“Për kë bien kambanat”/ Del në shitje kopja e rrallë e romanit të Hemingway me autograf nga autori

Për të gjithë dashamirësit e letërsisë, në veçanti fansat e shkrimtarit amerikan Ernest Hemingway, është një mundësi e artë për të bërë pjesë të bibliotekës së tyre personale një nga romanet më të bukura, jo vetëm të letërsisë amerikane, por edhe asaj botërore.

Bëhet fjalë për romanin “Për kë bien kambanat”. Vetëm se çmimi për këtë libër është mjaft i ‘kripur’ për shkak se kopja e nxjerrë në shitje është e rrallë.

Kopja e parë e romanit të Ernest Hemingway, me një autograf të vetë autorit për mikun e tij, gazetarin dhe korrespondentin e luftës, Joseph North, ka dalë në shitje me një çmim prej 20 mijë dollarësh.

“Për Joe North, sido që ta gjykojë ai, me shumë dashuri, Ernest Hemingway”, shkruan autori i “Plaku dhe deti” në dedikimin për mikun e tij.

Libri “Për kë bien kambanat” është një nga veprat më të mira të shkrimtarit amerikan. Kopja e këti libri është në gjendje shumë të mirë, me disa shënime dhe nënvizime të vetë Hemingway-t në brendi të librit. Vepra është e mbuluar me një këllëf lëkure i bërë me porosi.