Rikthimi i opozitës; në tryezën e konsumit të një vakti politik apo në proces?

Alfred Lela

Pas disa ‘shkëmbimesh zjarri’ në distancë për tryezën e Reformës zgjedhore mes eksponentëve të dy palëve politike, opozita, që muajt e gjatë prej shkurtit i ka përballuar duke aktruar ‘Frontin e Mohimit’, ka vendosur të hedhë një hap të parë dhe të drojtur drejt kthimit në sistem. Të mërkurën pasdite takimi i krerëve të partive opozitare ka dalë me vendimin se nuk duhet ta lërë bosh vendin në tryezën e Reformës zgjedhore, nismë e OSBE.

Më shumë se kthim në një tryezë ky i opozitës është një rikthim te dialogu i ndërprerë, dhe ky është një lajm dhe shenjë e mirë për procesin politik dhe demokracinë. Monologu i gjatë i denoncimeve, edhe pse mund të krijojë efektin e vet, sërish është i gjymtë pa procesin, pa dialogun, pa debatin në agorën e pjesëmarrjes demokratike.

Ekziston sigurisht, një kureshtje se, pse tani?, për rikthimin e opozitës, dhe arsyet mund të jenë të lidhura sa me një vetmim të pafrytshëm politik, aq edhe me të kuptuarit se, edhe pse të pasakta, të padrejta, të paplota aktet politike të kalendarit kuazi-demokratik të Shqipërisë mund të ndodhin edhe pa opozitën. Zgjedhjet apo votimet e fundit e dëshmuan këtë, si për dashamirët, si për dashakeqët e opozitës, si dhe për atë vetë.

Një rrezik permanent përbën edhe e ashtuquajtura opozitë parlamentare. Disa deputetë të spikatur të kësaj ‘qendre’ pushteti e kanë shprehur me forcë gatishmërinë që të bashkojnë votat me Ramën nëse mazhoranca jep disa lëshime që mund të favorizonin idetë apo interesat e tyre politikë.

Por rikthimi i opozitës në sistem nuk është një hap që duhet lexuar gabim as nga ndërkombëtarët, dhe sidomos nga mazhoranca. Nevojë apo përgjegjshmëri qoftë ky veprim, Rama me të tijtë duhet t’i përgjigjen duke patur parasysh krizën dhe vektorët e daljes prej saj. Konflikti është tashmë në pik dhe institucionet nuk mund t’i përgjigjen më thatësirës që ka mbjellë kriza në ekonomi, rend dhe siguri, profilin ndërkombëtar të Shqipërisë, apo qoftë edhe ndotjen akustike të mjedisit shoqëror.

Opozita mendon, me të drejtë ndoshta, se nuk janë ligjet, pra as Kodi zgjedhor që i prishin zgjedhjet, por vullneti politik. Pjesëmarrja në tryezën e Reformës zgjedhore hedh farën e shpresës së vullnetit politik. I cili në Shqipëri ka qenë kryesisht i keq apo egocentrist, por pikërisht kjo mungesë mund ta krijojë nga hiçi këtë nevojë shoqërore.

Sikur asgjë më shumë, sipas një formule në të cilën qeveria e radhës ta mendojë veten në opozitë dhe në këtë frymë t’i bëjë ligjet dhe të përkulë vullnetin e saj politik.