Flash News

OP-ED

Doktori në labirintin e tij

Doktori në labirintin e tij

Alfred Lela

Jo Doktori, por Gjenerali, gjendet në labirintin e Gabriel Garsia Markezit, në titullin e një prej romaneve të tij të hershme, 1989, botuar para 4 vitesh në shqip. Por, Doktori mund te ishte fare mirë Gjenerali, edhe për faktin se ai, siç u pa qartë dje, shihet ende nga demokratët si i tillë.

Romani i Gabo-s, që shtjellon një ngjarje dhe personazh të vërtetë, ashtu si jeta politike e Doktorit, flet, jo për dokëdo, por Simon Bolivarin, babain politik të Kolumbisë, shporen e disa lëvizjeve revolucionare që u dhanë liri vendeve të kontinentit jugamerikan.

Por, e ka një fund edhe për më të mëdhenjtë. Bolivari, i ndjekur nga shpura e tij dhe pena e Markezit, është në rrugën e ekzilit, përgjatë lumit Magdalena për në bregun karaibas, një port nga ku do të merrte anijen për në Europë. Ndërkohë qe kolona e tij përparon, mendja e kthen në ditë e lavdisë. Edhe pse është nisur drejt ikjes nga tokat e tij, një vesh e mban hapur nga drejtimi i ngjarjeve. Çfarë po ndodh në skenat dhe prapaskenat politike të Bogota-së; çfarë veprojnë bashkëpunëtorët, miqtë dhe armiqtë; a ka një shans që ai të kthehet; a po bëhen gati turmat për të brohoritur emrin e tij, kur ai të futet, edhe njëherë triumfator, në kryeqytet?

Ndryshe nga Bolivari, që nuk kthehet kurrë, dhe merret pikërisht nga kjo lëngatë e imagjinatës, Doktori kërkon të dalë nga labirinti dhe i është futur rrugës pa kthim të rikthimit, edhe pse dukej sikur pat rënë në rrugën pa kthim të moskthimit. Dje i pa turmat që ia brohorisnin emrin. I pa miqtë dhe armiqtë tek ia përtypnin mbiemrin si tabako kolumbiane. Foli ai si ati themelues i partisë dhe baca i kombit. Kërkoi ndjesë. Tha se nuk e kam njohur deri në këtë pikë trashëgimtarin tim politik.

Por, labirinti tashmë nuk është vetëm i Berishës, por edhe i ndjekësve të tij. Madje, madje edhe i spektatorëve neutralë, si autori i këtyre radhëve, dhe sidomos kritikëve të tij. Të cilët Doktori i ka futur në një U-labirint, duke i kthyer nga rruga e epiteteve dhe sharjeve për L. Bashën, ku sundonte ‘i përgjumuri’, te tonet laudatore për të. Gjë që zbulon te ata interesin politik, inkoherencën intelektuale dhe, pse jo, sharlatanizmin publik. Ky i fundit fillon bash te ideja se ata kërkojnë zbimin e Doktorit, sepse pengon opozitën të vijë në pushtet. Kur këtë e thonë njerëz që hanë bukë në sofrën e mbajtjes së opozitës aty ku është, it is a bit too goddamn much!

Labirinti është i ndjekësve të Doktorit, edhe pse ata kanë qenë e vetmja trupë koherente e koncertit politik. Nuk e kanë fshehur adhurimin për Doktorin dhe nuk ia kanë falur askujt që i është kundërvënë. Pyetja është: a mjafton tashmë Doktori dhe bota e tyre e vogël, ku banon adhurimi për të, për ta risjellë opozitën në pushtet? Çdo ‘po’ e menjëhershme buron nga marrëzia e dashurisë, jo kthjellësia e logjikës, dhe Doktori vetë do të qeshte me këtë ngut.

Labirinti i Doktorit vetë është më i errëti. Basha, do apo nuk do, është pjesë e trashëgimisë së tij politike, dështimi i tij i fundit në politikë. Sido që ta shohësh historinë politike të të dyve, humbjet e Bashës janë edhe të tijat. Edhe nëse nuk janë vendime të marra prej tij janë hapa të hedhur nga i përzgjedhuri. Ishte Doktori që e la Bashën të shkonte i vetëm nga gabimi në gabim. Nisur nga një premisë e hershme, që në vitin 2013, pas përballjes me Olldashin. Kur iu kërkua nga bashkëpunëtorë të afërt që në lidershipin e PD të bëhej vend edhe për humbësit, Olldashin dhe të tijtë, me gjasë Doktori ka thënë: ‘winner takes it all’ (fitimtari i merr të gjitha).

Ashtu ndodhi. Por fitimtari mund të marrë edhe asgjë. Dhe në këto kushte jemi. Në të tilla kushte kur duhet ndarë edhe asgjëja. Doktorit i takon pjesa e vet në të.

Labirintet duhet të shërbejnë, në fund të fundit, edhe si pasqyra.

 

Të fundit