së. Këto hapa të BE-së pasojnë “kërcënimet” që vijnë nga Holanda e vende të tjera për rikthimin e vizave, pasi shqiptarët jo vetëm që ishin shtuar për azil por ishin pjesë e rrjeteve kriminale.  Kohë më parë “Frontex”, botoi një raport ku tregonte se mafia shqiptare është shumë e fuqishme dhe sidomos dominuese në trafikimin e refugjatëve. Pavarësisht rënies së numrit të emigrantëve të kapur për kalim ilegal të kufirit në vendet e Ballkanit Perëndimor, në krye qëndron kufiri shqiptaro-grek.

Edhe kjo masë e fundit e Frontex, me instalimin e 5-6 oficerëve të tij në Rinas, duhet parë me shqetësim nga shteti, sepse mund të jetë një hap i parë i BE-së për të rikthyer vizat me Shqipërinë, në një të ardhme jo të largët, pasi gjendja sa vjen e po keqësohet dhe nuk ka shumë shpresa për uljen apo ndalimin e azilkërkuesve drejt Evropës.  

 

Të fundit