Flash News

KRYESORE

Shqipëria, Koreja e Veriut e Europës

Shqipëria, Koreja e Veriut e Europës

Christoph Dieckmann/ Die Zeit

Ky udhëtim në malet e Veriut të Shqipërisë është aq i frikshëm sa vështirë të mendohet. Në rrugët e ngushta e gjarpëruese, fugoni çan përpara me shiun që bie. Në të djathtë ka shkëmbinj, në të majtë humnerë. Rrëketë zbresin teposhtë.

Ne nuk udhëtojmë vetëm. Çdo vit më 21 maj, të moshuar bëjnë një pelegrinazh në ish-minierën e bakrit në Spaç. Aty u ngrit nga regjimi komunist i Enver Hoxhës që nga 1968-a, kampi më i tmerrshëm i përqendrimit. 1400 të dënuar punonin në minierë atëkohë.

Veteranët përkujtojnë vuajtjet e tyre dhe revoltën e 1973-it dhe të 1985-ës. Kryengritjet u shuan nga ndërhyrja e Forcave Speciale. Shtatë të burgosur u qëlluan për vdekje.

Sapo mbërrin, dallohen godinat e betonit të rrënuara. Në 1990-ën kampi u mbyll, ndërsa në 2009-ën, qeveria vendosi që të ndërtonte aty një muze. Por kjo ende nuk ka ndodhur. Ish-i burgosuri Fabian Kati, thotë se “ringjallja” e diktaturës komuniste nuk i hyn në punë shoqërisë shqiptare. Kati kaloi një vit në Spaç. Ai u dënua me 6 vite. Vinte nga një familje me biografi të keqe, ndërsa iu gjetën materiale të huaja.

Gjyshi i tij kishte qenë për 15 vite në këtë burg famëkeq. Pas vdekjes së diktatorit Enver Hoxha, lideri i ri i Partisë, Ramiz Alia shpalli amnisti të përgjithshme. Kati u lirua për t’u dërguar në ushtri.

Veteranët u mblodhën në dhomën e vjetër të ngrënies. U fjalosën për kohët kur ngrinin krye, thanë parulla antikomuniste dhe u zotuan se nuk do të harronin kurrë.

Për ish-të burgosurit “Spaçi ishte Aushvici i tyre.”

Atëherë e kishin të vështirë të flisnin, pasi u përmendnin hebrenjtë. Të paktën ata jetonin, kurse të parët u futën në dhomat e gazit. Deri në 1990-ën, Shqipëria ishte Koreja e Veriut e Europës.

Shqiptarët e sotëm thonë se janë pasardhës të ilirëve të lashtë. Në qendër të Tiranës, me përkrenaren me kokë dhie është busti i Skënderbeut, heroit kombëtar, i cili luftoi në shekullin e XV-të 27 beteja kundër otomanëve, nga të cilat humbi vetëm 2.

Komunizmi e përdori figurën e tij, ndërsa thoshte se “Shqiptari e ka çarë historinë me shpatën në dorë”. Shqipëria u pavarësua në 1912, ndërsa në Ballkan u zhvillua Lufta e Parë Ballkanike.

Në 1928, Ahmet Zogu u shpall mbret i vendit, kurse në 1939, Italia e pushtoi. Zogu I u arratis drejt Greqisë, ndërsa parlamenti dhe qeveria kukull bashkëpunuan me pushtuesit italianë. Pas rënies së Musolinit dhe Italisë, në vend u fut ushtria gjermane. Në 1941-in u themelua Partia Komuniste. Arkitekti i saj, Enver Hoxha, i biri i një farmacisti mysliman nga Gjirokastra, studioi në Paris mësimet e Marksit dhe Leninit.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, partizanët shqiptarë bashkëpunuan me ata jugosllavë duke zbuar nazistët deri në fund të 1944-ës.

Spastrimet ndaj kundërshtarëve nisën menjëherë. Më 11 janar të 1946-ës u shpall Republika e Shqipërisë. Regjimi njëpartiak nisi bashkëpunimin me Rusinë e idhullit të tij, Stalinit. Gjyqe të bëra për shou dhe dënime me vdekje ishin të zakonshme dhe tregonin se diktatura ishte përgjegjëse.

Në 1948, pas Jugosllavisë, Shqipëria i ktheu sytë nga Bashkimi Sovjetik. Në shtetin e madh sovjetik u trajnuan dhe studiuan shumë kuadro, nga minatorë e deri mësues të artit.

Pas vdekjes së Stalinit në 1953, miqësia mes dy vendeve u shkërmoq. Hrushovi u distancua nga kulti i individit, ndërsa bërja publike e mizorive të liderit të Bashkimit Sovjetik bënë që komunistët shqiptarë të mërziteshin e të distancoheshin.

Në 1960, Bashkimi Sovjetik prishi marrëdhëniet me Kinën dhe Hoxha gjeti një shtet të ri ku të mbështetej.

Ai u frymëzua nga revolucioni kulturor i Mao Ce Dunit. Më 22 nëntor të 1967-ës, partia mori vendimin për ta shpallur Shqipërinë, vendin e parë ateist në botë. Masa të ashpra u aplikuan ndaj atyre që kundërshtonin, ndërsa kishat dhe xhamitë u mbyllën.

Pas vdekjes së Maos, edhe Kina iu largua mësimeve të tij. Vëllazëria kinezo-shqiptare përfundoi.

Që prej aty, Hoxha e shpalli Shqipërinë si fortesë të komunizmit dhe socializmit. Në vend u ndërtuan 173 mijë bunkerë. Kurse Shërbimi Informativ i Brendshëm me zell të madh gjente dhe arrestonte armiq të klasave vazhdimisht. Më 17 dhjetor të 1981, kryeministri i vendit Mehmet Shehu u gjet i vdekur në krevat, i qëlluar me armë.

Librat e Ismail Kadaresë e përshkruajnë më së miri paranojën, frikën dhe luftën për pushtet të diktaturës.

Kur Hoxha vdiq në 1985-ën, Shqipëria ishte një vend invalid dhe tërësisht i izoluar. Ramiz Alia vazhdoi të drejtonte vendin dhe diktaturën. Por ai lejoi lehtësira, përfshirë edhe modën.

Ndërsa Europa e Lindjes u përfshi nga ndryshimet në 1989, në Shqipëri asgjë nuk ndodhi. Por deri më 25 dhjetor, kur në Rumani diktatori Çauseshku dhe bashkëshortja e tij u pushkatuan. Kjo bëri që Ramiz Alia të lejonte lirinë e besimit, ndërsa dënimet me vdekje rrallë u dhanë.

Por demonstratat filluan, fillimisht në Shkodër, qendër katolike në vend. Katër të rinj u vranë. Me mijëra shqiptarë udhëtuan drejt Italisë dhe Greqisë. Gjashtëdhjetë viktima pati në kufi, me qindra u futën në verën e 1990-ës në ambasadat e huaja në Tiranë.

Më 11 dhjetor të 1990-ës u vendos që vendi të bëhej pluralist. Më 12 dhjetor u themelua Partia Demokratike, me lider Sali Berishën. Më parë ai kishte detyrën e sekretarit të partisë dhe po ashtu ishte doktori i Enver Hoxhës.

Demokratët e rinj nuk ishin disidentë, ata nuk vinin nga sindikatat dhe nuk ishin as shqiptarë të arratisur. Të gjithë ishin produkt i sistemit, komunistë të mirë edukuar. Ky është totalitarizëm. Sot, të dyja partitë e mëdha punojnë si një klan dhe në sistem klientelizmi. “Të majtët janë më të djathtë se të djathtë dhe e kundërta”.

Shkodra është qendra e të djathtëve. Aty jetojnë mbi 100 mijë banorë. Periferia është në gjendje të mjeruar, kurse qendra është tërheqëse, me arkitekturë austriake dhe italiane. Nga 1967 deri në 1991, kishat dhe xhamitë u tjetërsuan. Klerikët u burgosën. Tridhjetë e gjashtë priftërinj u vranë, gjithashtu një imam dhe një murgeshë e quajtur Marije Tuci. Ajo vdiq në 1950-ën, në moshën 22 vjeçare pasi nuk pranoi të shkonte në shtrat me shefin lokal të sigurimit. Vajza u fut në një thes bashkë me një mace dhe më pas u qëllua me shkopinj.

2890 njerëz u burgosën në Shkodër, 601 u pushkatuan dhe 136 u torturuan për vdekje. Gjatë diktaturës, në Shqipëri u vranë mbi 6 mijë persona. Shpesh pushkatimeve u paraprinin gjyqe-spektakël, ku të akuzuarit shpalleshin spiunë, apo tradhtarë, ndërsa masa e njerëzve në sallë duartrokisnin të elektrizuar.

Në 3:30 muezini nisi këngën në Xhaminë e Madhe, zëri i tij tingëllues theu heshtjen. Në mëngjes ne nisemi drejt jugut me makinë, në një udhëtim që zgjat pesë orë, në një rrugë me peizazh të bukur.

Përgjatë saj duken gra që punojnë tokën me shami të bardha dhe burra mbi gomarë që meditojnë. Djem mbi mure, na përshëndesin me dorë, ndërsa shfaqen edhe minaretë nëpër fshatra, e shtëpi gjysmë të përfunduara.

Në pikat e karburanteve gjen edhe pastë dhëmbësh dhe reçel fiku në kavanoz, por edhe një CD me këngë që përkujtojnë liderin Enver Hoxha.

Mbërrijmë në Tepelenë, një qytet i vogël i cili ka shërbyer edhe si qendër internimi. Lavdinë qyteti e pati gjatë periudhës së Ali Pashë Tepelenës (1740-1822). Pashai i Janinës krijoi një pashallëk të pavarur nga Perandoria Osmane, madje sfidoi hapur Sulltanin, por në fund u mposht dhe iu pre koka. Gjithsesi në qytet nuk mungon as një muze, ku gjendet edhe Enver Hoxha.

Në periferi shfaqen baraka dhe shkatërrime, pirgje tullash, pula që çukisin tokën, hekurishte dhe plehra. Deri në 1989-ën këtu ka qenë një nga kampet më të mëdha të internimit për armiqtë e partisë.

Simon Mirakaj, i lindur në 1945-ën kujton vuajtjet në këtë kamp. Aq shumë kujtime të trishta tregoi sa përkthyesja jonë Ilda, na kërkoi pak pushim, pasi nuk mund t’i mbante dot lotët.

Në 4 qershor të 1989-ës, ai mori vesh se ishte i lirë. Vrapoi drejt detit, studioi për Jurisprudencë dhe u martua, por kompensim mori shumë pak.

Shumica e të burgosurve nuk morën gjë, për shkak të mungesës së dokumenteve. Në Tepelenë nuk u lanë dosje. Pas shumë debateve, në 2015, kryeministri Edi Rama vendosi që të jepte akses për dosjet e Sigurimit. Por e gjithë kjo ishte e kotë, sepse shërbimi sekret kishte shkatërruar tashmë shumicën e dosjeve “të padobishme” në vitin 1991. Vetëm 1500 dosje u gjetën që nga ajo periudhë.

Shqipëria duket si nga ndonjë planet tjetër. Por nuk dëshiron që të jetë kështu. Vendi ka aplikuar për t’u bërë pjesë e BE-së më 2009-ën.

Shkojmë në Tiranë. Blloku dikur i izoluar është tërë jetë. Ish vila e Enverit është mu në mes të lagjes. Afër është edhe Piramida, e krijuar nga 4 arkitektë, mes tyre vajza dhe dhëndri i Enver Hoxhës. Muze Kombëtar tregon historinë e diktaturës. Në “Shtëpinë e Gjetheve”, ish godina e Sigurimit të Shtetit, mund të shikohet nga afër se si shërbimi sekret funksiononte.

Në BunkArt 2, krijohet një ide për historinë e Policisë Shqiptare. Në lindje të qytetit, në Malin e Dajtit fshihet BunkArt 1, bunkeri, nga ku diktatori dhe qeveria do të strehoheshin, në rast të një lufte bërthamore.

E premte mbrëma. Tavolina në sheshin Skënderbej e dhjetëra familje aty që darkojnë. Në Bllok derdhet e gjithë rinia. Në bare dëgjohet muzikë pop ballkanike. Në parkun përgjatë bulevardit këndohen balada nga Shqipëria e Jugut. Por nuk mungon as muzika e huaj. Shqipëria duket e lirë.

Por, jo të shtunën. Opozita bën një tjetër miting, e duket agresive. Partia Demokratike u largua nga parlamenti më 16 shkurt të 2019-ës.

Ata pretendojnë se zgjedhjet u vodhën. Se shteti dominohet nga oligarkët e majtë dhe nga mafia. Ish sigurimsa rrinë në parlament. Me qindra mijëra janë larguar nga vendi i korruptuar.

Kjo bën që ndërgjegjja të rritet për të dalë në rrugë e për t’u konfrontuar. Pas mesnate, rrugët janë bosh. Në fasadën e kryeministrisë dallohet një njollë e madhe. Një punëtor po e pastron. Në mëngjes, e gjithë godina shkëlqen, vetëm muri është paksa më i hollë.

*Përktheu për Politiko.al: Irgis Hysenaj

Të fundit