Flash News

OPINEWS

Shqipëritë e Merita Hajdarit

Shqipëritë e Merita Hajdarit

Nga Genti Çela

Merita Hajdari kishte shkuar në emision duke marrë hua 10 mijë lek të vjetër (si rrobat që kish veshur). Tema e emisionit ishin pesë kompanitë e regjistruara në emër të saj dhe miliona € transaksione.
Emri i Meritës që mbledh kanoçe në pirgjet me plehra, i është dashur ndokujt për t’u pastruar nga plehnaja e madhe e hiperkorrupsionit me inçeneratorët.

Do të kenë qenë ditë e netë të shqetësuara për Meritën, por dritat e emisionit kishin marrë një venitje nga prania e fisme e saj. Portret fisnik, edhe pse plagët që tregonte në trup i ngjanin një harte mjerimi, si fletë të zhubrosura të një ditari vuajtjesh.

Nga përjashtësia e saj, Merita takoi Shqipëritë paralele, rrugë të ndryshme të cilat zakonisht nuk puqen kurrkund.
Shqipërinë tru-myke, iluzore, të gënjeshtërt, grykëse, sharlatane, vanitoze, krekosëse, karikaturë, hipokrite me Shqipërinë e madhe (jo etnike) të shumicës së heshtur mbi të cilën abuzohet e vidhet në emër të saj.

Merita si emblemë mjerimi, mundi të përplasë një koleksion faktesh që nuk kishin ndonjë detyrim për të ndodhur. Grabitja prej qindra miliona euro që zë fill tek publikimi i të dhënave personale, të dhëna që u janë përdhunuar të gjithëve nga një sistem patronazhist i legjitimuar nga ata që paguhen për t’i mbrojtur.

Në një shoqëri normale e të lirë vetëm zonja Meritë do të kishte mjaftuar për të rrëzuar një qeveri të kalbëzuar si e jona.

Lehtësia e padurueshme me të cilën heshtja mbulon rast pas rasti afera të tilla bujëmëdha, rendit shoqërinë tonë krah shoqërive të vetëfshikulluara.
Si një shoqëri e sfilitur, shoqëri e fikjes mendore, e rrafshimit të vlerave, pa një konstitucion të domosdoshëm moral. Një shoqëri nostalgjike për robërinë. Indiferentë tek shohim padrejtësi të pakapërdyeshme që ndodhin çdo ditë.
Të pagojë e të pazë përballë verbërisë e babëzisë së korrupsionit të përbindshëm, aqsa duket sikur nuk ka më asgjë të denjë për pak respekt.

Si engjëj të përjashtuar nga një qiell i huaj, çdo muaj zhduket një fshat. Qytetet duken si shkretëtira të populluara gjithmonë e më pak, si peizazhe të përmortshme e të trishta. Ligështuar nga një peshë shtypëse e nënshtruese.

Koha për të shpresuar duket e tejkaluar. Në këto kushte fjala shpresë tingëllon si e dalë nga një fjalor pasiviteti.
Angështia kolektive e shushatur nga indet duhet të mbarojë. Nuk duhet të ndryhemi brenda shtëpive tona teksa jashtë e vetmja liri mbetet liria për t’u dorëzuar e ikur.

Koha nuk mund të jetë asnjëherë e gjitha e tashme - thotë Shën Agustini.
Prandaj të shohim nga e ardhmja që pret guximin tonë.

Të fundit