Flash News

KRYESORE

Shërohet mjeku Dhimitër Kraja, fiton betejën me Covid-19 pasi doli vullnetar

Shërohet mjeku Dhimitër Kraja, fiton betejën me Covid-19 pasi

Mjeku i njohur Dhimitër Kraja fiton betejën me Covid-19.

Sot, mjeku në pension ka lënë spitalin, njofton në FB ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

“Lajm shumë i mirë nga spitali infektiv. Sapo ka dalë i shëruar prof. Dhimitër Kraja!”, shkruan ministrja.

Kujtojmë se Kraja, një mjek në pension, u infektua pasi doli vullnetar, pas 48 viteve punë në Infektiv.

Profesor Kraja iu përgjigj i pari thirrjes së ministrisë për të ndihmuar kolegët në trajtimin e pacientëve të infektuar me COVID-19 në vendin tonë.

Në total deri tani janë shëruar 18 personel shëndetësor.

https://politiko.al/u-kthye-te-jepte-kontribut-vullnetarisht-infektohet-me-covid-19-mjeku-dhimiter-kraja-shtrohet-tek-infektivi/

Reagimet:

Kryeministri Edi Rama: Lajm i mirë nga spitali infektiv:

Sapo ka dalë i shëruar prof. Dhimitër Kraja, i cili si pensionist iu përgjigj i pari apelit për t'u angazhuar në vijën e zjarrit, ku u plagos nga armiku...jetë të gjatë profesor!

Presidenti Ilir Meta: Shërimi i Profesor Dhimitër Krajës është një lajm i mirë që na gëzon të gjithëve!

Duke ju uruar shërim të shpejtë edhe të gjithë të prekurve nga pandemia COVID-19, theksoj edhe njëherë rëndësinë e forcimit të masave mbrojtëse për të gjithë mjekët, infermierët, sanitarët dhe personelin mbështetës, të cilët janë në vijën e parë të frontit, duke shërbyer me përkushtim, profesionalizëm dhe sakrifica në mbrojtje të shëndetit të çdo qytetari.

Kreu i PD, Lulzim Basha: Një lajm i gëzuar shërimi i prof. Dhimitër Krajës. Qeveria të rrisë testimet, duhet garantuar siguria ekipeve mjekësore.

Është një lajm i gëzuar për mua personalisht dhe për çdo bashkëqytetar shërimi i Prof. Dhimitër Krajës.

Mendimet dhe lutjet tona shkojnë për të gjithë personelin mjekësor që po përballet sot me COVID-19. Për të gjithë ata mjekë, laborantë, infermierë, sanitarë e shoferë ambulancash që rrezikojnë çdo ditë jetët e tyre në shërbim të qytetarëve. Në këto ditë të vështira ata meritojnë angazhimin serioz të qeverisë për të siguruar të gjitha mjetet e nevojshme mbrojtëse për ekipet mjekësore.

Transparenca është garanci dhe siguri si për stafet mjekësore ashtu dhe për të gjithë qytetarët. Testimi është mënyra më e suksesshme që po aplikohet sot për të identifikuar të prekurit nga COVID-19 dhe për të shkëputur zinxhirin e transmetimit.

Prandaj sa nuk është vonë qeveria duhet të zbatojë korrektësisht kërkesën standarte të OBSH: rritjen e numrit të testimeve.

Çdo shmangie nga kërkesat e përsëritura nga OBSH është papërgjegjshmëri e rëndë që jo vetëm fsheh të vërtetën por kushton shtrenjtë: Sa më pak testime, aq më pak persona të identifikuar, aq më gjatë shumë zgjatet zinxhiri i infeksionit, aq më gjatë vazhdon karantina dhe thellohet kriza ekonomike.

Duhet vepruar sot, çdo ditë e humbur na kushton jetë dhe shëndet!

Të fundit