Flash News

KRYESORE

Premtimet për ekonominë, 'Revista Monitor': PS e kuptoi dështimin me taksat; PD me program ambicioz, por jo të shpjeguar

Premtimet për ekonominë, 'Revista Monitor': PS e kuptoi

Inflacioni i premtimeve nuk ka munguar as këtë prag zgjedhjesh, ndonëse në mënyrë qesharake të paprecedentë, askush po e vë theksin e fushatës te programet që i mbështesin këto premtime. Mijëra vende pune të reja që do të hapeshin, rritje pagash, pensionesh e të tjera përfitime për shtim të mirëqenies, nëse do të ishin realizuar sa herë janë premtuar 20 vitet e fundit, do ta kishin kthyer vendin tonë në një mrekulli të vogël të Europës dhe në këtë aspekt nuk përbën ndonjë ndryshim as 4-vjeçari i fundit.

Fokusi i fushatës nuk është tek ekonomia e ndoshta këtë radhë nuk e hapim fare këtë temë, por faktet janë kokëfortë: Të ardhurat e Shqipërisë në vitin 2016 ishin sa 30% e mesatares së BE-së, njësoj sa në vitin 2012. Nëse krahasohemi me fqinjët për të njëjtën periudhë, jemi shumë më keq. Të ardhurat e Maqedonisë në vitin 2016 ishin sa 38% e mesatares së BE-së, nga 34% në 2012-n, Mali i Zi nga 39% në 42%. Deri në vitin 2015 ishim të parafundit, ndërsa në vitin 2016, Bosnja ka dalë përpara nesh. Shteti me probleme të mëdha etnike dhe burokratike, për shkak të ndarjes administrative të dy njësive, ka rritur raportin e të ardhurave ndaj mesatares së BE-së, nga 28% në 2012-n, në 31% në 2016-n.

Vetëm Serbia ka shënuar rënie, me një pikë përqindje, por sërish ajo vijon të mbetet me të ardhura mesatare më të larta se Shqipëria (36%).

Nuk është rastësi që Serbia dhe Shqipëria janë dy vendet që kanë ngecur në rritjen e mirëqenies. Janë këto dy shtete që krizën ekonomike, që pushtoi gjithë botën dekadën e fundit, zgjodhën ta kalonin duke rritur taksat. Për Shqipërinë, kjo ishte edhe një filozofi populiste e së majtës, që erdhi në pushtet në vitin 2013, për të taksuar “të pasurit” dhe për të mbrojtur “të varfrit”. Tatimfitimi u rrit nga 10 në 15% në 2014-n dhe u kalua në taksimin progresiv mbi pagat, deri në 23% për pagat mbi 130 mijë lekë, u rritën akcizat dhe në 2014-n dividendi u zgjerua nga 10 në 15%. Kjo u pa si një rrugë drejt konsolidimit fiskal, duke presupozuar që ekonomia është diçka statike që reagon si një tabelë excel kur ndryshon koeficientët në disa kuti të tij dhe jo një organizëm i gjallë që reagon ndaj sinjaleve që jep politika.

Katër vjet më pas rezulton që të ardhurat në raport me PBB-në në 2016-n ishin 26%, ose njësoj sa në vitin 2008, Shqipëria u kthye në vendin e fundit në Europë në krahasimin relativ të të ardhurave ndaj BE-së dhe ky nivel mbeti njësoj si në 2012-n.

Biznesi e ka shprehur hapur se rritja e taksave ndikoi negativisht në planet e tyre të investimeve dhe na bëri jokonkurrues, teksa ata preferojnë një rikthim në taksimin e sheshtë.

Pikërisht taksat e ulëta janë kthyer në kalin e betejës me të cilin Partia Demokratike po synon të joshë elektoratin e lodhur nga barra e shtuar fiskale. Po cilat janë premtimet kryesore të dy partive që garojnë për të qeverisur, të vetme, apo përmes koalicioneve, nëse askush nuk arrin të fitojë vetëm më shumë se 71 vende në zgjedhjet që do të mbahen këtë javë.

Partia Socialiste “kupton gabimin”, premton ulje të lehtë taksash

Pasi e quan të përfunduar misionin e taksave të larta (?!), Partia Socialiste këtë fushatë ka premtuar ulje të lehtë të barrës fiskale.

Tatimfitimi do të mbetet 15%, ndërsa parashikohet që tatimi mbi dividendin të zbresë nga 15% që është sot në 6%. Milva Ekonomi, ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, ka pohuar në një takim të para pak ditëve me gratë sipërmarrëse të Dhomës Amerikane të Tregtisë se do të ketë përshkallëzim të tatimfitimit për bizneset inovative në 5%.

Ajo pohoi se për tatimin mbi pagat do të vazhdohet me progresivitetin, vetëm se norma maksimale do të zbresë nga 23% që është sot në 18%. Ekonomi e argumenton tatimin progresiv me faktin që në sektorin privat jobujqësor, sipas të dhënave, janë 435 mijë punonjës me pagë mesatare 39 mijë lekë në muaj, çka nënkupton se taksa progresive e lartë ka prekur një pjesë shumë të vogël.

Në fakt, tatimi i lartë mbi pagat rezultoi një nga eksperimentet më të dështuara të qeverisë së majtë. Norma progresive prej 23%, për pagat mbi 130 mijë lekë (rreth 930 euro) është unike në gjithë rajonin, që taton të ardhurat nga paga mesatarisht me 9-11%. Për krahasim, Mali i Zi, që paga të larta kategorizon ato mbi 720 euro neto, taton me 11%, nga 9% që tatohen pagat nën këtë nivel. Edhe Serbia, që ka taksat mbi biznesin të larta dhe të krahasueshme me Shqipërinë, të ardhurat nga punësimi dhe të ardhurat nga biznesi i taton me 10%.

Kjo taksë e lartë rezulton të ketë nxitur skemat e shmangies, me punonjësit me paga të larta që kanë hapur biznese të vogla, ku tatimi është pothuajse zero. Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë se të hyrat nga tatimi mbi të ardhurat personale ranë me 1.7% me bazë vjetore për 4-mujorin e parë 2017, ndërsa ishin 6% më pak se plani i përcaktuar në fillim të vitit.

TVSH mbetet 20%, ndërsa vetëm në prill 2017, për herë të parë TVSH u përshkallëzua në 6% për shërbimet e turizmit.

Nëse do të jenë në pushtet mandatin e ardhshëm, socialistët premtojnë edhe 220 mijë vende pune të reja. Ky premtim nuk intrigon më askënd, pasi ai i mëparshmi për 300 mijë vende pune u pranua që dështoi. “Nuk e arritëm objektivin për 300 mijë vende pune, po janë hapur 183 mijë vende pune dhe janë në proces 40-45 mijë vende pune”, ka pohuar Ekonomi.

Të dhënat administrative të INSTAT tregojnë se nga tremujori i tretë 2013 deri në tremujorin e parë 2017 janë shtuar neto 158 mijë vende pune. Por, kjo rritje është nxitur më së shumti nga formalizimi, me të paktën 100 mijë vende pune të formalizuara, duke lënë një shtesë neto të punësimit në ekonomi për 4 vjet prej rreth 60 mijë persona. Kjo shtesë ka ardhur kryesisht nga sektori i shërbimeve (përfshirë call center), që është tipik për ekonominë shqiptare dhe ecën vetë përpara. Nuk ka të dhëna se sa vende pune janë hapur si rrjedhojë e politikave direkte të ndjekura nga qeveria për nxitjen e punësimit.

Milena Harito, ministre e Inovacionit, pohon se fokusi në vitet e ardhshme do të jetë në hapjen e vendeve të reja të punës që lidhen me teknologjinë e informacionit. “Në 10 vitet në vijim do të zhduken 10-50% të vendeve të punës, për shkak të automatizimit. Duhet të përgatitemi. Kemi krijuar një hapësirë për të rinjtë që të krijojnë start up e tyre”, ka pohuar ajo.

Por përgatitjet duket se janë shumë të vonuara. Indeksi i Inovacionit Global për vitin 2017, një publikim i përbashkët mes Cornell University, INSEAD dhe Ëorld Intellectual Property Organization (ËIPO), e rendit Shqipërinë në vendin e 93, nga 127 në total dhe të fundit në Europë.

Pritshmëritë e Partisë Socialiste për rritjen ekonomike afatmesme variojnë në 5-5.5%, por është realisht e vështirë të kuptosh se si do të “kërcejë” ekonomia në këtë ritëm rritjeje, sidomos në situatën kur ka për të zëvendësuar efektin rritës të projekteve të mëdha në infrastrukturë si TAP apo Devoll, që kanë qenë elemente kryesore të rritjes ekonomike në këto vitet e fundit.

Partia Demokratike, a është realist premtimi për ulje taksash?

Partia Demokratike, në linjë me politikën që ndoqi në mandatin e dytë të qeverisjes së saj (2008-2013) ka premtuar një ulje të thellë taksash. Tatimfitimi pritet të zbresë në 9%, një pikë përqindje më ulët se niveli që ishte deri në vitin 2013. Taksë e sheshtë në 9% parashikohet dhe për tatimin mbi pagat, duke përjashtuar ata që kanë paga deri në 30 mijë lekë.

Premtimi më i guximshëm është ai për uljen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) në 15%. TVSH është taksa që sjell pjesën më të madhe të të ardhurave në buxhet (32% të totalit të buxhetit dhe gati gjysmën e të hyrave nga tatimet e doganat). Që pas vitit 1997, kur TVSH u rrit nga 12.5% në 20%, niveli i saj ka mbetur i pandryshuar. Premtime të tjera janë heqja e taksave për karburantin dhe ulja e taksës së punës, ndonëse për këtë të fundit nuk ka angazhim konkret.

Pavarësisht planeve ambicioze për ulje taksash, Partia Demokratike nuk ka një dokument zyrtar të shkruar të shpërndarë në shtyp, ose të publikuar në faqen e saj të internetit për programin ekonomik.

Por, si do të arrihet të mbahet një buxhet i konsoliduar me këtë ulje të parashikuar taksash, që nëse do të zbatohej, do të ishte më e madhja që ka ndodhur ndonjëherë në Shqipëri? Kujtojmë se pas vitit 2008, të ardhurat buxhetore, në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto u ulën nga 24.5% në 22.2% në 2013-n. Në të njëjtën periudhë, borxhi publik u rrit nga 54.7% e PBB-së në 65.5% e PBB-së, pra gati me 10 pikë përqindjeje, duke e lënë vendin me financa tërësisht të paqëndrueshme, ndonëse duhet pasur parasysh edhe ndikimi serioz i krizës ndërkombëtare që goditi rëndë sidomos Greqinë e Italinë, por edhe vende të tjera në BE që janë partnere tregtare të Shqipërisë, duke ndikuar direkt apo indirekt në ritmet e rritjes së ekonomisë së saj.

Edhe ekspertët e Partisë Demokratike nxitohen të pohojnë se performanca e pas 2008-s lidhet me krizën financiare globale që goditi vendin në atë kohë, ndërsa taksat e ulëta shërbyen si amortizator për biznesin për të kapërcyer efektet e ngadalësimit ekonomik. Ata thonë se cikli krizës është pak a shumë 10-vjeçar dhe po vjen drejt fundit, teksa gjithë bota dhe Eurozona po shkon drejt rimëkëmbjes.

PD parashikon që me këtë nivel taksash dhe me një rritje të mundshme ekonomike reale prej 5% dhe miradministrim fiskal pritet që të ardhurat të zgjerohen me 12% me bazë vjetore.

Ekspertët e saj pohojnë se nuk premtojnë punësim masiv me 200 apo 300 mijë vende pune, por në një rritje ekonomike prej 5%, pritet një zgjerim i vendeve të punës prej rreth 3% në vit.

*Revista Monitor është e specializuar në fushën e ekonomisë.

Të fundit