Flash News

KRYESORE

U kap me dy pistoleta në çantë, Fjolla Morina: Armët janë të miat, nuk e dija që i kisha marrë me vete

U kap me dy pistoleta në çantë, Fjolla Morina: Armët

Zbardhen detaje të reja pas arrestimit të këngëtares së njohur Fjolla Morina dy ditë më parë, pasi në mjetin e saj tip “Audi” u gjetën 23 fishekë dhe dy pistoleta, njëra prej të cilave rezultoi lodër.

Mësohet se, gjatë marrjes në pyetje për disa orë, këngëtarja kosovare Morina ka pranuar se arma e zjarrit pistoletë tip “Zoraki” dhe 23 fishekët i përkisnin asaj. Mirëpo, sqaroi se çantat e dorësi ndërronte shpeshherë dhe se nuk e dinte çfarë kishte brenda saj.

“Unë i ndërroj shpesh çantat dhe armën e kisha vënë disa kohë më parë, pikërisht në çantë. E kam harruar aty dhe sot e mora çantën pa ditur që pistoleta ishte ende aty brenda dhe udhëtova drejt Shqipërisë. Armën ma ka bërë dhuratë dikush. Një miku im nga Gjermania, i cili sot nuk jeton më. Personat që ishin me mua në makinë nuk e dinin se unë kam pistoletë, pasi as vetë nuk e kam ditur se e kam në çantë pistoletën, e kisha harruar,” ka thënë Morina.

Kujtojmë se, këngëtarja kosovare u arrestua këtë të shtunë në vijën e dytë të kontrollit policor në doganë, pasi u kap me armë zjarri dhe municicione me vete. Policia sekuestroi edhe një pistoletë lodër, si dhe ka arrestuar edhe dy personat e tjerë, të cilët po udhëtonin me të në makinën “Audi Q7” drejt Shqipërisë, përkatësisht F. M., 29 vjeç dhe F. S., 29 vjeç. Ndërkaq, pas arrestimit, Morina përfundoi në spital për shkak se nuk po ndihej mirë. Pas marrjes së ndihmës mjekësore është mësuar se këngëtarja është dy muajshe shtatzënë.

Fjolla Morina është një nga këngëtaret që ka tërhequr gjithmonë vëmendjen e mediave rozë për jetën luksoze dhe videoklipet e shtrenjta. Madje, shumë herë ajo është shfaqur në videoklipe edhe me armë zjarri apo veshje tejet ekstravagante.

Pas veprimeve të kryera në Komisariatin e Policisë, këngëtarja Morina pritet të dalë ditën e sotme në Gjykatën e Kukësit, ku do të njihet me masën e sigurimit personal. Çështja penale në ngarkim të saj është regjistruar në Prokurorinë e Kukësit për akuzën e “Trafikimit të armëve dhe municioneve”, e kryer në bashkëpunim, akuzë kjo që parashikon një dënim nga 10 deri në 20 vite burgim. Por edhe nëse trafikimi i armës nuk është kryer në bashkëpunim, sërish Fjolla Morina rrezikon një dënim që varion nga 7 deri në 15 vite burgim.

Arma e kapur në çantën e Fjolla Morinës do t’i nënshtrohet ekspertimit balistik dhe daktiloskopik, për të mësuar gjendjen teknike dhe nëse ka pasur gjurmë gishti të dy djemve të tjerë që ndodheshin në makinë me këngëtaren. Të tre personave u janë marrë gjurmët e gishtave me qëllim krahasimin me gjurmët që do të gjenden te pistoleta. Ndërkohë, bëhet me dije se destinacioni i këngëtares ka qenë fillimisht në Tiranë e më pas Ulqini, për të realizuar një videoklip të ri. Mësohet se, për realizimin e klipit, këngëtarja Fjolla Morina do të qëndronte rreth një javë në Shqipëri.

Të fundit